Balla i përgjigjet Blushit: PS-ja nuk ka nevojë për modelin që ofron ti

Mar 3, 2016 | 8:13
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i është përgjigjur Ben Blushit dhe platformës së tij për ndryshimet në statut, duke e akuzuar se po dëmton PS-në dhe qeverisjen njësoj si Sali Berisha.

Balla dhe Blushi në një seancë plenare
Balla dhe Blushi në një seancë plenare

Në një postim në faqen e tij në “Facebook”, Balla shkruan se Partia Socialiste nuk ka nevojë për modelin që ofron Blushi, ndërsa do të jenë forumet e kësaj partie që do të vendosin për gjithçka.

“Po ashtu është i vetmi deputet që s’ka mbajtur asnjë lidhje me socialistët e zonës ku ka dalë deputet dhe i vetmi deputet që ngre zërin në Parlament vetëm për t’u bashkuar me korin e Saliut kundër qeverisë. Ben Blushi thotë se di ta bëjë më mirë punën se të gjithë ne dhe duhet të jetë kryetari ynë, por deri tani ka treguar vetëm se di ta dëmtojë punën tonë më shumë nga të gjithë ne! Zor se PS-ja ka nevojë për modelin që na ofron Ben Blushi. Megjithatë, në PS ka vend për të gjithë dhe ka forume që vendosin për të gjitha”, shkruan Balla në reagimin e tij në “Facebook” ndaj Blushit.

Sipas tij, propozimet që Blushi ka bërë për ndryshime statutore tregojnë se ai nuk e njeh statutin, pasi shumë prej tyre ekzistojnë në dokumentin e Partisë Socialiste.

“I pashë ‘propozimet’ që kolegu ynë Ben Blushi tha se janë propozimet e tij për ndryshime në Statutin e Partisë. Nuk po merrem me formën dhe përmbajtjen e tyre sot. Por nuk mund ta fsheh që jam i habitur, po jo edhe aq shumë, që Ben Blushi nuk e paska lexuar deri më sot statutin aktual të partisë sonë. Treçereku i atyre që shoku Blushi kërkon në gjoja platformën e tij për reformim të PS-së, janë në statutin aktual të partisë. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që Blushi e ka shkelur statutin më shumë se çdo deputet që unë njoh, sepse është i vetmi deputet që ka braktisur fushatën e zgjedhjeve dhe ka dalë hapur kundër kandidatëve të Partisë Socialiste”, shkruan Balla.

Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist ishte i pari në Partinë Socialiste që reagoi ndaj qëndrimeve kritike të Ben Blushit ndaj mungesës së zgjedhjeve të kreut të partisë, por dhe reformave të qeverisë së majtë.

“E pashë letrën e hapur të Blushit, për një socialist që mund të isha dhe unë. Ben Blushi na ka mësuar me zakonin e tij që na del kundër kur mendon se prish më shumë punë. Me atë letër u drejtohej socialistëve për të thelluar një sulm të nisur ndaj qeverisë sonë, në prag të fushatës elektorale. Kishte mbledhur të gjitha pikëpyetjet e jetës së vet politike dhe kërkonte llogari për ato nga qeveria jonë, që s’i ka mbushur akoma dy vjet. 90 për qind të pyetjeve që kishte rreshtuar Blushi, i kemi dëgjuar përditë në formë akuzash nga Saliu. Një tufë problemesh të mbartura 25 vjet dhe një tufë gënjeshtrash të lidhura bashkë me problemet, për ta bërë sa më blozë imazhin e qeverisë”, iu përgjigj Balla Blushit ndaj letrës së hapur që ai u drejtoi të gjithë socialistëve në prill të vitit të shkuar.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura