Analiza e VOA: Shqetësim në Ukrainë ndërsa shtohen sulmet ruse dhe zbehet mbështetja perëndimore

Apr 16, 2024 | 19:33
SHPËRNDAJE

Zyrtarët ukrainas po shprehin shqetësimin për mbështetjen e ardhshme ushtarake nga Perëndimi, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, komandantët ushtarakë thonë se kanë nevojë për ndihma urgjente, ndër të tjera edhe armatime të avancuara për të rifituar avantazhin strategjik ndaj forcave më të mëdha ruse.

ukraine

Gjendja në fushëbetejë në Ukrainën lindore është përkeqësuar shumë gjatë ditëve të fundit.

Komandanti i forcave të armatosura ukrainase, kolonel gjeneral Oleksandr Syrskyi, shkruajti në mediat sociale të shtunën se situata në frontin lindor është përkeqësuar ndërsa Rusia ka intensifikuar përpjekjet për të marrë më shumë territore ukrainase.

Mark Voyger është ekspert për mbrojtjen në Qendrën për Analizën Evropiane. Ai thotë se Ukrainës i duhen edhe më shumë municione ndërsa forcat ukrainase po vështirësohen ta mbajnë frontin.

“Fatkeqësisht, Ukraina nuk ka municion të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur zjarrit. Pra, situata është tani disi pesimiste, në veçanti për shkak të vonesave. Politizimi, do të thoja i turpshëm, në Kongresin amerikan po mban pezull 60 miliardë dollarët e premtuara për mbijetesën e Ukrainës”, thotë zoti Voyger.

Ndërsa nuk ka rekrutë dhe municione të mjaftueshme, parlamenti ukrainas miratoi javën e kaluar një projektligj që e bën më të lehtë identifikimin e meshkujve të aftë për shërbim ushtarak. Në fillim të prillit, Ukraina uli moshën e shërbimit ushtarak nga 27 në 25 vjeç.

Zyrtarët kanë shprehur shqetësimin nëse Ukraina do të mundet ta vazhdojë luftën në front dhe në mbarë territorin e saj.

“E shikoj se ç’po ndodh në rajonet Kharkiv dhe Sumy. Dhe do të thoja se kjo është frika ime më e madhe, se do të sulmojnë nga ai drejtim”, thotë deputetja ukrainase Solomiia Bobrovska.

Ajo është gjithashtu e shqetësuar nga sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës jetike të Ukrainës.

“Do të mjaftonte shkatërrimi i plotë i infrastrukturës energjetike, furnizimin me ujë dhe depozitat e karburantit. Dhe njerëzit do të detyrohen të largohen nga Kievi, nga vendet e punës dhe shkollat”, thotë zonja Bobrovska.

Ish-ministrja e arsimit Anna Novosad dhe fondacioni i saj “savED” po punojnë për rindërtimin e shkollave. Ajo thotë se megjithë rrezikun e vazhdueshëm, ukrainasit nuk demoralizohen.

“Askush nuk do të dorëzohet, njerëzit janë ende të vendosur që të mbrojnë vendin e tyre. Dhe anketimet tregojnë se shumica e ukrainasve nuk dëshirojnë të jepet as edhe një centimetër territor për kompromisin që mund të arrihet në tryezën e bisedimeve”, thotë zonja Novosad.

Veterani amerikan Adrian Bonenberger stërviti forcat ukrainase në fillimet e sulmit frontal. Ai shpreh shqetësimin për zbehjen e mbështetjes amerikane dhe për të ardhmen e Ukrainës.

“Mendoj se ajo që do të ndodhë është se Ukraina do të tërhiqet më tej, do t’i duhet të luftojë më shumë në mbrojtje. Më shumë ushtarë do të vdesin. Ukraina do ta vazhdojë luftën pasi e ndjejnë detyrim. Rusia dëshiron vetëm ta asgjësojë Ukrainën dhe t’i shkatërrojë ukrainasit. Për Amerikën, një tjetër e keqe që do të ndodhë është se njerëzit do ta humbasin besimin tek Amerika. Njerëzit do të thonë se fjala e Amerikës nuk ka ndonjë vlerë; la Afganistanin dhe po e braktis Ukrainën”, thotë zoti Bonenberger.

Disa ligjvënës amerikanë thonë se Amerika duhet të ketë përparësi çështjet e brendshme, si sigurimin e kufirit të saj, përkundër luftës në Ukrainë./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura