BE, një projekt për trashëgiminë në Gjirokastër

Apr 5, 2011 | 11:20
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER – Në Gjirokastër implementohet për herë të parë projekti ndërkombëtar rajonal i quajtur “Vlerat Europiane në Trashëgimi”, financuar nga BE. Projekti 18-mujor synon rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut dhe organizmave përkatëse për standardet, legjislacionin, rregullat dhe praktikat në BE në ruajtjen e qyteteve historike dhe zhvillimin e traditave të artizanatit. Veç Gjirokastrës, ky projekt prek edhe qytete të tjera në Greqi, Kosovë dhe Maqedoni. Stefano Kalabreta, menaxher programi në delegacionin e BE-së në Shqipëri, ka identifikuar rolin e OJQ-ve në stabilizimin e demokracisë dhe procesin e integrimit europian. Projekti në fjalë, synon të sjellë rritjen e vlerësimit, por në radhë të parë përmirësimin e kujdesit për vlerat e trashëgimisë në qytetet historike. Për më tepër, me përfshirjen e katër OJQ-ve nga katër vendet fqinje, projekti mundëson krijimin e një rrjeti, i cili do të prodhojë sinergji në përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e qyteteve historike dhe zhvillimin e artizanatit, gjithnjë duke u bazuar në vlerat e përbashkëta dhe standardet europiane. Sot në Gjirokastër, ekzistojnë mjaft ndërtesa të parestauruara ose të shformuara si pasojë e ndërhyrjeve të papërshtatshme, ndërkohë që strukturat urbane janë lënë pas dore dhe kanë pësuar modernizime të pabazuara në njohjen e duhur të kontekstit historik urban. Sipas Kalabreta-s, zejet dhe artizanati thuajse janë zhdukur për shkak të mungesës së mjedisit të përshtatshëm urban që do të mundësonte krijimin e një atmosfere nxitëse për biznesin në vendet e Ballkanit. “Shpesh harrohet se integrimi nuk është vetëm çështje ekonomike, politike, gjeografike dhe juridike, por kryesisht një çështje e kulturës së përbashkët dhe të historisë”, shprehet Stephan Doempke, koordinatori i projektit. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mendojnë vetëm çka do të marrin nga BE, por edhe atë që ata mund të sjellin në të, veçanërisht në fushën e kulturës, në mënyrë që të formësohet identiteti i përbashkët. “Promovimi i Europës si një realitet kulturor, rritja e ndërgjegjësimit se tek vlerat e përbashkëta kulturore qëndron baza e stabilitetit ekonomik dhe politik, që e ka bërë BE-në një model aq tërheqës, janë jetësore në përgatitjen e vendeve për integrimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian”, ka përfunduar Dempke.         p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura