Berisha, Klintonit: Në 2013, zgjedhje demokratike
Do votojmë ligjet, problemet janë tejkaluar

Nov 1, 2012 | 16:35
SHPËRNDAJE
Kryeministri pret ne kryeministri, Hillari Klinton

TIRANE- Pa kohë pas ikjes së Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, Kryeministria ka zbardhur disa detaje më shumë lidhur me takimin që kreu i qeverisë ka patur me diplomaten amerikane.

Pasi ka vlerësuar vizitën e  saj si dhe ka shprehur gatishmërinë për të qenë një aleat besnik i Shteteve të Bashkuara në çdo sfidë, kudo në botë, Berisha i ka thënë Klintonit se problemet politike tashmë në Shqipëri janë tejkaluar dhe se rekomandimet e Komisionit Europian janë përmbushur në masën më të madhe.

Berisha ka shprehur angazhimin e qeverisë së tij për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga BE, si dhe i ka shprehur besimin se interesi kombëtar do të mbizotërojë dhe opozita do t’i votojë këto ligje.

“Kryeministri siguroi Sekretaren Clinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike. Ai shprehu besimin se reforma konsensuale zgjedhore dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve do të sigurojnë që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, ai ftoi Sekretaren Clinton që SHBA të dërgojnë një numër sa më të madh vëzhguesish”- thuhet në deklaratë.

Klinton nga ana e saj, ka theksuar se SHBA do vazhdojë ta mbështesin Shqipërinë në përparimin e demokracisë, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, zhvillimin ekonomik dhe në përpjekjet e përbashkëta për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri i ka përcjellë Sekretares Clinton përshëndetjet për Presidentin Obama, si dhe i ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin për humbjet njerëzore dhe dëmet e shkaktuara nga uragani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura