Berisha denoncoi skandalin me diplomat e 300 studentëve, universiteti “Luigj Gurakuqi” e pranon: Janë marrë masat që…

Jul 21, 2018 | 12:16
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha, publikoi dje në faqen e tij zyrtare të FB, mesazhin e ardhur nga një studenti Univeristetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, e sipas denoncimit të bërë tek Berisha, thuhet se diplomat e 300 studentëve të regjistruar në Bachelor në vitin 2013, janë false.

“Pavaresisht 5 viteve te tmerrshme ne ate institucion ku kemi duruar cdo lloj grabitqari te degjeneruar qe vetem leke kerkojn nga te gjithe studentet, ne perfundim te masterit marrim vesh qe diplomat tona te bachelorit jan fallso. Behet fjale per 300 studente te regjistruar ne vitin 2013 qe e kane kte problem. Justifikimi eshte gabimi i sekretares ne numrat e matrikullimit, por fakti qendron ne mbulimin e poshtersive te tyre nder vite ne shitjen e diplomave fallso. Ne e marrim vesh nje gje te tille pas 5 vitesh , dhe nuk kan bere asnje tentative per ta korrigjuar. I bie qe mundi jone dhe sakrifica e prindve tone qe me borxhe na e kane paguar shkollen, shkoi kot“, thuhet në mesazhin e Berishës.

universitet shkoder luigj gurakuqi

Por sot ka reaguar edhe vetë Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili thotë se “duke marrë shkas nga publikimi i një rasti që lidhet me disa gabime të bëra në numrat e matrikullimit të diplomave bachelor të lëshuara për disa studentë të Fakultetit Juridik, njofton se janë marrë masat e duhura, që ky gabim të ndreqet urgjentisht”.

” Përdorimi i këtyre rasteve në kontekste politike e mediatike, si dhe denigrimi i stafit mësimdhënës dhe administrativ, nuk ka asnjë gjasë që të na pengojë në misionin akademik dhe edukativ që Universiteti i Shkodrës ushtron prej më shumë se 60 vjetësh”, thuhet nder te tjera.

DEKLARATË PËR SHTYP

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke marrë shkas nga publikimi i një rasti që lidhet me disa gabime të bëra në numrat e matrikullimit të diplomave bachelor të lëshuara për disa studentë të Fakultetit Juridik, njofton se janë marrë masat e duhura, që ky gabim të ndreqet urgjentisht.

Më konkretisht, kur janë konstatuar këto gabime, që përbëjnë një shqetësim legjitim për studentët tanë, Senati i USH-së në mbledhjen e tij të datës 18 korrik 2018, me vendim të posaçëm ka ngritur grupin e punës për verifikimin e rasteve, i cili ka në përbërjen e tij titullarët e Fakultetit të Drejtësisë. Ky grup pune do të të hartojë procesverbalet përkatëse për saktësimin e numrave NIM (Numrat e matrikullimit) të dërguara nga QSHA (Qendra e Shërbimeve Arsimore). Hapi i dytë i punës së këtij komisioni do të jetë njoftimi i studentëve të diplomuar përmes faqes zyrtare www.unishk.edu.al dhe postës elektronike personale të studentëve për dorëzimin e diplomave me NIM (Numra matrikullimi) të pasaktë, asgjësimi i tyre dhe hartimi i diplomave të reja me numrat NIM të saktë (ato të njohura nga QSHA).

Studentët do të kontaktojnë për çdo rast në këtë adresë emaili: [email protected]

USH-ja ndan çdo shqetësim që artikulohet nga radhët e studentëve dhe i mbështet ata në denoncimin e çdo rasti shpërdorimi detyre të bërë në çfarëdo konteksti të mundshëm të jetës universitare.

Ftojmë studentët që të jenë bashkëpunues kur ndeshen me problematika të ndryshme dhe t’i gjurmojnë ata, së pari brenda institucionit tonë, duke dëshmuar kështu pjekurinë e duhur dhe përgjegjësinë si intelektualë të së ardhmes. Përdorimi i këtyre rasteve në kontekste politike e mediatike, si dhe denigrimi i stafit mësimdhënës dhe administrativ, nuk ka asnjë gjasë që të na pengojë në misionin akademik dhe edukativ që Universiteti i Shkodrës ushtron prej më shumë se 60 vjetësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura