Analiza/ ‘Pakti me Ramën për shitjen e Manjanit, qentë e LSI s’të kafshojnë’

Jan 30, 2017 | 14:17
SHPËRNDAJE

Një pakt mes qensh, pjesë e të njëjtit karvan e vlerëson analisti Andi Bushati, marrëveshjen e fundit Rama-Meta për ndryshimet në kabinet, duke theksuar se Meta përballë forcës së Ramës shiti Manjanin.

ANDI_BUSHATI_PORTRET_96

Në një opinion të publikuar në lapsi.al, Bushati duke kujtuar shprehjen e Ramës ‘qentë le të lehin, karvani ecën përpara’, shkruan se “Rama do t’a ketë karvanin e tij të mbushur me ‘zagarë” që mendojnë se ai po vjedh, po trafikon drogë, po vazhdon lidhjet me krimin dhe po përgatitet të manipulojë zgjedhjet. Këtë vulë që LSI i ka ngjitur mbi shpinë ai nuk mundet ta fshijë për sa kohë vazhdon të bashkëqeverisë me të”.

Sipas Bushatit, nga ana tjetër, “edhe partia e Metës po i shton gjithnjë e më shumë vetes imazhin e qenit që leh, por nuk ka dhëmbë të të hajë. Për sa kohë ajo ka thënë gjithë të zezat për Ramën dhe Rilindjen dhe përsëri vazhdon të ndajë pushtet me ta, ajo i ka çuar në kufijtë e qesharakëzimit qëndrimet e saj”.

Ai shkruan se “Për të fashitur zhurmën e « qenëve që lehin », për të mos dëgjuar alarmin e Lefter Kokës për vjedhjet e Vangjush Dakos në emër të rilindjes urbane, për të mos pasur jehonë klithmat e Ylli Manjanit për të mobilizuar ushtrinë kundër drogës, për të mos ushtuar thirrjet e Petrit Vasilit, se zgjedhjet e ardhshme duhet të monitorohen nga administrata e Trump, Rama vendosi të ecë përpara me një lëvizje naive. Ai vendosi ta vërë në vend autoritetin duke kërkuar shkarkimin e Ylli Manjanit”.

Sipas Bushatit, ‘për tre ditë mazhoranca filloi të zhurmonte. LSI i shtoi akuzat. Ajo fabrikoi lajme se kokën e Manjanit e shkëmbente vetëm me atë të Sajmir Tahirit; Se po të prishej parimi sipas të cilit Meta i vendos vetë ministrat e tij, ai mund ta braktiste koalicionin; Se arroganca e Ramës nuk durohej dhe se ky hap unilateral mund ta detyronte LSI-në të dilte e vetme në zgjedhje’.

“Në fakt, asgjë e tillë nuk ndodhi. Shprehja popullore e përdorur nga Rama për LSI-në u transformua pak. Ajo që i shkonte më për shtat situatës ishte një tjetër thënie popullore : « qeni që leh nuk të kafshon ». Dhe pas gjithë zhurmës që bëri, opinionit që fryu, përbetimeve që u tha mbështetësve, Meta vendosi ta shesë Manjanin dhe ta zëvendësojë me Vasilin. Takimi i dy krerëve të koalicionit sot kishte vetëm një qëllim, si të dilnin sa më pa lagur nga furtuna e shproporcionuar që kishin ngritur vetë”-shkruan ai.

‘Po a e arritën këtë? A e justifikon “pakti” për zëvendësimin e Manjanit me Vasilin, paqen e re të vendosur brenda së majtës? Natyrisht që jo. Për pjesën më të madhe të publikut kjo është një lëvizje e kotë dhe pa kuptim’, analizon Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura