Axhenda e festimeve/ Shenjtërimi i Nënë Terezës, koncerte e aktivitete

Sep 1, 2016 | 11:31
SHPËRNDAJE

Shenjtërimi i Nënë Terezës, nuk do të festohet vetëm në Vatikan. Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës po organizojnë aktivitete në ditën e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila do të zhvillohet më 4 shtator në Vatikan.

nene-tereza

Ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës do të përcillet drejtpërsëdrejti në sheshin “Nënë Tereza” përmes monitorëve të vendosur përgjatë sheshit kryesor. Festimet do të fillojnë me koncertin për kor, solistë dhe orkestër simfonike të TKOB në orën 09.30 në sheshin “Nënë Tereza”.

Në një program sacra, me pjesëmarrjen e solistëve të mirënjohur të skenës lirike: Ylber Gjini, Etleva Golemi, Armando Likaj, Klodian Kaçani. Në program do të interpretohen pjesë nga Puçini – Kyrie nga “Messa di Gloria”; Vivaldi – Gloria; Mascagni – Intermezzo nga opera “Cavalleria Rusticana” (varianti orkestral); Verdi – La vergine degli angeli nga opera “La forza del destino”; Gounod – Ave Maria; Haendel – Allelujah.

Ndërsa shumë pranë sheshit ku do të zhvillohet ceremonia e shenjtë, në Basilica Papale di San Paolo Fuori Le Mura, do të zhvillohet Koncerti Himni i Nënë Terezës, me ideatore dhe producente Dijana Toska, ku do të marrin pjesë këngëtarët me famë botërore Inva Mula, Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa, Ramë Lahaj si dhe këngëtarja Rita Ora.

Kjo e fundit do të këndojë këngën “What child is this”, orkestruar nga mjeshtri Shpëtim Saraçi, nën shoqërinë e violinistit Shkëlzen Doli dhe Orkestrës Filarmonike të Kosovës. Koncerti do të dirigjohet nga Bujar Llapaj.

Në këtë koncert do të këndohet himni kushtuar Nënë Terezës realizuar nga pianisti dhe kompozitori shqiptar, Genc Tukiçi, mbi një motiv të Lorenc Antonit dhe me tekst të vet Gonxhe Bojaxhiut, shkruar në vitin 1928, përgjatë rrugës nga Irlanda në Kalkutë.

Axhenda e festimeve të Bashkisë

Bashkia e Tiranës publikon axhendën e aktiviteteve 5 ditore për Shenjtërimin e Nënë Terezës. Bashkia e Tiranës si promotorja e këtyre organizimve sëbashku me Ministria e Kultures kanë hartuar dhe një kalendar të ngjeshur aktivitetesh që nisin nesër dhe përfundojnë në datën 7 shtator.

Kulmi i këtyre aktiviteteve do të jetë në datën 4 shtator, kur edhe do të zhvillohet në Vatikan ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Ndërkaq, në prag të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku, qyteti i Tiranës do të dekorohet me flamuj kombëtarë, me simbolin bardh e blu të misionit të Nënë Terezës dhe me flamuj të Bashkisë së Tiranës.

Më poshtë axhenda e plotë:  

2 Shtator 2016, ora 10:00

Vizitë në shtëpinë e Motrave “Nënë Tereza”, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të nderojë misionin e Nënë Terezës me titullin “Nënë Tereza Simbol i Qytetit të Tiranës”

4 Shtator 2016, ora 09:15

Përurimi i pllakës përkujtimore te Sheshi “Nënë Tereza”.

ora 09:30

Koncert në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës (orks. TOB)

ora 10:00

Lidhje live me sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, për të ndjekur meshën e Papa Françeskut

6 Shtator 2016, ora 11:00

Pritja në zyrën e Kryetarit të Klerikëve dhe dhënia e simbolit të   Qytetit me portretin e Nënë Terezës

7 Shtator 2016, ora 19:00

Shfaqja e filmit dokumentar për Nënë Terezën te “Reja”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura