Artistët e “Operës”, në Muze për shfaqjet e para/ Koncerti me muzikë baroke si përshpirtje për viktimat e pandemisë

Oct 5, 2020 | 10:11
SHPËRNDAJE

Për publikun që ka etje ndaj performancave të kuruara të artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kjo fundjavë me muzikën baroke, erdhi si një “prijëse” e mirë.

shfaqje

Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar u bë skena e re e improvizuar dhe koncerti “Qengji i Zotit” (Agnus Dei), solli “një përshpirtje për të gjithë ata që nuk janë më”, pas betejës së humbur me COVID-19. Etrita Ibrahimi mbërtheu publikun përmes magjisë së Johan Sebastian Bah në klaviçembalo, ndërsa dy artistët, Dorina Selimaj dhe Bledar Domi, interpretuan pjesë korale nga Moxart dhe Vivaldi edhe arie nga Hendel.

Pas performancës, e bija artiste e kompozitorit Feim Ibrahimi, ndau për mediat, ndjesitë e këtij ritakimi me publikun, pas 7 muajsh që pandemia imponoi mbylljen për TKOB. “Shkëputja nga skena nuk është e mirë, qoftë nga ana artistike ashtu edhe ajo shpirtërore. Periudha prej shtatë muajsh karantinë ka qenë shumë e gjatë, prandaj ky rifillim i jetës artistike shënon emocione të mëdha.

Emocione që për mua janë të dyfishta pasi luajta në klaviçembalo dhe ky është instrumenti i dytë pas pianos, për të cilin kam studiuar”. Artistja, më tej, u ndal edhe tek mesazhi ngushëllues që ky koncert përçoi për viktimat e COVID-19. “Koncerti është zgjedhur si një lutje drejt Zotit për të na dhënë mundësi për një jetë më të mirë, edhe si një përshpirtje për këdo, që ka humbur jetën nga Covid-19 dhe familjarët e tyre, të cilët nuk kanë mundur që t’i përcjellin dot”, shton ajo.

EDHE ANSAMBLI NIS SEZONIN

Në pritje që “Opera” e restauruar të shënojë premierën, artistët e këtij institucioni për shfaqjet e para të këtij sezoni u zhvendosën në ambientet e Muzeut. Kështu, edhe Ansambli Popullor shënoi shfaqjen e parë “Në Gjurmët e të Parëve Tanë”. Një koncert i mbajtur në kuadër të Javës së Trashëgimisë Kulturore, ku performuan Orkestra, Grupi i Valleve dhe Kori i Ansamblit Popullor, si dhe solistët Iris Bega, Artan Shabani, dhe Aranit Hoxha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura