ANALIZA/ Sulejman Starova: Çfarë shkoi keq në ndeshjen Shqipëri-Zvicër

Jun 12, 2016 | 13:12
SHPËRNDAJE

Eksperti i futbollit Sulejman Starova në një analizë që i ka bërë ndeshjes Shqipëri-Zvicër (0-1) për “Panorama Sport”, evidenton të metat e kuqezinjve në finalen e parë në një turne europian.

13413071_977951155637447_3670024896703215859_nStarova thotë se Cana nuk e bëri dot liderin dhe futbollistët e Kombëtares u ndikuan nga euforia. Ai vlerëson zëvendësimet e De Biazit si të goditura, por shton se ato ishin pak të vonuara.

Analiza e plotë e Sulejman Starovës

Skuadra nuk u ruajt nga euforia që kapi të gjithë shqiptarët si komb. Sigurisht, e kemi për herë të parë dhe duke parë edhe mentalitetin që na karakterizon, e teprojmë me pritshmëritë, por gjithsesi skuadra mund të kishte qenë pak më e ftohtë në fushë.

starovaPashë lojtarë që sidomos në minutat e para iu drodhën këmbët. Shqipëria nuk e shfrytëzoi faktin që nuk ka kurrfarë presioni për t’u kualifikuar. Këtë presion e kanë gjithë të tjerët, por jo ne.

Pamë një ekip që funksionoi me fraksione ndaj një Zvicre që nuk është më aq e fortë sa më parë, por në tërësi ishte më shumë një ndeshje karakteri që përtej disa gabimeve të jep shpresë. Natyrisht, u pa qartë se disa pasiguri të Berishës në ndeshjet e fundit nuk kanë qenë rastësore.

Etriti, një pikë shumë e rëndësishme jona, shleu thuajse gjithçka me pritjet që bëri më pas, por dukshëm pati përgjegjësi te goli. Pjesa tjetër e skuadrës natyrisht mendonte shumë për mbrojtjen, por pikërisht për këtë dua të analizoj vendosjen e Kukelit.

Lojtar me cilësi, por vepron në një rreze shumë të ngushtë dhe mendon thuajse gjithnjë për mbrojtjen. Ndërkohë, kemi edhe Xhakën e Abrashin që mendojnë gjithashtu për mbrojtjen.

Atëherë, kemi vështirësi të mëdha në organizim dhe kemi nevojë për një lojtar që të improvizojë diçka në momentet kur skuadra zotëron topin. Ne dolëm në sulm me fragmente dhe me nxitim të tepruar, duke krijuar shumë pak raste. Sigurisht, reagimi ishte i pëlqyeshëm, sidomos kur mbetëm me dhjetë futbollistë.

Kukeli si mbrojtës

Përveçse Shqipëria ka nevojë për një lojtar më dinamik sesa ai në mesin e fushës, mendoj se edhe zgjedhja e trajnerit për ta zëvendësuar ai Canën në qendër të mbrojtjes më la një shije të çuditshme. E them këtë, sepse ka një risk të madh: së pari, demoralizojmë mbrojtësin që duhej të futej në mënyrë të logjikshme, Ajetin. E dyta, sepse me sa duket trajneri nuk paska edhe aq shumë besim te zëvendësuesi i Canës apo i Mavrajt. Po me Francën kush luan?

Zëvendësimi i vonuar

Përgjithësisht, zëvendësimet ishin të goditura, por në rastin e Roshit trajneri mund të kishte ndërhyrë më shpejt. Nuk mund të priste që Roshi të humbte atë rast që pati për të pasuar dhe më pas të zëvendësohej. Cikalleshi duhej të hynte më shpejt në fushë.

Lojtarët nën mesatare

Hysaj nuk ishte në ditën e tij më të mirë, ndoshta edhe për shkak se i duhej të përballej me një kundërshtar të rrezikshëm në krah. Mavraj me Berishën gjithsesi mbajtën mirë në mbrojtje, pas atij gabimi te goli. Agolli e kaloi me sukses provën, sepse në fund të fundit, një lojtar si Shaqiri nuk është kurrë komod.

Gabimi i Canës

Ndeshje të tensionit të madh duan edhe lojtarë të përgatitur në aspektin psikologjik. Për fat të keq, gaboi lojtari ynë më ekspert. Mëkat, sepse në të tilla ndeshje edhe skuadrat e mëdha kanë nevojë për një lider që të mund të orientohen dhe të marrin zemër. Imagjinoni sa nevojë ka Shqipëria për një lider në ndeshje si këto. Për fat të keq, Cana nuk e bëri dot liderin kësaj radhe…

*Titulli origjinal “Na dëmtoi euforia, Cana nuk e bëri dot liderin”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura