Anëtarësimi i Kosovës në INTOSAI, një sukses edhe për KLSH-në

Oct 10, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

REDI AMETLLARI*

Nga-Redi-Ametllari-570x410

Nga komuniteti ndërkombëtar i auditimit ia behu një lajm që shumëkush me të drejtë mund ta priste nga një front tjetër, si p.sh UNESCO. Bordi Drejtues i INTOSAI-t, në datën 24 shtator, miratoi me shumicë votash pranimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA), anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), një nga paradhomat e OKB-së. Gjatë miratimit të Raportit të Sekretariatit të INTOSAI-t në seancën plenare në datën 25 shtator 2019, Kongresi votoi pro këtij raporti, duke konfirmuar përfundimisht anëtarësinë e ZKA-së në INTOSAI, që nga 1 janari 2020. Gjatë procesit të votimit në Kongres, SAI i Serbisë kundërshtoi anëtarësimin e ZKA-së në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, ndërkohë që përfaqësuesit e KLSH-së, në unison me Zyrën e Llogaridhënies së Qeverisë së SHBA-së, SAIve të Polonisë, Kroacisë dhe Suedisë, mbështetën fuqimisht vendimin e Sekretariatit të INTOSAI-t, duke theksuar që ZKA përmbush të gjitha kriteret dhe kushtet për të qenë anëtar i INTOSAI-t.

Lobimi i KLSH-së për anëtarësimin e Kosovës në INTOSAI ka qenë axhendë e posaçme, që kryetari Bujar Leskaj ia ka atashuar çdo misioni të KLSH-së jashtë vendit, përfshirë komunikimet zyrtare me SAI-t partnere. Kështu, marrëdhëniet me Zyrën e Llogaridhënies së Qeverisë së SHBA-së (GAO, “Zeusi” i Olimpit INTOSAI), KLSH-ja i ka harlisur nga bazamenti i një bashkëpunimi protokollar, në një partneritet që ka shpërfillur distancën e Oqeanit Atlantik me shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Mjafton të kujtojmë se kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, është pritur 3 herë brenda 4 viteve (2015-2018) nga Kryekontrollori i Shtëpisë së Bardhë, z.Gene Dodaro.

Po ashtu, edhe projekti IPA i Binjakëzimit mes KLSH-së, SAI-t të Polonisë dhe Kroacisë u shndërrua në një “zyrë” të fuqishme lobimi për Kosovën. Kështu, Polonia, që ndonëse gjeografikisht larg, ka mbështetur KLSH-në dhe ZKA-në po aq fort sikur të ishte një vend rajonal pranë nesh.

I gjithë ky angazhim i KLSH-së u sendërtua në një kontribut të çmuar në takimin e INTOSAI-t në Moskë, ku mbështetja zëmadhe dhe e fuqishme nga GAO e SHBA-së, Zyra e Auditimit të Polonisë, Kroacisë dhe SAI-t Suedez rrëzuan barrikadat e padrejta të ngritura kundër një institucioni profesionist, europian dhe elitar, si Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës.

Ironike apo diplomatike, se një lajm i tillë erdhi nga Moska dhe që u këndell në një aktivitet ku mori pjesë dhe Presidenti Vladimir Putini, është një rebus që mbetet për t’u vlerësuar nga hulumtuesit dhe studiuesit e së drejtës dhe politikave ndërkombëtare.

Megjithatë, këto rrethanat burimore të lajmit na shërbejnë për t’i shtuar një valencë tjetër anëtarësimit të Kosovës. Ky lajm i mrekullueshëm për Kosovën nuk është një anëtarësim që vjen nga një inerci apo qokë politike, por është kryekëput e merituar. Në Shqipëri mundet që fare pak të kenë dëgjuar për ZKA, ashtu si në Kosovë fare pak qytetarë mund të kenë dëgjuar për KLSH-në. Profesionalizmi dhe europianizmi është diviza e ZKA-në dhe me këtë profil, ky institucion i Kosovës ka fituar respekt dhe njohje në të gjithë komunitetin ndërkombëtar të auditimit, aq sa e bëri të zorshme edhe për Serbinë edhe për Rusinë që t’i gjenin një cen për t’i penguar anëtarësimin në INTOSAI.

Për ne si auditues të KLSH-së, ZKA përbën një pikë referimi dhe shembulli për t’u ndjekur. Nga shkëmbimi i eksperiencave me njëritjetrin, mund të themi se KLSH-ja është pak ZKA, sikurse ZKA është pak KLSH.

Kosova hyri me këmbën audituese të ZKAsë në paradhomën e OKB-së dhe ky anëtarësim i shton një trofe mjaft të rëndësishëm edhe KLSH-së për kontributin e saj, për të cilin deri vonë pandehej një aktor i pagjasë në konsolidimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

*Auditues, KLSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura