Bashkim Shehu, leksion për ata që s’u penduan

Aug 27, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Agim Baci
Agim Baci
AGIM BAÇI

Kush ka lexuar novelën “Vjeshta e ankthit”, do të jetë shokuar nga gjakftohtësia se si Mehmet Shehu vrau me dorën e tij nënkolonelin italian, të kapur rob, që e kishte strehuar dhe e kishte ushqyer në shtëpinë e tij gjatë kohës që ai kishte qenë me studime ushtarake në Itali. Libri është shkruar nga i biri, Bashkim Shehu. Pak më vonë, gjatë një interviste televizive, teksa pyetej nëse i kishte vizituar vendet në Spanjë ku kishte luftuar Mehmeti, Bashkimi i përgjigjej gazetarit i shokuar: “Të vizitoj vendet ku luftoi Mehmeti? Jo! Unë kam mbaruar punë me tim atë me gjetjen e varrit”.

Një vit më parë botoi romanin “Fjalor udhëzues për sistemin e dosjeve”, ku personazhet e ish-Sigurimit famëkeq jepeshin në jetët e tyre në dy kohë bashkë. Dhe, së fundmi, publikohet dhe një promemorie (Gazeta “Panorama” 18, 19, 20 gusht 2015), drejtuar Ramiz Alisë me shumë e shumë akuza, duke përfshirë edhe cilësimin si kriminel të babait të tij. Letra nga Bashkimi është shkruar në tetor të vitit 1989, kur sistemi po lëkundej, po ku zërat për të cilësuar çnjerëzore dhe kriminale atë sistem ishin të paktë, shumë të paktë.

Ose thuajse vetëm në burgje politike dhe internime, siç ishte dhe vetë Bashkim Shehu.
Nëse kthejmë kokën pas në këto 25 vite ndryshimesh, askush nuk është distancuar kaq hapur nga jeta kriminale e të afërmve të tij në diktaturë. Ai ka pohuar, ka përshkruar, e për më tepër e ka lënë shenjën e tij edhe përmes letërsisë, duke bërë një hap të rëndësishëm në përshkrimin e jetës kriminale të gjithë sistemit diktatorial të Hoxhës, babait të tij, Mehmet Shehut, e gjithë pasuesve të tyre.

Madje, duke përshkruar përmes letërsisë edhe atë “Banalitet të së keqes”, siç e cilëson Hannah Arend, ku dhjetëra e dhjetëra shërbyes të ish-nomenklaturës komuniste janë përpjekur, në diktaturë dhe në këto 25 vite, të relativizojnë atë të keqe e të vijojnë të veprojnë me klishe, ashtu siç kanë vepruar në diktaturë, sipas porosive të udhëheqësit, me bindje e pa mendim.

Thuajse në të gjitha shkrimet, romanet apo qëndrimet e tij vihet në dukje mungesa e kurajës, si një nga karakteristikat që i hap rrugën banales që të bëhet pjesë e përditshmërisë. I ka thënë këto gjëra pa marrë flamurin kundër të atit. Pa pretenduar se ka qenë i përndjekur. Ka vendosur të jetojë larg Tiranës, duke bërë jetën e tij. Edhe kur librat e kanë risjellë në qendër të vëmendjes, sërish është tërhequr, duke pohuar kështu me pafjalësinë e tij se ajo e shkuar e të atit ka ende peshën e vet në përditshmërinë e shqiptarëve.

Ndoshta shumë të tjerë, që i kanë shërbyer atij sistemi, si urdhërues apo zbatues, mund të mendojnë se nuk kanë qenë vetë në nivelin e Mehmet Shehut për urdhra apo të kenë pasur prindërit pjesë të rëndësishme të vendimmarrjes së krimeve që kreu sistemi, ndaj nuk ka pse të distancohen publikisht. Mundet që shumë prej tyre të na bindin se nuk janë të zotët të shkruajnë aq bukur sa mendimet e tyre të bëhen publike.

Por askush nuk mund të shfajësohet për mungesën e kurajës për të bërë një hap, të paktën një hap, në rrugën e vetme që na mban derën drejt të qenët Njeri – një hap drejt Pendesës. Madje, të futur në hullinë e pas vitit 1992, me formulën famëkeqe “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, shumë prej atyre që shërbyen me zell “në llumin e së keqes” nxituan të fshihen në emër të së nesërmes, duke mos marrë kurrë guximin që të thonë se cilët ishin, se çfarë bënë. E jo pak herë u ndodhëm në këto vite në situatë qesharake, ku herë Ramiz Alia e herë Nexhmije Hoxha dilnin të na flisnin për demokracinë, për vlerat njerëzore, e, madje, të veshur me petkun e paturpësisë, edhe duke na kujtuar të mirat e sistemit.

Nga kjo heshtje kemi pasur pasoja kriminale, antinjerëzore, siç është mostregimi i disa varreve ku kanë hedhur në mes të natës kundërshtarët politikë, të pushkatuar herë me gjyq e herë pa gjyq, e në mënyrë të trishtueshme, ndonjëherë edhe pa ndërruar ende jetë.
Bashkim Shehu ka guxuar të distancohet, të shkruajë e të lërë një tullë të rëndësishme në zbardhjen e atij mekanizmi antinjerëzor, që dehumanizoi shoqërinë.

Ai ka guxuar të distancohet nga krimet e babait, e të përshkruajë bashkë me aktet kriminale edhe mekanizmin e bindjes drejt tyre. E ndoshta, bashkë me librat e Spartak Ngjelës, dëshmitë e Bashkim Shehut përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të asaj pjese shqiptarësh që fjeti mbi tragjeditë e përditshme.
Kurrë nuk është vonë të bësh një hap drejt njeriut. Pendesa mbetet një derë e mundshme që të paktën të besosh se dikush mund të të falë. Se mund të jesh i falur. Të paktën, Bashkim Shehu eshte nje leksion per pendesen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura