Ballkani Perëndimor mbetet i përjashtuar

Aug 28, 2015 | 13:08
SHPËRNDAJE

DRAGOSLAV DEDOVIÇ

“Ballkani Perëndimor” është një term teknik, që BE-ja e përdor që prej 17 vjetësh. Ai përfshin shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Meqenëse Sllovenia u përjashtua nga ky raund si një vend shumë perëndimor dhe me shumë mirëqenie, atij iu shtua edhe një vend tjetër tipik ballkanik – Shqipëria.

Ky përkufizim ka në Gjermani dhe në Perëndim një konotacion të keq, pikërisht ashtu si edhe emërtimi kryesor- Ballkan. E si kompensim, edhe Perëndimi nuk has vetëm në tifozë në rajon. Kjo ka një parahistori të gjatë, e cila ka çuar në klishetë e sotme: një prapambetje e vazhdueshme në Ballkan dhe një arrogancë cinike e vazhdueshme pushteti në Perëndim.

Në Vjenë të paktën në aspektin retorik “prapambetja” dhe “arroganca e pushtetit” do të përjashtohen. Të gjithë do të bëjnë sikur takimi është një përsëritje rutinë e formatit të krijuar para një viti në Berlin, qëllimi i të cilit është afrimi i shpejtë i rajonit në BE dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal.

Aspak dëshirë për Ballkanin Perëndimor
E vërteta është: Gjermania & Co. nuk kanë dëshirë, që në një afat të parashikueshëm, t’i pranojnë në BE-në gjysmë të papërfunduar shtetet e varfra, gjysmë të dështuara. Askush nuk do ta thotë këtë sinqerisht. Në vend të kësaj do të përsëritet në formën e një rituali lutjeje formula e samitit të BE-së në Selanik më 2003: “E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian”.

Prej kohësh, në kryeqytet perëndimore druhen se, tek e fundit, në BE do të futen vende me një disiplinë të dyshimtë buxhetore të llojit helenik. Apo madje t’i pranojë ato në Eurozonë! Përveç kësaj ka drojë, se ndër kandidatët për në BE ka edhe disa vende, minoritetet e të cilave – si sot shumë romë nga Rumania e Bullgaria që preferojnë të jetojnë në Dortmund – margjinalizohen dhe janë ekstrem të varfër.

Imazhet e vjetra të armikut në Ballkan
E vërteta është edhe se marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë nga njëra anë dhe Kroacisë e Bosnjë-Hercegovinës nga ana tjetër në dymbëdhjetë muajt e fundit janë përkeqësuar edhe më tej. Kjo ka të bëjë me paaftësinë e elitave të atjeshme politike, për t’i pranuar faktet nga vitet nëntëdhjetë të luftës dhe për t’i integruar ato në kulturën e tyre të kujtesës. Imazhi i armikut kësisoj mbetet i aktivizueshëm në shoqëri.

Marrëveshja e mbivlerësuar e Brukselit, që arritën Serbia dhe Kosova në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së, deri më sot në shumë pika nuk është zbatuar. Është paradoksale, por e vërtetë: BE-ja investon përmes EULEX-it për shtetin ligjor në protektoratin e vet Kosovë, ndërkohë që shumë qytetarë të Kosovës kërkojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për azil në Gjermani.

Gjendje katastrofale ekonomike
Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk e ka arritur sërish nivelin e zhvillimit ekonomik të vitit 1989. Madje, në anëtaren e re të BE-së, Kroaci, ekonomia nga viti 2009 është në tkurrje. Atje ku shifrat ekonomike duken disi më mirë, si në Maqedoni e Mal të Zi, e paralizon jetën politike një strukturë pushteti që e konsideron veten të pagabueshme. Nëse sheh Bosnjë-Hercegovinën sot, shtron pyetjen se çfarë ka bërë në fakt Perëndimi si fuqi mbrojtëse që prej dy dekadash atje. Ky vend është i paqëndrueshëm, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Diçka nuk shkon, e kjo në të dyja drejtimet – duket sikur vërtet në takimin mes Perëndimit dhe Ballkanit Perëndimor arroganca e pushtetit dhe prapambetja kërcejnë një vals që nuk do të përfundojë kurrë.

Panine të vogla dhe shumë refugjatë
Por për këtë nuk flitet. Do të shkëmbehen komplimente. Do të piqen panine të vogla dhe ato do të shiten si një histori suksesi. Grupet e punës do të numërojnë kthjelltas premtimet e papërmbushura që nga takimi i kaluar. Do të krijohen nëngrupe pune nëpër ministri. Lista e nismave të dështuara dhe e projekteve të varrosura në heshtje është pothuajse po aq e gjatë, sa edhe lista e nismave të përpiluara me optimizëm para një viti në Berlin. Si do të ndryshohet kjo? Pala organizatore nuk ka asnjë ide, e po ashtu as të ftuarit.

Në vend të kësaj, tema dominuese edhe pas kuintave do të jetë rritja e numrit të refugjatëve. Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit do të tërheqin vëmendjen ndaj kushteve të këqija të “korridorit” mes Greqisë dhe Hungarisë, si dhe ndaj faktit që refugjatët e luftës nga vendi i BE-së Greqia në vendin e BE-së Hungari udhëtojnë përmes vendeve të BE-së Maqedoni dhe Serbi. Deri më sot e lënë në baltë nga Brukseli, Greqia nuk i mban më refugjatët. Hungaria – do t’i pengojë ata me një gardh – të sponsorizuar nga Brukseli. Çfarë do të thotë kjo për shtetet e Ballkanit?
Berlini do të kundërvihet me një tjetër fakt. Mbi 40 për qind e azilkërkuesve në Gjermani vijnë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kështu s’mund të vazhdohet më.
*Marrë me shkurtime nga Deutsche Welle

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura