Basha me Merkel: Qeveria, rrezik për demokracinë

Dec 16, 2015 | 8:06
SHPËRNDAJE

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, krahas angazhimit të tij politik për të bindur shqiptarët për rrëzimin e qeverisë, po tenton të bindë edhe ndërkombëtarët për nevojën e një rrotacioni politik në Shqipëri.

Basha ka qenë në Gjermani në Kongresin e partisë së Kancelares Angela Merkel, duke zhvilluar edhe një sërë takimesh me drejtues të lartë të CDU-së lidhur me situatën politike në vend.

Basha ne takimin me Kancelarwen
Basha ne takimin me Kancelarwen

Kreu i PDsë shprehu shqetësimin në lidhje me qeverisjen e vendit nga Kryeministri Rama, duke dhënë edhe argumentet e tij për protestën që opozita do të zhvillojë më 17 dhjetor përpara Parlamentit për buxhetin e vitit 2016.

“Buxheti i ri me rritje taksash, dhe shpenzime për luks qeveritar dhe asnjë investim për hapje vendesh të reja pune, tregon se qeveria ‘Rama’ nuk ka asnjë plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, por do ta thellojë atë dhe vjedhjen e korrupsionin. Vazhdimi i kësaj keqqeverisje është një humbje më e madhe, një kosto shtesë për vendin, për çdo familje, për çdo shqiptar dhe një rrezik i madh që i kanoset demokracisë dhe shtetit ligjor. Kjo gjendje po shton revoltën dhe zemëratën popullore, e cila po përkthehet në protesta të njëpasnjëshme”, është shprehur Basha përpara drejtuesve të lartë të CDU-së.

TAKIMET

Kreu i PD-së zhvilloi edhe një bashkëbisedim me Kancelaren Angela Merkel. Gjatë takimit, Basha ka falënderuar Kancelaren Merkel për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë përgjatë gjithë këtyre viteve.

Kreu i opozitës shprehu besimin edhe për vazhdimësinë e këtij kontributi pozitiv ndaj vendit tonë nga Gjermania për realizimin e procesit të integrimit në BE.

Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Basha është takuar edhe me drejtues të lartë të CDU-së dhe Partive Popullore Europiane, me eurodeputetë, deputetë të Bundestagut dhe ministra. Edhe në këto takime, fokusi kryesor i kreut të opozitës ka qenë situata e rëndë ekonomike në të cilën po kalon vendi, për shkak të keqqeverisjes.

Dëshmi e kësaj krize, sipas kreut të opozitës, është edhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë të regjistruar muajt e fundit në Gjermani. “Revolta popullore që ka shpërthyer në të gjithë vendin dhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë është dëshmia më e qartë e situatës së rëndë ekonomike, papunësisë që shtohet dhe dhunës qeveritare ndaj të pamundurve”, është shprehur Basha.

PLATFORMA

Përballë keqqeverisjes së ofruar nga maxhorança, kreu i opozitës ka vënë në dijeni drejtuesit e PPE-së se PD ka ofruar një platformë konkrete për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Sipas Bashës, platforma ekonomike e ofruar nga opozita synon t’i japë frymëmarrje ekonomisë, përmes uljes së taksave dhe krijimit të një klime pozitive besimi që do të çojë në krijimin e vendeve të reja të punës.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura