Arratisja e Hysen Tabakut: Si më mbajti 6 muaj Xhevdet Mustafa në SHBA

Sep 13, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Familja e Cen Tabakut ishte ndër të parat të shënjestruara nga regjimi komunist; florinjtë që kishin e që iu morën nuk ishin arsye e pakët. Babai i Cenit, një nga tregtarët më në zë të kohës, me gjithë kontributet financiare që i kishte bërë Enver Hoxhës, u arrestua. Ky ishte vendimi i dytë, sepse i pari ishte për ta pushkatuar. Fati që pati familja, fëmijët e tij, nuk ishte i ndryshëm nga ai i kreut të shtëpisë. Është një nga rastet e rralla në historinë e gjatë të komunizmit ku të gjithë anëtarët e një familjeje të madhe kanë qenë të burgosur; burrat e gratë!

Sulmet ishin të vazhdueshme, prandaj edhe Cen Tabaku e kishte vendosur të ardhmen e tij; nëse do t’ia arrinte të kalonte kufirin, do të arratisej. Një tentativë të dështuar e pati bërë, herën e dytë ishte i vendosur! Me ëndrrën për lirinë, ia doli! Mbërriti, së pari, në Jugosllavi, Itali e më pas, përfundimisht, në Amerikë. Pikërisht aty takoi edhe gruan e tij të dytë (e para kishte mbetur bashkë me fëmijët në Shqipëri) Gertën. Të dy kishin pasur të njëjtin fat, kishin ecur nëpër të njëjtat rrugë për të gjetur lirinë. Më mirë thënë, kishin notuar nëpër të njëjtin lumë.

Hysen dhe Gerta Tabaku
Hysen dhe Gerta Tabaku

Gerta, njësoj si Cen Tabaku, ishte arratisur duke u larguar përmes Bunës, vetëm se ajo, ndryshe nga i shoqi, marrëdhënia me të cilin sikur i ishte shkruar ende pa lindur, ishte vetëm tre vjeçe dhe e kapërceu kufirin në krahët e të atit… Cen dhe Greta Tabaku na e tregojnë vetë!

INTERVISTA ME HYSEN TABAKUN

Pse vendosët të arratiseshit nga Shqipëria? Në ç’kushte ishit ju dhe familja juaj?

Ideja për t’u arratisur kishte qenë tek unë prej kohësh. Isha i vendosur, sepse humba disa vite të rinisë sime në burg e më vinte keq që ta humbisja pjesën tjetër të jetës duke punuar në saldim apo, më keq akoma, përsëri në burg! Unë nuk kisha për t’u bërë profesor, por sidoqoftë nuk doja të rrija i izoluar. E shihja që kisha mundësi për të realizuar ëndrrën, për të qenë i lirë. Megjithatë, pavarësisht se ishte si ëndërr, vendimi erdhi spontan. Fola vetëm me nipin, Gerin, djalin e motrës, e i thashë se nuk doja të jetoja më në Shqipëri. I thashë se do ikja.

Nëna ka vuajtur shumë, pasi ne kemi qenë gjithë jetën në burg, babai ka bërë 15 vjet e 7 muaj burg, vëllai i vogël, Ylli, bëri 28 vjet, e unë kam bërë 7 vjet, vëllai i dytë, Engjëlli, ka bërë 5 vjet burg. E gjithë familja ime ka qenë në burgje dhe internim, e po t’i mbledhësh këto vite burgu e vuajtjeje, bëhet një shumë prej 109 vjet humbje lirie. Edhe nëna vetë vuajti 9 muaj burg. E torturuan dhe ia morën të gjithë florinjtë e na lanë pa para fare. U rritëm të varfër, s’kishim asgjë. Kur them asgjë, veç katër muret e bodrumit ku na përplasën. Madje nuk kishim as orë për t’u orientuar me kohën.

Në atë kohë që vendosët të arratiseshit, a kishit krijuar familje?

Po, kam qenë i martuar dhe kishim dy djem, Tonin dhe Endrin. Bashkëshortja punonte si korrektore letrare në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë.

A i kishit treguar bashkëshortes për arratisjen që kishit planifikuar?

Absolutisht jo, e dija që nuk do të ma aprovonte, ishte e kotë t’ia thosha!

Në çfarë viti u arratisët nga Shqipëria dhe si ia dolët të largoheshit pa u kapur?

Në nëntorin e vitit 1975 jam arratisur nga Shqipëria. Kishim bërë planin me hollësira, me nipin, (djalin e motrës, Geri Qesku), shkuam me tren dhe ndaluam në Laç. Nuk kishim biletë për Shkodër, se në atë kohë ishte një tmerr i madh prenotimi i një bilete autobusi nga Laçi në Shkodër. Nejse, gjetëm biletat. Kur zbritëm aty me nipin, kisha me vete librin e Enver Hoxhës, veprën e XVIII-të të mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit”, duke u përpjekur të tregohesha si komunist.

Pasi zbritëm, tepër gjakftohtë, ecëm nëpër mal dhe e bëmë rrugën për katër orë. Në fakt, ajo rrugë bëhej për më pak, por nipi ishte shumë i kujdesshëm dhe binte edhe një shi i tmerrshëm. Librin e Enver Hoxhës e futa poshtë një karroce, e cila ishte e përmbysur në një kanal poshtë rrugës. E lashë aty e thashë ‘ta gjejë kush të dojë të nesërmen’. Arritëm në kufi dhe aty shohim që kishte dalë lumi Buna jashtë shtratit, gjë e cila kishte bërë që e gjithë fusha përreth të ishte mbushur me ujë. Aty i them nipit: “I shikon ato dritat atje, ato janë reflektorët e kufirit, por këta të kufirit nuk mund të na gjejnë tani, se është shi e krijohet një perde mjegulle”.

Xhevdet Mustafa
Xhevdet Mustafa

Ç’ndodhi më pas?

Situata të papërshkrueshme; imagjinoni si është të udhëtosh në ujë të ftohtë akull natën bashkë me frikën se në çdo moment mund të kapesh! Ishte një situatë e tmerrshme që zgjati derisa mbërrita në Jugosllavi. Aty kam ndenjur 5 muaj. Tashmë si njeri i lirë, më dhanë azil politik jugosllavët, se u bindën dhe e pranuan që unë isha i arratisur dhe jo i dërguar nga Sigurimi i Shtetit. Ata kishin kanalet e tyre sekrete që kalonin në vrimë të gjilpërës këdo që kalonte kufirin dhe nuk mund t’ua hidhje kollaj. Motra që kisha në Jugosllavi që nga viti 1956, më doli garante dhe mbështetëse. Më pas ika përsëri, u arratisa për së dyti dhe dola në Itali.

Ndaluam një autobus dhe me një italishte të çalë i kërkuam të na çonte në kuesturë. Aty filloi një proces tjetër, na çuan edhe në një kamp aty në Trieste. Dokumentet tona na i shqyrtoi Komisioni i Gjenevës për të Drejtat e Njeriut. Kryesisht ishin italianë dhe amerikanë. Aty dola i njohur me një vajzë dhe me ca miq të tjerë. Shkova në Romë, se nuk doja të jetoja në kamp. Aty ishte një kishë që quhej “Kisha e përbotshme”, e ata më caktuan aty në punë me rrogë si emigrant politik. Po kështu më gjeten edhe apartament banimi dhe më pas unë fillova të punoja si saldator.

Çfarë ndodhi që u larguat edhe nga Italia për në Amerikë?

Në tetor të vitit 1977 fitova azilin politik dhe shkova në SHBA. Një mik i imi i ngushtë më dërgoi dokumentet e garancinë për të shkuar e për të jetuar në shtëpinë e tij. Emri i tij është shumë i njohur për shkak të aventurës që ai bëri në Shqipëri në shtatorin e vitit 1982. Xhevdet Mustafa quhej. Ai ka qenë një mik i ngushtë i imi dhe më ka ndihmuar shumë në atë kohë. Jetova për disa kohë te shtëpia e tij, ku ai kishte një servis të madh makinash dhe vetë punonte edhe si llamarinist. Aty punova nja 5-6 muaj dhe më pas u largova duke u rregulluar në shtëpinë time. Pastaj si të gjithë qytetarët amerikanë.

Ndërkaq, ju kishit lënë familjen në Shqipëri, gruan, fëmijët… A kishit më kontakt me ta?

Bashkëshortja dhe dy djemtë, natyrisht u trajtuan shumë keq nga regjimi, duke vuajtur deri për bukën e gojës. Gruan fillimisht e hoqën nga puna dhe ndër njerëzit që iu gjetën në atë kohë për ta ndihmuar ka qenë bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Sulejman Mato, të cilën ajo e kishte shoqe të ngushtë pune dhe jete. Komunikoja me letra me gruan dhe u dërgoja dollarë asaj dhe dy djemve, afërsisht një rrogë e vogël mujore, që për atë kohë nuk ishin pak. Kurrë nuk e harrova familjen në Shqipëri.

Në shtatorin e vitit 1990, kur gjërat kishin filluar të ndryshonin për mirë, i bëra garancinë djalit të madh, Tonit, dhe ai erdhi në SHBA. Tani ai jeton në Las Vegas dhe ka krijuar biznesin e tij e është mjaft mirë nga gjendja ekonomike. Ndërsa djali tjetër, Endri, ka ardhur në SHBA në vitin 1994. Edhe ai ka krijuar familjen e tij duke u martuar me një vajzë shqiptare, kanë dy fëmijë dhe janë shumë mirë nga gjendja ekonomike. Pra, unë dhe dy djemtë kemi ruajtur traditën e familjes dhe jemi martuar me gra shqiptare.

hysen dhe gerta tabaku 2

Që do të thotë se ju krijuat familje të re në Amerikë?

Edhe pse kishim shpresë se do të vinte një ditë që komunizmi në Shqipëri do të rrëzohej, përsëri ajo ditë na dukej e largët dhe nuk e mendonim se do të vinte aq shpejt, ashtu si erdhi. Në këto kushte, unë u martova përsëri në SHBA me një vajzë shqiptare dhe krijova familje të re. Gerta Qosja quhet bashkëshortja ime dhe kemi dy vajza, Sabrijen dhe Kimberlyn.

A kishte Gerta ndonjë histori të ngjashme me tuajën që ishte në ato vite në Amerikë?

Nëna e Gertës është durrsake. Edhe unë jam durrsak, se kam lindur në Durrës, edhe pse kam jetuar në Tiranë. Familja ime ka jetuar në Durrës për shumë kohë e kemi qenë komshinj me familjen e Gertës. Ndërsa babai im, Ramazan Tabaku, ka pasur marrëdhënie pune me babain e saj, Ramazan Qosen, si tregtarë dhe si komshinj gjithashtu.

Pra, paska qenë një histori e shkruar vite përpara lidhjes suaj!

Siç duket… Pasi u njohëm e rivendosëm kontaktet në Amerikë, e ëma e Gertës më ftoi të shkoja tek ata për darkë. Gerta erdhi më priti me një makinë sport, e veshur me një peliçe të bukur, dhe unë thashë: “Ç’qenka kjo italiane?”, se unë djalë i ri isha, e kisha qejfe të tjera. Kjo kaloi kështu një herë me makinë dhe u kthye duke ma bërë me dorë: “Ti?”. Aty u takuam dhe pas ca kohësh u martuam me të gjitha rregullat e zakonet shqiptare, pasi të dyja familjet tona kanë qenë të njohura që në Durrës në vitet e monarkisë së Zogut dhe e kanë vazhduar miqësinë mes tyre deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, kur ne na burgosën e na internuan.

INTERVISTA ME GERTEN

Gerta, si ka qenë historia e familjes suaj? Si përfunduat në Amerikë?

Familja e babës, Qosja, është familje tiranase, ndërsa nënën e kam durrsake. Babai bëri dy vjet e gjysmë burg, mbasi hyri komunizmi këtu (1945-1947), derisa tregoi se ku e kishte pasurinë dhe florinjtë, se ka qenë tregtar i pasur. Kur e liruan prej burgu, një prej oficerëve aty që e njihte i thotë se do ta vrisnin. Kështu, ai vendosi të arratisej. Donte ta merrte nënën me vete, por ajo nuk ikte pa fëmijët, mua dhe motrën time më të vogël. Ajo ishte 8-muajshe, ndërsa unë 3 vjeçe. Babai vendosi më në fund të më merrte mua, por jo motrën.

Është arratisur me një fëmijë 3 vjeç! Si, ku, në ç’rrethana? Nuk është fare situatë e zakonshme…

Në vitin 1950, nga liqeni i Shkodrës për në Jugosllavi. Aty kemi ndenjur gati një vit në Sarajevë, në një kamp refugjatesh. Nga aty, kemi shkuar në Trieste, në Itali, prapë në kamp e më pas u vendosëm në Romë, ku ndenjëm 6 vjet e gjysmë, duke pritur që të hapej Shqipëria e të ktheheshim mbrapsht.

Gerta Tabaku
Gerta Tabaku

Të rrëzohej komunizmi?!

Po! Ne prisnim edhe 6 muaj, edhe 6 muaj…, se kaq mbaj mend si fëmijë. Sepse vinin lajme se edhe 6 muaj do të qëndrojnë komunistët në pushtet. Këto ishin shpresat që ndiente familja jonë nga bisedat me miqtë, se në Romë ne kishim miqësi me shumë shqiptarë që ishin arratisur dhe të gjithë ushqenin këto shpresa. Kështu, pritëm 6 vjet e gjysmë dhe nuk u hapën rrugët, e në atë kohë na erdhi garancia për në Amerikë. Në vitin 1956 shkuam në SHBA, si emigrantë politikë. Unë isha 9 vjeçe. Avioni me të cilin shkuam për në SHBA ishte i vogël e i mbushur vetëm me shqiptarë, emigrantë si ne.

Kush ishin të tjerët?

Ka qenë Ramazan Turdiu, Sali Toptani, me të cilin kemi pasur miqësi gjithmonë, Vasil Antoni, që ishte me Ballin Kombëtar, e shumë të tjerë që i njihnin prindërit, se unë isha e vogël. Fillimisht u vendosën në Nju Xhersi dhe aty filluan të punonin prindërit. Babai punonte natën, nëna ditën e kështu takoheshin kalimthi me njëri– tjetrin. Unë fillova shkollën. Kemi bërë një jetë të rehatshme atje, megjithëse kemi ndihmuar gjithmonë njerëzit në Shqipëri, se nisur nga skamja e madhe që mbretëronte asokohe këtu, ne gjithmonë dërgonim pako mbas pakoje.

Po me motrën që ngeli në Shqipëri, çfarë ndodhi?

Motra ngeli me gjyshen e me xhajat e hallat, se ishin shumë njerëz në shtëpi këta nga babai. Në vitin 1990 e kemi marrë në Amerikë, atë e shumë të tjerë të familjes.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura