“Armët dhe çunat” libri për Gërdecin, Diveroli: Takimet me Pinarin dhe Trebickën

Jul 6, 2015 | 22:23
SHPËRNDAJE

Kush mund ta mendonte se fati i luftimeve në Afganistan, fati i miliona njerëzve, madje vetë Pentagoni të varej nga tre 20-vjeçarë: një djalë që kishte braktisur shkollën, një masazhator dhe një tregtar tenxheresh. Ata do të renditeshin ndër tregtarët më të mëdhenj të armëve në botë.

EFRAIM DIVEROLI

Kjo, sepse ata arrinin ta bënin të pamundurën të mundur. Kështu ndodhi të vinin deri në Shqipëri. Fatkeqësisht, emri i tyre lidhet me një nga tragjeditë më të mëdha të viteve të fundit: Gërdecin, ku humbën jetën 26 persona. “Armët dhe Çunat: Si u bënë tre drogamanë nga Majami Biç trafikantët më të pazakontë në histori”, kështu titullohet libri që del sot në libraritë e Tiranës nga shtëpia botuese “OMSCA 1”.

Një libër i konsideruar i pazakontë, i shkruar nga gazetari investigativ i “New York Times”, Guy Lawson, i cili rrëfen historinë e jashtëzakonshme të tre të rinjve: Efraim Diveroli, David Packouz-i dhe Aleks Podrizki, që do të arrinin të fitonin miliona dollarë falë kontratave të fuqishme për furnizimin me armë të vatrave të luftës në Lindje.

Një libër, best-seller në llojin e vet, që ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe medias botërore. Merita e gazetarit amerikan qëndron në faktin që ai mbledh të gjitha copëzat e pazëllit dhe ajo histori e dëgjuar fragmentare përmes mediave, tashmë vjen e plotë. Lawson tregon ngjarjen në mënyrë kronologjike për ngritjen dhe rënien e “çunave” të trafikut, duke rrëfyer ngjarje dhe situata nga më të pabesueshmet.

Kopertina e librit

Por Lawson citon vetë protagonistët, duke zbuluar se historia është shumë më e thellë nga ç’mendohej. Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në libër. Janë kapituj të veçantë, që autori ka preferuar t’i shkruajë në shqip edhe në variantin e botuar në anglisht, si për të treguar që këto ngjarje apo koncepte janë ekskluzivisht shqiptare. Bëhet fjalë për kapituj si “Gegh”, “Gjakmarrja”, “Gërdec” dhe “Korrupsioni”.

Në këta kapituj ai na tregon se si u lidhën trafikantët hebreo-amerikanë të “zbulonin” Shqipërinë. Ai tregon për takime, persona e vende konkrete. Emra, aq të dëgjuar gjatë çështjes “Gërdeci”, parakalojnë përpara lexuesit, si Kosta Trebicka, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, por edhe zyrtarë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën kur ndodhi ngjarja.

ADOLESHENTI TRAFIKANT
Efraim Diveroli ishte 14 vjeç kur e përjashtuan nga shkolla në Majami dhe e dërguan të jetonte me dajën e vet në Los Anxhelos, një tregtar vendës armësh. Diveroli ishte një student yeshiva – por bënte pjesë në tufën e fëmijëve hebrenj që tymosnin marijuanë në breg. Plani ishte që xhaxhai ta shkollonte atë mbi rregullat strikte fetare, por i riu Diverol ishte më tepër i interesuar për tregtinë e armëve. Rreth të 16-ve ai ishte një shitës i pasionuar shëtitës i “Glocks and Sig Sauers”. Pastaj ai ndeshi në FedBizOpps, uebsajtin federal për kontratat e armëve.

Diveroli këmbënguli me kokëfortësi për të marrë një pjesë në këtë aksion. Pasi u zu me të ungjin, ai u kthye në Majami dhe themeloi kompaninë AEY, një kompani e dedikuar kontratave të mbrojtjes. Ai u lidh me një tregtar mormon për financime dhe me një tregtar batakçi armësh zviceran që kishte akses në municionet stoqe nëpër Ballkan, e më pas filloi të lidhte kontrata për të dërguar municione në Irak. Më 2004 ai bëri mbi një milion dollarë me këtë biznes.

Më 2005 shifrat kërcyen deri në 7.2 milionë USD. Atë vit, ai rekrutoi shokun e vet të vjetër yeshiva David Packouzin: vitet kur dikur kishin studiuar Talmudin rezultuan të dobishme në deshifrimin e kontratave të mbrojtjes – si zëvendëspresident i kompanisë. Masazhatorit iu morën mendtë, kur Diveroli i rrëfeu se kishte 1.8 milion dollarë kesh në bankë. Ambicia e Packouz-it ishte të plotësonte ëndrrën e vet për t’u bërë një yll rroku. Përfytyroni tre djelmosha njëzetediçkavjeçarë pa përvojë dhe një kontratë 300 milionëdollarëshe për armët me ushtrinë amerikane…

TREGTIA
Më 2006, kur Shtetet e Bashkuara morën në kontroll operacionet ushtarake në Afganistan, nevoja për municione ishte e madhe. Të furnizoje forcat e sigurisë afgane ishte një sfidë, sepse armët e tyre ishin të bllokut të vjetër sovjetik, tipi AK-47. Lufta në Irak kishte ngrënë rezerva të mëdha municionesh dhe stili afgan i të shtënave të shpejta, kërkonte një numër jashtëzakonisht të madh municionesh. Rusia dhe Kina kishin rezerva masive dhe ishin të etura që t’i shisnin, por politika administrative e Bushit e bëri të paligjshme këtë lloj tregtie.

Kosta Trebicka

Kërkesa me qëllim armatosjen e ushtrisë afgane ishte për rreth 100 milionë dollarë, ku do të përfshiheshin fishekë për AK-47, miliona fishekë për pushkë snajper SVD Dragunov, raketa të aviacionit, por edhe shumë armatime të tjera.. Në vend të blerjes së armëve me cilësi të lartë, djemtë blenë një mal me armë të lira e shekullore të stilit komunist, municione të mbetura nga kontrabandistët e Ballkanit, duke përfshirë rreth 100 milionë fishekë AK-47 që i morën nga banditë të korruptuar shqiptarë. Municionet ishin prodhuar në Kinë më 1950-n dhe 1960-n dhe ishin ruajtur për dhjetëvjetësha në shpella në Shqipëri.

Çifti e dinte se për shkak të një embargoje, ishte ilegale t’i shisje Pentagonit armë të bëra në Kinë. Për të mashtruar ushtrinë amerikane, Diveroli dhe Packouzi, fshehurazi, ripaketuan në kuti kartoni municionin e dobët kinez dhe e dërguan në Kabul. Ata fituan miliona, derisa u kapën nga hetuesit e Pentagonit dhe skandali u zbulua në faqen e parë të “New York Times”. Diveroli u dënua me katër vjet burg më 4 janar 2011, kurse dy trafikantët e tjerë u lanë në arrest shtëpie për disa muaj.

NGA LIBRI

Duke dalë jashtë restorantit, Packouz-i vuri dorën përpara aparatit celular, që të mos dëgjohej nga të tjerët.
– I thuaj KGB-së kirgize se municioni duhet të niset për në Afganistan pa asnjë vonesë, – i bërtiti bashkëfolësit.
– Kjo kontratë është pjesë e një misioni me rëndësi jetike për luftën globale kundër terrorizmit. I thuaj se, po ta kruajnë me ne, janë duke e kruar me qeverinë e Shteteve të Bashkuara! Packouz-i e mbylli celularin dhe, i trembur, vendosi se duhej të fliste me Efraim Diverolin, i cili udhëhiqte grupin. Diveroli po flinte në hotelin që kishte zënë në Tiranë, kur i telefonoi Packouz-i. Ende i trullosur nga orgjia e një nate më parë,
Diveroli po flinte përkrah një prostitute që ia kishte gjetur një biznesmen shqiptar, me shpresën se do t’i bashkëngjitej kontrabandistit amerikan.
– Kemi një urgjencë, – foli Packouz-i.
– Or mik, unë po fle, – iu përgjigj Diveroli.
– Avioni ynë është bllokuar në Kirgizi, – vazhdoi Packouz-i.
– Avioni ynë është bllokuar? – ia ktheu Diveroli. – Ç’dreqin po thua?!
– Municioni hungarez. Zbulimi kirgiz thotë se nuk kemi dokumentet e duhura për të kaluar tranzit në vendin e tyre. Thonë se do të gjobitemi me treqind mijë dollarë për çdo ditë qëndrimi atje.
Tani Diveroli u bë plotësisht esëll.
– Treqind mijë dollarë në ditë? – përsëriti duke thirrur me sa kishte në kokë. – Kjo është çmenduri! Ç’dreqin po ndodh? Thuaju që ky është një mision jetësor në luftën kundër terrorizmit. Thuaju se, po ta kruajnë me ne, janë duke e kruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
– Po, po, ua thashë. Kur të gdhihet atje, do t’i telefonoj ambasadës amerikane.
– Duhet t’i japësh zgjidhje kësaj pune. Nuk mund ta përballojmë një gjë të tillë. Një dreq gjëje të tillë. Telefonoji Departamentit të Shtetit, telefonoji Pentagonit, telefonoju të gjithëve ku të shkon mendja. Shko në Kirgizi dhe bëji një dorë ata gangsterët, po të jetë nevoja. Bëj çfarëdo që duhet për ta zgjidhur
këtë punë. Gjithçka që duhet, po të them.
– Atë po bëj, – u përgjigj Packouz-i.
– Ti e kupton, unë s’të ndihmoj dot që këtej. Kam mjaft andralla këtu me këtë dreq mafien shqiptare.
Diveroli tha se, kur të mbërrinte në Tiranë, Podrizki duhej të inspektonte municionin për t’u siguruar që të ishte i përdorshëm pa kualifikim. I shpjegoi se fjalia donte të thoshte se fishekët duhej të shkrepnin: të bënin “bam!”, dhe të dilnin nga tyta e armës. Podrizki kishte përvojë me armët, prandaj ishte i sigurt se mund të bënte një provë bazë të shkrepjes.
– Mos i thuaj njeriu se je tregtar armatimesh, – e këshilloi Diveroli.
– Thuaj se importon makineri të rënda. Kur njerëzit dëgjojnë se bëhet fjalë për armë, gjërat ndërlikohen. Për ta mbyllur, ia kaluan me radhë pipën njëri-tjetrit, dhe kthyen nga një gotë tekila. Më 17 prill 2007, mbërriti në Tiranë Aleks Podrizki symjegulluar. Gjëja e parë që mësoi, ishte se në Shqipëri asgjë nuk shkonte siç duhej. Duke çarë mes turmës që shtyhej në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, zuri një taksi dhe i tregoi shoferit adresën e hotelit me dy yje ku kishte porositur dhomë.

Taksisti bëri po me kokë dhe u nisën. Pas pak minutash taksia mori kthesën drejt një vendi që dukej si fshat. Taksia ndaloi. Podrizki vështroi përreth i hutuar, ndërsa taksisti këmbëngulte se e kishte sjellë aty ku kishte kërkuar, në qendër të Tiranës. Pasi i dha pagesën për të cilën ishin marrë vesh, Podrizki doli nga taksia duke ngurruar e duke thënë se e kishin sjellë jo në vendin e duhur. Taksisti u shtir sikur nuk kuptonte dhe u avullua bashkë me pagesën që futi në dorë e duke e lënë Podrizkin si hu mes të një reje pluhuri në një vend që dukej si askund, me një tufë pulash që silleshin përqark në rrugën e pistë e me ca plaka të veshura në të zeza që e vështronin me sy dyshimtarë.

Më në fund, pasi mori një taksi tjetër, Podrizki mbërriti pasdite në Tiranë dhe arriti të takonte Ylli Pinarin, zyrtarin shqiptar të ngarkuar me shitjen e municionit. Pinari ishte trupmbushur, i shkurtër, me mjekër të parruar dhe i veshur me një kostum bojëkaf të shpëlarë. MEIKO quhej si ndërmarrje tregtare e pavarur, por ishte në të vërtetë vegël e qeverisë, dhe zyra e Pinarit gjendej në Ministrinë e Mbrojtjes. Pritja e përzemërt e Pinarit e habiti Podrizkin, po të mendoje natyrën e punës që bënte zyrtari shqiptar. Pinari fliste një anglishte të përsosur, diçka kjo e pazakontë për klasën sunduese shqiptare.

Ylli Pinari

Kishte edhe një grin-kard nga koha kur kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara, dhe, si shumica e shqiptarëve, ishte proamerikan i flaktë. Podrizki hapi çështjen e ngarkesës së parë prej 2 milionë copësh të fishekëve AK-47.

– Kur do të filloni nisjen e ngarkesave?
– Nuk është aq e thjeshtë, – u përgjigj Pinari.
– Duhet miratimi i ministrit të Mbrojtjes dhe i zyrtarëve të aeroportit. Le të shkojmë t’i hedhim një sy municionit. Ushtarët shqiptarë që shoqëronin Podrizkin, i hapnin bravat e kutive me sëpata dhe pinin cigare në një vend ku rrethoheshin nga tonë të tërë materialesh shpërthyese, mungesë e theksuar kjo e kujdesit.

Qeshnin kur Podrizki ankohej i trembur: Shiko, shiko, teveqeli amerikan, mendoi ai se thoshin për të. Por tashmë s’kishte më asnjë dyshim: përfundimisht, municioni ishte “kinez”. Podrizki fotografoi me kujdes, siç e kishte porositur Packouzi: arkat, kutitë, kartelat brenda kutive.

Pastaj i provoi përsëri fishekët duke bërë qitje. Për të, e gjithë kjo zhurmë rreth origjinës së municionit ishte e kotë. Po punonte për AEY-në e po bënte ç’mundej për të zbatuar udhëzimet që kishte marrë, por besonte se kishte një detyrë më të madhe për të përmbushur: ndaj përpjekjeve që bënte vendi i tij në luftën e Afganistanit dhe ndaj ushtarëve që shkonin në beteja pa municionin e mjaftueshëm për armët e tyre.


Fishekët qenë në gjendje shumë të mirë, pavarësisht nga vendi i origjinës. “E vetmja pikë për të cilën interesohesha, ishte cilësia, – kujtonte Podrizki.
– E vetmja gjë së cilës i kushtoja vëmendje ishte: me çfarë fishekësh do t’i mbushnin armët e tyre ushtarët që niseshin për në luftë? Shqetësohesha vetëm që fishekët të qenë në gjendje pune. Isha stërvitur si ushtar. Doja të sigurohesha që municioni mund të përdorej pa probleme për të luftuar talibanët.” Podrizki i telefonoi AEY-së në Majami. Këtë herë foli me Diverolin.

“Diveroli më tha se në skenarin më të keq kjo do të përbënte një çështje civile, jo penale, – kujtonte Podrizki. – Më tha se kishte angazhuar juristë që po e shqyrtonin çështjen. Tha se municioni ishte blerë prej shqiptarëve para se të vendosej embargoja, prandaj ligji nuk mund të kishte pasoja parashkruese. Tha se armatimet nuk do të bliheshin nga një kompani kineze dhe se nuk do të ishte Kina ajo që do të përfitonte nga kontrata. Se embargoja zbatohej vetëm për lloje të caktuara armatimesh.

Kishte për qëllim të parandalonte kalimin e teknologjisë në Kinë, dhe jo blerjen e fishekëve të vjetër nga Shqipëria. Tha një varg të tërë shpjegimesh që dukeshin të arsyeshme. E dija se Efraimi dhe Davidi do të fitonin para të madhe nga kontrata, prandaj do të bënin ç’ishte e mundur për ta përmbushur atë.” Diveroli donte të dinte sa fishekë të prodhuar në Shqipëri kishte në tunele në krahasim me ata të prodhimit kinez. E udhëzoi Podrizkin të takonte menjëherë Pinarin.

Plani ishte që të plotësohej ngarkesa e parë me dy milionë fishekë shqiptarë, që të fitonin kohë për të gjetur municion nga ndonjë burim tjetër. Ndërsa bisedonin, Packouz-i po kontrollonte për të gjetur kompani në Hungari e në Bullgari. Edhe vende të tjera kishin rezerva municionesh, dhe çmimi ishte konkurrues. Por puna ishte te koha. Vonesat e mëparshme e kishin vënë AEY-në në shënjestër të vëmendjes. Marrja e miratimeve dhe e faturave fundore kërkonte kohën e saj. Kishin humbur javë të çmuara dhe stina e luftimeve qe në kulmin e saj në Luginën Korangal e në pika të tjera të nxehta të Afganistanit. AEY-ja duhej të vepronte me shpejtësi.

Në Tiranë, Podrizki i paraqiti Pinarit planin e ri. – Mendojmë se municioni kinez nuk do të na shërbejë, – i tha. – Duhet të na shisni municion të prodhimit shqiptar. – E pamundur, – qe përgjigjja e Pinarit. – Shumica e municionit që ndodhet pranë aeroportit, është kinez. Municioni i prodhimit shqiptar është i shpërhapur në krejt vendin. Dhe nuk ka sasi të tillë që të plotësojë porosinë. Është shumë e vështirë dhe e kushtueshme që ta sjellësh të gjithë në Tiranë. Podrizkit kjo përligjje iu duk e çalë, dhe në të vërtetë e tillë ishte. MEIKO kishte fishekë të prodhimit shqiptar për të plotësuar kërkesën e AEY-së, por ata kishin veshje bakri dhe jo veshjen e lirë që kompania shqiptare donte t’i shiste AEY-së. Kurse fishekët me veshje bakri po ia shiste një tjetër kompanie amerikane për skrap.

Podrizki mendonte se Pinari po tregohej i pandershëm me të, por si mund ta detyronte një zyrtar të lartë shqiptar që të vepronte siç dëshironte ai, ose që t’i thoshte të vërtetën? Në fillim të majit 2007 Aleks Podrizki u takua me biznesmenin shqiptar Kosta Trebicka në kafenenë “Illy” në Tiranë, një lokal i ri e luksoz në rrugën “Pandi Dardha”. Ish-jurist që qe shndërruar në sipërmarrës të suksesshëm, Trebicka po i afrohej të pesëdhjetave. Vite më parë kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara, në Sirakuzë të Nju-Jorkut, bashkë me gruan e tij të parë e me të bijën.

Fliste lirshëm anglisht dhe e mbante veten për njohës të amerikanëve. Kishte shërbyer edhe në ushtrinë shqiptare, ku kishte arritur gradën e majorit, dhe kishte bërë para jo të vogël nga shitja e pasurive shtetërore pas rënies së komunizmit. Trebicka dëgjoi me vëmendje, ndërsa Podrizki i shpjegoi se kishte nevojë për tetëdhjetë mijë kuti, që të ripaketonte 100 milionë fishekë AK-47. Podrizki shpjegoi se platformat e drunjta ku qe vendosur municioni, ishin shumë të rënda për t’u transportuar me avion.

Çmimet e karburantit e kishin bërë këtë lloj transporti jashtëzakonisht të shtrenjtë. Duke përdorur kuti kartoni dhe platforma më të lehta do të kurseheshin shuma jo të vogla nga transporti. Ushtria e SHBA-së e kishte miratuar planin, shtoi. Pastaj pyeti nëse Trebicka ishte i interesuar të realizonte punën për ripaketimin, përveçse të gjente kutitë. Trebicka tha po. Gjetja e dikujt në Shqipëri që të bënte një punë të tillë, ishte dukur si jashtëzakonisht e vështirë, por Trebicka premtoi që t’i zgjidhte pa humbur kohë të dyja problemet e AEY-së.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura