Balerina e TOB, Elona Dervishi: Nuk bëja dot kompromise me veten në emër të famës

Sep 19, 2017 | 15:15
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ

Shumica e përvojave tregojnë që të zhgënjejnë edhe njohjet e gjata, por, nga ana tjetër, nuk është e vështirë të shquash tiparet karakteriale të një njeriu që në takimin e parë. Për shembull, nuk është e nevojshme të flasë gjatë për t’i kuptuar ambicien, qëllimet dhe mënyrat me të cilat është i vendosur se do t’i arrijë. Edhe sikur disa ditë të qëndronim me balerinën e Teatrit të Operës dhe Baletit, Elona Dervishin, as që do të vërenim diçka të tillë.

Është më mirë kështu apo më keq, këtë nuk mund ta thotë askush! Elona mendon se nuk është dhe aq mirë por, të paktën, jetohet mirë, je më e qetë. Ata që nuk e njohin rrethin e artistëve, cilido qoftë emri i institucionit të tyre përfaqësues, nuk e dinë luftën e brendshme, ndonjëherë edhe të kotë, për të mbijetuar. Është kështu në Shqipëri, por është kështu edhe në botë!baleti_netet_arabe_faqe_19-1

Lufta është thuajse e hapur, ndryshon vetëm paketimi i servirjes. Sigurisht, në këtë pikë, takti ynë është më mjeran, prandaj edhe “zbulohen” lehtë. Fundja, Elona Dervishi, ajo që sot identifikohet me personazhet lirikë, e nisi baletin rastësisht. Rrugës u stërmundua, por jo aq sa të prishte rehatinë e paqes me veten. Që e vogël, kur luante me shoqet e pallatit, nuk e përjetoi si ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme kërkesën e drejtorit të atëhershëm të Shkollës së Baletit, për ta bërë pjesë të nxënësve të tij. Përkundrazi! Ishte pothuajse e mendimit të të atit që |këto punë” nuk ishin për ta. Vetëm nxitja e së motrës, që sot është shkencëtare, e bëri t’i hynte baletit.

“Isha vetëm 9 vjeçe atëherë dhe nuk kisha ndonjë përjetim të paprovuar për propozimin që m’u bë. Fundja, në atë moshë nuk ke asnjë plan, përse të mos ndjekësh një rrugë për të cilën të thonë se je e zonja? Unë, me sa dukej e siç u pa më vonë, kisha elasticitetin e duhur për t’u bërë balerinë”, tregon Elona duke kujtuar fëmijërinë. Më vonë, duke punuar e duke u njohur me muzikën e baletin, përfshirja emocionale ishte e pashmangshme. Në fillim jo aq sa koha jo shumë e largët, vetëm pesë vite më vonë, kur bashkë me një grup shoqesh u ngjitën në skenën e Teatrit të Operës.

“Ishte fat i madh për ne që ta preknim atë skenë që në moshën 14- vjeçare. Drejtori i Shkollës së Baletit, Arian Sukniqi, i pati kërkuar profesor Agron Alisë që të punonte me disa nxënëse të shkollës së tij. Profesori pranoi me kushtin e vetëm që provat të bëheshin në TOB, sepse ai nuk mund të bënte lëvizje të shumta gjatë ditës. Kështu u bë! u zgjodhëm 10 vajza që e nisnim përditë praktikën në TOB e më pas shkonim në shkollë për të vijuar me lëndët e tjera. Ne jemi të vetmet që nuk jemi bërë pjesë e trupës së baletit, duke kaluar përmes audicionit. U rritëm aty dhe aty u punësuam.

” Këto 10 vajza e prekën skenën po bashkë. Elona qesh me zë sa herë që kujton sot herën e parë kur kanë kërcyer përpara publikut te “Romeo dhe Zhulieta”, ishin aq pa përvojë, sa që për gabime e lëvizje të pakoordinuara, flisnin me njëratjetrën në skenë. “Përveçse bëj çudi me veten, habitem edhe se si nuk na flisnin shumë profesorët”, kujton Elona, duke përsëritur vazhdimisht, edhe aty ku s’e kërkonte rasti, mirënjohjen për profesor Aliajn, Sukniqin dhe mësuesen e saj të parë të baletit, Teuta Basharin. Kohë pas kohe e vit pas viti, pjesët e Elonës erdhën vetë, por ajo nuk u bë asnjëherë balerina e famshme që njihnin të gjithë.

“Këtë e kuptova që në fillim, nuk do të isha asnjëherë ‘ylli’ i skenës. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të natyrës sime pak të tërhequr. Nuk e di në është mirë apo keq, por asnjëherë nuk kam shkuar përtej territorit ku isha shumë e sigurt me veten. Që kur bënim prova me Sukniqin, më thoshte vazhdimisht të gjeja një partner balerin, sepse do ta kisha më të thjeshtë, edhe për famë, edhe për punë. Këtë gjë unë as që e mendoja. Nuk e përzieja dot jetën private me punën e gjithë rrëmujën që krijohej aty”.

Megjithatë, Elona ka qenë e kënaqur edhe me kaq. Fundja, ka pasur role teknikisht të mira, sado që publiku shqiptar nuk është aq i kultivuar në këtë zhanër sa të shquajë lëvizjet e përsosura që mund të fshihen pas këmbëve të para. Turnetë e saj nëpër Europë kanë qenë të shumtë, të mjaftueshëm për të kuptuar se baleti e arti funksionon njësoj gjithandej. Për të kuptuar se audicionet, të cilat në Shqipëri i futi si praktikë drejtori i shkuar i TOB-it, Ilir Kerni, ishin gjëja e duhur, sado që nuk janë përherë (ose, asnjëherë) të pastër! Ky është arti, ose do të pranosh të punosh mirë në kuadratin tënd, ose do të bësh pirueta karakterofizike për të dalë në krye!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura