Bashkëpunim për “Eposin” në UNESCO

Apr 8, 2011 | 12:16
SHPËRNDAJE

Përfshirja e “Eposit të Kreshnikëve” në listën e trashëgimisë botërore, në mbrojtjen e UNESCOS dhe restaurimi i Kullës së Bujanit, kanë qenë dy nga çështjet e diskutuara dje në takimin mes përfaqësuesve të Ministrive të Kulturës: së Shqipërisë dhe Kosovës. Zv/ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikoll Lesi, priti një delegacion të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga ministri Memli Krasniqi. Në ceremoninë e pritjes zyrtare ishin edhe zv/ministrat, Suzana Turku dhe Dashnor Bajaziti. Të dyja palët u ndalën tek bashkëpunimi dhe organizimi i veprimtarive të përbashkëta. Në këtë pikë u ra dakord për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat që mbulojnë të dy ministritë. Ministri Krasniqi u ndal më së shumti në dy çështje, si përgatitja e dosjes për “Eposin e Kreshnikëve” dhe restaurimin e Kullës së Bujanit. “Të dy vendet duhet të bashkëpunojnë për përgatitjen e dosjes së plotë të “Eposit të Kreshnikëve” për në UNESCO. Ndërkaq, janë plotësuar të gjitha procedurat e nevojshme nga pala kosovare për restaurimin e Kullës së Bujanit dhe shtëpisë ku është strehuar Komiteti Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës”, tha Krasniqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura