Arena e Gjenevës pret 135 artistë shqiptarë, i ftuar tenori Saimir Pirgu

Nov 1, 2012 | 14:47
SHPËRNDAJE
Saimir Pirgu në një nga interpretimet e tij të fundit tek “I Capuleti e i Montecchi” të Belinit

Një Arenën e Gjenevës, përpara një spektatori prej 6 mijë vetash do të prezantohet krijimtaria më e mirë e muzikës shqiptare. Më datë 4 nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me ftesën e komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, do të organizohet një koncert i përmasave të mëdha, ku do të marrin pjesë rreth 135 artistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe gjithë trevave shqiptare. Të ftuar specialë të këtij koncerti do të jenë tenori Saimir Pirgu, i cili vjen enkas për këtë ngjarje dhe ai amerikan Roy Stivens, që interpreton rolin e Skënderbeut në operën “Skënderbeu”. Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, maestro Zhani Ciko, nën drejtimin e të cilit zhvillohet ky koncert, “programi është hartuar në mënyrë të tillë, që të çojë në atë skenë vlerat më të mira të muzikës shqiptare”. Sipas tij, pjesa e parë e koncertit do të ketë karakter më akademik. Do të fillojë me simbolin e shtetit shqiptar, që është Himni i flamurit, për
të vijuar me vepra festive, që i bëjnë jehonë ngjarjes së pavarësisë, si “Uvertura festive”, “Agimet shqiptare”, do të ekzekutohet dokumenti i parë i muzikës serioze shqiptare, që i përket vitit 1881, “Bashkimi i Shqipnis”, fantazi nga Palok Kurti, luajtur për herë të parë këtë vit në TKOB. Një vend të rëndësishëm do të zënë krijimet më të bukura të kompozitorëve shqiptarë, nga Shqipëria e Kosova, si Kristo Kono, Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Rauf Dhomi, Gjon Simoni etj. Pjesë e programit do të jetë edhe një pjesë korale, e titulluar “Botës i përkas”, me muzikë nga Gjon Simoni, mbështetur në fjalët e Nënë Terezës.
Sipas Cikos, një nënndarje e veçantë e koncertit lidhet me integrimin e hershëm në muzikën botërore, siç është aria e Skënderbeut nga opera “Skanderbeg” e Vivaldit, e interpretuar për herë të parë në vitin 1718 në Firence dhe, pas tre shekujsh, më 18 nëntor, do të ngjitet në skenën e Tiranës. Bëhet fjalë për arien “Me palma e blerime më ftojnë drejt lavdisë”. Në këtë vazhdë do të shkëputet edhe një arie nga opera që e përmend Shqipërinë, bëhet fjalë për “Cosi fan tutte” nga Moxart, prej së cilës është shkëputur aria “Un aria amorosa” dhe finalja e operës. Vend të rëndësishëm do të ketë edhe një fragment nga opera “Skënderbeu” e Prenk Jakovës: “Lirinë nuk ua solla unë” dhe finalja e operës. Për të përshëndetur vendin pritës, do të luhet uvertura “Vilhelm Tel”. Koncerti do të mbyllet me “Dua me shumë Shqipërinë”, e cila do të interpretohet nga Saimir Pirgu dhe gjithë artistët pjesëmarrës. Sipas Cikos, në këtë koncert do të marrin pjesë solistët më të mirë të TKOB, si Mariana Leka, Ylber Gjini, Eva Golemi, Vikena Kamenica, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, Armand Likaj etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura