Analiza e BIRN: Makineria elektorale e patronazhistëve nën sanksione amerikane

Apr 13, 2022 | 20:10
SHPËRNDAJE

Edi Rama patronazhistetBIRN/ Ndryshe nga deklaratat e mëparshme të Shteteve të Bashkuara për “emërtimin” e politikanëve shqiptarë si “të përfshirë në korrupsion madhor,” deklarata e fundit për ish-deputetin Aqif Rakipi dhe për biznesmenin Ylli Ndroqi është më shumë shpjeguese. Diçka më shumë se sa thjeshtë emri i një personi është shpallur i padëshirueshëm nga amerikanët dhe kjo është makineria elektorale e Partisë Socialiste.

Ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla “u emërtua” si zyrtar i huaj i përfshirë në “korrupsion madhor” me një njoftim të shkurtër në shkurt 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit, institucioni që funksionon si Ministria e Jashtme e SHBA-së. Njoftimi për shtyp jepte vendimin dhe dënimin, konkretisht, humbjen e të drejtës për të vizituar Shtetet e Bashkuara për atë dhe familjen e tij, me përjashtim të njërit fëmijë, i cili, duke qenë i lindur në SHBA, merr automatikisht shtetësi amerikane dhe për rrjedhojë, nuk mund të shpallet i padëshirueshëm.

Llalla ishte shënjestra e parë në rang botëror e një mjeti të ri në diplomacinë amerikane në përpjekjen e saj për të mbrojtur demokracinë. Vangjush Dako dhe Tom Doshi u “emërtuan” në të njëjtën mënyrë.  Në të treja rastet, diplomacia amerikane nuk i hyri telashit që të shpjegonte apo të përshkruante faktet që e shtynë atë të ndërmerrte një masë të tillë ndëshkuese, e cila, supozohet se duhet të jetë me peshë të konsiderueshme morale në një vend, populli i të cilit simpatizon më masë dërrmuese Shtetet e Bashkuara. Me pak fjalë, në këto raste, njoftimet shpallën çfarë kanë bërë, por jo se si e kanë bërë korrupsionin apo çfarë konkretisht.

Departamenti i Shtetit gjithsesi nderoi me një shpjegim më të gjatë se pse, ish-kryeministrin ish-president Sali Berisha. Ai u “emërtua” për shkak se “është përfshirë në akte korruptive” “në përfitim të atij vetë dhe për të pasuruar aleatët dhe anëtarët e familjes”. Berisha u ankua që nga ajo kohë duke kërkuar “provat” ndërsa ambasada amerikane i la të kuptohet atij se ai duhet ta dijë vetë se për çfarë po flasin.

Vendimi i fundit i kësaj natyre nga amerikanët, ai i publikuar të hënën, nuk erdhi nga Departamenti i Shtetit por nga Departamenti i Thesarit, institucioni që ka për detyrë të zbatojë sanksionet financiare që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin ndaj individëve dhe enteve apo shteteve. Ish-deputeti i PDIU-së dhe mbështetësi i njohur i socialistëve Aqif Rakipi, personi që ka përfaqësuesit e vet aktualisht në grupin parlamentar socialist, u vendos nën sanksione financiare krahas Ylli Ndroqit.

Dhe ka një dallim thelbësor mes të dy llojeve të “emërtimeve”. Ai i Departamentit të Shtetit, i cili rëndon  mbi Berishën, Doshin, Dakon e Llallën, ngjan si më së shumti simbolik: emërtim publik si “i përfshirë në korrupsion” dhe dënim me ndalimin e hyrjes në SHBA. Ata të gjithë janë dënuar në bazë të nenit 7031(c) të Ligjit “Për Operacione të Jashtme” të Departamentit të Shtetit.

Por Rakipi dhe Ndroqi janë dënuar në bazë të një Urdhri Ekzekutiv tjetër, urdhri ekzekutiv i presidentit Biden me numër 14033, i datës 8 qershor 2021. [Link] Dënimet këtu janë më të larmishme. Sipas seksionit 1, nëse të dënuarit kanë në Shtetet e Bashkuara një pasuri, pronë fizike apo llogari bankare apo aset tjetër, “bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen apo tjetër”. Seksioni 2 bën të ndaluar dhënien e donacioneve apo pranimin e tyre nga personat e dënuar ndërsa seksioni 4 i ndalon vizat e hyrjes në SHBA-. Seksioni 5 bën të dënueshme çdo përpjekje për të shmangur këto sanksione.

Dhe ndryshe nga Doshi, Dako apo deri diku, edhe Berisha, Departamenti i Thesarit ka marrë mundimin të shpjegojë në detaje të konsiderueshme, se çfarë aktiviteti kanë bërë Rakipi dhe Ndroqi për t’u vendosur nën sanksione të kësaj natyre. Në rastin e Rakipit, nën sanksione janë vendosur jo thjeshtë Rakipi, por mënyra thelbësore me të cilën, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të bëjë politikë dhe të fitojë zgjedhjet, sistemi i patronazhistëve, vendosja e të gjithë shtetit në funksion të blerjes së votave, ndarjen e Shqipërisë në principata mesjetare me bej lokalë që caktojnë kush do të punojë në çfarë vendi pune shtetëror.

Thotë njoftimi: “Ai [Rakipi] është përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsion në, ose për llogari të, ose ndryshe të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose me një zyrtar aktual apo të shkuar, në çfarëdolloj niveli të qeverisë në Ballkanin Perëndimor, të tilla si përvetësim i aseteve publike, shfrytëzim i aseteve private për përfitim personal ose qëllime politike, apo ryshfet.”

Njoftimi komenton gjithashtu në mënyrë të përgjithshme se “grupe të shumta” të krimit të organizuar, kanë ofruar në Shqipëri para, dhurata, premtime për vende pune apo koncesione në shkëmbim të votave për partinë e tyre të parapëlqyer politike. Rakipi, thotë njoftimi, “ka përdorur ndikimin e tij politik për të emërtuar njerëz të vet në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë”.

Socialistët e kanë mundësinë të justifikohen duke pretenduar se njoftimi nuk i shënjestron ata drejtpërsëdrejti me emër, dhe se nuk thotë se për cilën “qeveri në Ballkanin Perëndimor” apo për cilin “zyrtar” ai ka bërë korrupsion. Por një lojë e tillë fjalësh vështirë se e fsheh dot faktin që socialistët i detyrohen këtij “grupi të strukturuar kriminal” të cilit i referohen amerikanët, së paku dy e ndoshta më shumë se sa kaq mandate parlamentare. Dhe as nuk e zhbën dot atë që e dinë të gjithë, se nën qeverinë aktuale, punësimet dhe pushimet nga puna në administratë publike janë tërësisht të varura nga partia, përfshirë rastet kur grupet kriminale janë në dispozicion të partisë.

Ky është sistemi i patronazhistëve për të cilët Rama thotë se është krenar./BIRN

© Panorama.al

Te lidhura