Ardian Marashi: Kartoteka e leksikut, drejt shkatërrimit

Apr 19, 2011 | 10:34
SHPËRNDAJE
Ardian Marashi, drejtori i QSA-së

Duket gati e pabesueshme. Thesari gjuhësor ruhet atje, në ata sirtarë të mbufatur nga lagështira. Janë me fat ato që ndodhen nëpër dollapë.Të tjerat ndodhen një mbi një, gati deri në tavan, të tjera shtrihen në tokë… Lagështira ka vizatuar harta në mur dhe kartelat duket se rënkojnë nën peshën e harresës. Janë zverdhur, përthyer… Shumë janë fshirë nga përdorimi. Dhe ishin me shkrimet e Çabejt, Rizës… Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë e ka gjetur në lëngatë një pjesë të trashëgimisë kulturore. Pasuri të tëra, të ruajtura në kushte të papërshtatshme, ndërtesa të parikonstruktuara qysh prej 45 vjetësh, objekte që vlerësohen ende me qindarka dhe, më e rënda, pasuri ende të ruajtura nëpër regjistra të shkruara me dorë. Tek këto të fundit hyn dhe pasuria leksikologjike shqiptare. Kartoteka e leksikografisë, e cila ruhet në ambientet e Institutit të Gjuhësisë, vazhdon të jetë si ato të kohës së diktaturës, të shkruara në skeda kartoni. Nuk bëhet fjalë për informatizim, ndërsa koha, por dhe përdorimi ka filluar t’i shuajë. Drejtori i Qendrës Studimore Albanologjike, Ardian Marashi, tregon gjendjen e arkivave që qendra ka në varësi dhe ndërhyrjet emergjente për t’i shpëtuar.
Si i gjen Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë arkivat e QSA-së?
Qendra e Studimeve Albanologjike ka trashëguar një arkiv të pasur nga ish-institutet, si ai i Folklorit, i Gjuhësisë dhe Letërsisë, i Arkeologjisë dhe Historisë. Çështja është që këto fonde arkivore janë trajtuar më shumë si inventarë, që kanë shërbyer vetëm për punonjësit shkencorë të instituteve, pra në një mënyrë të mbyllur dhe krahasuar me parametrat bashkëkohorë, janë të vendosur në ambiente dhe kushte aspak optimale. Kjo është arsyeja pse Qendra ka përgatitur disa projekte, ku më urgjenti është dixhitalizimi i tyre, që jo vetëm punonjësit shkencorë, por e gjithë shoqëria shqiptare të ketë një vizion të qartë mbi këtë pasuri, ç’përbërës ka, çfarë tipologjish dhe çfarë vlerash të paçmueshme ka. Kjo mund të arrihet vetëm përmes informatizimit, sepse bëhet fjalë për arkiva dhe nuk mund të vizitohen si të ishin një muze.
Pak më lart përmendët ambientet ku ruhen këto arkiva. Si paraqitet gjendja e tyre?

Kartoteka e leksikut në Institutin e Gjuhësisë

Është me urgjencë shpëtimi nga degradimi i mëtejshëm, sepse fondet ndodhen në të njëjtat ambiente të parikonstruktuara prej 45 vitesh. Kështu që informatizimi është rruga e shpëtimit, ndërkohë që ne paralelisht do të ndërmarrim projekte restauruese. Aktualisht problemi më i madh është shumësia e vendeve ku ndodhen këto fonde. Ato nuk janë në një vend të vetëm dhe është e pamundur që të sigurohen për të gjitha ambientet, kushtet optimale të konservimit, kontrolli dhe matja e temperaturës, lagështirës, thatësirës së ajrit dhe të tjera parametra që janë të domosdoshëm për ekzistencën e një arkivi. Pra është problemi i kalimit të arkivave nga një magazinim, në një arkivim të mirëfilltë.
Ku kërkohet ndërhyrja urgjente?
Nevojën më urgjente për restaurim e kanë ambientet e Etnografisë, pasi rreziku tek ato është më i pranishëm për shkak të materialeve. Ai fond është i shumëllojshëm, i tipologjive të ndryshme. Ka materiale tekstili, hekuri, ari, argjendi, druri, kashte të cilat kërkojnë kontroll të vazhdueshëm dhe kushte maksimale ruajtjeje dhe konservimi. Janë bërë të gjitha përpjekjet nga ana e konservuesve dhe restauruesve, por duke ditur realisht se cilat duhet të jenë kushtet e nevojshme për ekzistencën e një arkivi të mirëfilltë, është e domosdoshme ndërhyrja për përmirësimin e ambienteve dhe detyrimisht, në një hap jo shumë të vonë, parashikohet bashkimi në të njëjtin vend të këtyre arkivave, të cilat ndodhen të shpërndara nëpër institute në Tiranë.
Ndonëse përmban thesarin e gjuhës shqipe, arkivi gjuhësor ende nuk është informatizuar. Ç’do të bëhet në këtë drejtim?
Çështja e kartotekës së leksikut të shqipes është një çështje më vete. Kjo kartotekë përmban rreth 5,5 milionë skeda të shkruara dhe gjatë gjithë ekzistencës së Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, punonjësit shkencorë kanë punuar me skedarin dhe, mbi bazën e tij, janë bërë Fjalori i Gjuhës Shqipe i ‘81-shit, pastaj i 2006-s dhe po punohet për fjalorë të tjerë. Pa këtë skedar, ne nuk mund të arrijmë dot atë që vendet e qytetëruara kanë arritur, atë që quhet “thesarusi” i gjuhës, ku përfshihen të gjitha unitetet leksikore që përmban një gjuhë me frazeologjinë që ka dhe që është një bazë e domosdoshme për një punë të tillë, që edhe nëse nuk fillon sot, do të fillojë dikur.
Por kur kjo të ndodhë, nuk do të kemi fondet, sepse fondet e kartotekës do të jenë degraduar. Një pjesë e skedave ruhen mirë, të tjera kanë filluar të degradohen, por ka edhe nga ato që janë degraduar tërësisht dhe janë bërë të palexueshme. E rëndësishme është që të mos arrijmë te kjo e fundit, kur skedat të jenë bërë të palexueshme.
Do të jetë një operacion i shpejtë. Kur mund të përfundojë?
Shfletimi i 5,5 milionë skedave nuk mund të bëhet as brenda ditës dhe as brenda muajit. Problematika haset në moment kur ty të duhet diçka. Për hartimin e projektit ne kemi punuar me lote, kemi tërhequr pa përzgjedhje një grup skedash dhe kemi parë gjendjen e tyre. Me një impenjim financiar jo shumë të madh mund të arrihet që brenda vitit të shpëtohet e gjithë kartoteka e leksikut të gjuhës shqipe dhe të vihet në funksion të leksikologëve dhe përdoruesve.
Një nga problemet e ngritura vazhdimisht është ai i rivlerësimit monetar të objekteve të trashëgimisë materiale. Ç’është bërë deri tani?
Rivlerësimi i objekteve të trashëgimisë materiale, kryesisht ato të etnografisë dhe arkeologjisë, është një domosdoshmëri. Ka disa vite që është kërkuar rivlerësimi monetar i këtyre objekteve, por pa arritur asgjë. Qysh në muajt e parë të krijimit tonë, pra në vitin 2008, e kemi kërkuar përmes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Punës dhe Çështjeve Sociale ngritjen e një komisioni të përbashkët për rivlerësimin monetar të këtyre objekteve, sepse vlera reale e tyre nuk është ajo që figuron në regjistra, të cilat i përkasin periudhës së para viteve ’90. Duke dalë nga izolimi në këtë botë globale, ne duhet të futemi në të dhe me garancinë që kjo botë nuk na gllabëron. Një nga këto garanci është edhe përcaktimi i saktë i vlerës së këtyre objekteve. Besoj se kjo punë do të kryhet.
Pse është vonuar kaq kohë?
Ka qenë vetëm një aspekt administrativ mbi përbërjen e komisionit, por kjo mund të kalohet, sepse në momentin që ministritë do të dalin në përfundimin se nuk kemi specialistë për ta bërë këtë rivlerësim, edhe pse ne mendojmë që i kemi këta specialistë, atëherë mund t’i marrim nga jashtë, në bazë të ankandeve të ndryshme që zhvillohen, ndërkohë që nuk mungojnë agjencitë, studiot e firmat që mund ta bëjnë fare mirë një gjë të tillë.
Dy vjet më parë u informatizua fondi audioviziv. Çfarë ndodh me atë filmik të ish-Institutit të Folklorit?
Tek ish-Instituti i Folklorit ka fonde të pasura të audiotekës dhe videotekës. Fondi i audiotekës përmban të gjitha regjistrimet e bëra nga punonjësit e Institutit, që lidhen me krijimet popullore, këngët, instrumentet, muzika, intervista me specialistë, apo njerëz të thjeshtë, kurse filmoteka përmban të gjitha regjistrimet dhe pararegjistrimet filmike të bëra nëpër festivalet kombëtare, realizuar nga ish-Instituti i Folklorit. Është bërë një hap shumë pozitiv në drejtim të audiotekës, e cila është informatizuar në bashkëpunim me Akademinë Austriake të Shkencave, ndërkohë jemi në tratativa me Arkivin Qendror të Filmit, i cili mundet të informatizojë filmotekën e ish-Institutit të Folklorit.
Ndërkaq, cili është fati i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, a iu gjet një çati?
Është krijuar hapësira në Institutin e Monumenteve të Kulturës, në Kinostudio. Është një hapësirë prej një mijë metrash katrorë, e cila është jo vetëm e mjaftueshme për vendosjen e laboratorit, por edhe për zgjerimin e tij. Momentalisht ai ka një hapësirë prej 325 m2, pra ka vend për Laboratorin e Arkeometrisë dhe për atë të IMK-së, të cilët, duke u bërë bashkë, mund të krijojnë Qendrën Kombëtare të Restaurimit.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura