Bardh Spahia betohet si kryetar i Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi mban fjalën e lamtumirës: Qyteti ka nevojë për kontributin e gjithësecilit, pavarësisht pozicionit

Mar 31, 2022 | 18:33
SHPËRNDAJE

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, ka marrë ditën e sotme detyrën në krye të pushtetit lokal. Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga korrespondenti i Panorama.al, Sphaia ka bërë betimin përpara Këshillit Bashkiak.

Gjatë fjalës së tij përballë të pranishmëve, Spahia theksoi se është nder dhe privilegj që të jetë në krye të qytetit të Shkodrës. Ai premtoi se gjatë mandatit 1-vjeçar do të bëjë më të mirën për qytetin dhe bashkëqytetarët e tij.

Fjala e Bardh Spahisë:

Të nderuar deputetë, E nderuar zj. Kadia,

E nderuar zj. Ademi, Të nderuar këshilltarë, Të dashur bashkëqytetarë,

Miq dhe të ftuar,

Sot është një ditë shumë e veçantë për mua. Nisim sot së bashku një mision për t’i shërbyer Shkodrës dhe shkodranëve, pasi ata më mbështetën e votëbesuan me 6 mars 2022.

Vij sot para jush me përgjegjësinë e besimit që më dhanë banorët e Shkodrës nga Shala në Velipojë, nga Ana e Malit në Gurin e zi, në qytet dhe njësitë administrative.

Falënderimi im është për të gjithë pa përjashtim, ata që më votuan dhe ata që për një arsye apo tjetër nuk votuan për mua. Unë kam bërë një premtim para banorëve të Shkodrës gjatë fushatës elektorale dhe e përsëris sërish para jush edhe sot: Do të jem kryetar i gjithë shkodranëve, pavarësisht zgjedhjes së tyre me 6 mars 2022.

T’i shërbej Shkodrës është nder por mbi të gjitha përgjegjësi e madhe për mua.

Është e vertetë që ky mandat që nis sot, është i shkurtër në kohë, por Ne do të japim maksimumin tonë, të gjithë bashkë, që jo vetëm të realizojmë projektet e prioritetet tona por të kërkojmë e të gjejmë edhe mundësi të tjera për të shtuar investimet dhe vëmendjen ndaj Shkodrës.

Kohën që kemi në dispozicion, duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, siç edhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë bashkë, pa asnjë dallim, për Shkodrën e shkodranët. Tani është momenti të nisim punën për shtëpinë tonë të përbashkët, për të ndërtuar të sotmen me veshtrimin nga e ardhmja.

Të nderuar të pranishëm,

Nga dita e sotme, unë si kryetar i bashkisë dhe ju si këshilltarë bashkiakë, nisim së bashku një rrugëtim me synimin t’i shërbejmë sa më mirë Shkodrës e shkodranëve. Përpara se të jemi në këto detyra, para se të jemi përfaqësues të një subjekti të caktuar politik që na ka propozuar a mbështetur, jemi shkodranë.

Nëse bashkojmë përpjekjet tona, zërat tonë për Shkodrën, jam i sigurtë se jo vetëm do të dëgjohemi më shumë e më larg, por edhe bashkia jonë do të ketë më shumë vëmendje, investime e zhvillim.

Të dashur bashkëqytetarë,

Dera e Bashkisë Shkodër, do të jetë e hapur për çdo shkodran, do të jetë një qeverisje me shkodranët e për shkodranët, pa asnjë dallim për askënd.

Mandati që nis sot, është i shkurtër, i mbushur me sfida e shumë punë. Unë shpresoj se në mbyllje të tij, kur të bëjmë një bilanc, të gjithë bashkë, të jemi krenar për atë që kemi bërë për Shkodrën, për familjet tona e sidomos fëmijët tanë.

Në këtë stafetë të pandalshme, është mundësia, privilegji e përgjegjësia jonë  që me përkushtim e ndershmëri, të japim kontributin tonë duke mësuar nga e kaluara dhe me vizion për të ardhmen. Ia kemi borxh të parëve tanë por edhe detyrim ndaj të ardhmes të fëmijëve tanë.

Sot është kënaqësi të falënderoj publikisht të gjithë kryetarët e bashkisë që ka patur Shkodra deri më sot sepse kontributi i tyre është tepër i çmuar në shërbim Shkodrës e të shkodranëve.

Unë besoj më shumë tek puna, tek rezultatet e saj se tek fjalët, të cilat sigurisht kanë rëndësinë e tyre në këtë fjalë të parë si kryetar i bashkisë Shkodër.

Uroj me zemër që në këto muaj të këtij mandati të shkurtër, të dalim faqebardhë të gjithë bashkë, duke lënë gjurmën tonë për të bërë Shkodrën ashtu siç i takon dhe i ka hije.

Na u  priftë e mbara të gjithëve bashkë, në shërbim të Shkodrës e shkodranëve! Faleminderit!

Prezente në ceremoninë e marrjes së detyrës ka qenë dhe ish-kryetarja e bashkisë Voltana Ademi, e cila ka mbajtur dhe fjalën e lamtumirës përballë të pranishmëve. Ajo bëri një vlerësim të punës së saj në krye të bashkisë si dhe ka uruar Bardh Spahinë për marrjen e detyrës.

Fjala e Voltana Ademit:


Ne fund të mandatit tim në shërbim, Kryetare e Bashkisë se Shkodrës, dua të falënderoj të gjithë për bashkëpunimin.

Gjate këtyre viteve me pune dhe përkushtim, duke përdorur te gjitha aftësitë dhe dijet profesionale, kam drejtuar dhe kontribuar ne miradministrimin e Bashkisë se Shkodrës.

Kanë qenë 7 vite jo të lehta për të gjithë. Kemi kaluar së bashku shumë sfida, kemi tejkaluar nga rruga jonë shumë pengesa. Çdo gjë e kemi arritur bashkë, duke u mbështetur tek njëri- tjetri, duke menduar së pari si qytetarë, për nevojat dhe vizionin tonë për Shkodrën.

Jam e bindur se sot Shkodra, e cila qe nga viti 2015 është me territor e popullsi të shumëfishuar, ka ecur përpara, është zhvilluar përmes përmirësimit të shërbimeve dhe rritjes se investimeve vendore, dhe kam besimin se do të vijojë në të njëjtën rrugë.

Falenderoj me zemër të gjithë banorët e Bashkisë tone ne Shalë, Shosh, Pult, Postribë, Rrethina, ne Anën e Malit, Velipojë, Dajç, Berdice, ne Gurin e Zi dhe ne te gjitha lagjet e qytetit tone.

Çdo gjë që kemi arritur, e kemi bërë falë mbështetjes tuaj, bashkëpunimit, konsultimit dhe përgjegjshmërisë në qeverisjen e përbashkët të Shkodrës.

Në momentet më të vështira, të cilat për hir të realitetit nuk kanë munguar, kam gjetur forcë, kam marrë frymëzim tek banorët kudo në territor. Ju jam mirënjohëse!

Në këto 7 vite, kemi qeverisur Shkodrën bashke me këshillin bashkiak.

Pohoj me kënaqësi, se në punën tonë, si administratë dhe këshill bashkiak, na ka udhëhequr interesi i Shkodrës dhe i shkodranëve.

I falënderoj publikisht të gjithë këshilltarët, me të cilët kam punuar përtej çdo bindje, vetëm në interesin e shtëpisë tonë të përbashkët.

Falenderimet e mija janë edhe për deputetët, pavarësisht përkatësisë politike. Besoj se janë përpjekur të bëjnë më të mirën për Shkodrën, ashtu si të gjithë ne.

Natyrisht, në këto 7 vite, kemi patur  mbështetje shume te madhe te partnerëve, vendas dhe të huaj, te shoqërisë civile, te intelektualëve, kontributi i të cilëve ka qenë dhe mbetet i çmuar në vijimësi.

Në fund, falenderoj administratën e Bashkisë Shkodër, e cila ka punuar dhe punon për te përmbushur detyrimin dhe përgjegjësinë për te realizuar projektet tona.

Me të gjitha mundësitë e aftësitë e mija, unë do të vazhdoj të jap kontributin tim për Shkodrën e shkodranët. Qe në vitin 2015 e deri me sot, pozicionin e kryetares së bashkisë e kam vlerësuar si mundësi për të përmirësuar jetën e bashkëqytetarëve tanë.

Falënderoj veçanërisht familjen time për mbështetjen e pa kursyer për angazhimin tim ne këtë detyre.

Në mbyllje, uroj për detyrën kryetarin e ri të Bashkisë z. Bardh Spahia.

Shkodra ka nevojë për secilin nga ne, për kontributin e secilit, pavarësisht pozicionit që ka, brenda apo jashtë territorit të Bashkisë.

Ftoj të gjithë shkodranët ta bëjnë këtë. Na u priftë e mbara!  Zoti e bekoftë Shkodrën! Faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura