Analiza/ ‘Bisedimet e Kretës, pse Shqipëria s’ka pajtuar studio ndërkombëtare. Greqia në gjendje të vështirë se…’

Nov 11, 2017 | 22:46
SHPËRNDAJE

Takimi i paralajmëruar në Kretë mes Kocias dhe Bushatit është pa dyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet e parehatshme mes Shqipërisë dhe Greqisë në këto 30 vjetët e fundit.

E veçanta e kësaj përçapje është se e gjithë stiva e problemeve historike dhe aktuale po shtrohet në tryezë bisedimesh të thelluara e të përqendruara në kohë, diçka që e bën të ngjajë me takime të tjera, ndonëse në nivel më të lartë, apo të njëjtë, për kriza të mëdha që kanë nevojë për më shumë kohë për t’u diskutuar. Përqendrimi në kohë krijon idenë e pazareve të përgjithshme: më lësho këtu, që të lëshoj diku tjetër, dhe rrisin hapësirën negociale të palëve.kotzias-bushati

Dhe duke e tejkaluar alkiminë e pasuksesshme për zgjidhjen e problemeve në të kaluarën, tani të dyja palët ngjajnë se janë të vetëdijshme për rëndësinë e një pakete të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse.  Greqia me gjasë synon të rikthejë rëndësinë e vet rajonale, duke qenë e favorizuar nga zgjidhja eventuale e çështjes së emrit me Maqedoninë, negociatat me të cilën do të nisin po këtë muaj. Pas një periudhe të rënies së fuqisë së saj, kushtëzuar nga marrëdhëniet problematike me Shqipërinë, Maqedoninë, Turqinë, Kosovën dhe problemeve ekonomike, Greqia synon të rikthehet në skenën rajonale si forcë konstruktive. Hedhja e shumë lajmeve në tavolinë njëherësh, do të shpërndante vëmendjen e publikut në shumë tema, dhe do amortizonte reagimet eventuale të tij.

Kjo ngjarje është e rëndësishme, meriton të komentohet gjatë mu për faktin se zgjidhjet që do të përftohen do të kenë impakt të prekshëm në jetën e njerëzve në të dyja vendet. Në historinë e afërt dhe të largët të tyre.

Është krejt e qartë se të dyja palët po shkojnë të mirëpërgatitura në këtë takim, paraprirë me gjasë nga mbledhje komisionesh dypalëshe për çështje të veçanta, apo tërësore, ndonëse preludi i këtyre bisedimeve ishte me kanosje herë të drejtpërdrejta, herë të tërthorta, me mesazhe kërcënuese e frikësuese ndaj njërës ose tjetrës palë.

Dhe një log beteje ku u çakërruan heshtat ishte Himara, ku të dyja palët e përdorën këtë rast për t’i treguar sa opinionit të brendshëm, aq edhe njëra-tjetrës se në takimin e Kretës do të sillen në lartësinë e dinjitetit që imponojnë këto bisedime.

Pala shqiptare vazhdon t’i mëshojë vendimit të Gjykatës së Vlorës si përligjje për veprimet e fundit në Himarë, ndërkohë që pala greke sikur pati një tërheqje pas deklaratave fillimisht kërcënuese.

Në këtë shtjellë zhvillimesh në kaleidoskopin politik të të dyja vendeve, tek pala greke vërehet edhe një kompaktësi mes pozitës dhe opozitës së atjeshme.

Dhe këtij realiteti i kundërqëndron gjendja e brendshme në Shqipëri, ku opozita jo vetëm që nuk denjoi të dëshmonte solidaritet për pozicionin shqiptar në bisedime, por edhe u distancua nga veprimet e Qeverisë në Himarë.

Megjithatë, nëse e zgjerojmë analizën në makroplan, Greqia është një gjendje të vështirë në kontekstin rajonal. Ajo është shtrënguar të pranojë imperativin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me tërë fqinjët e saj, dhe së këndejmi të rifitojë njëfarë rëndësie rajonale me një qasje më konstruktiviste.

Rëndësia e bisedimeve me Shqipërinë ka një rëndësi të shumëfishtë edhe për vetë Greqinë.

Tema e pronave shqiptare, tema kyçe

Para së gjithash është problemi i pronave shqiptare në Greqi, që sipas një aritmetike vlerësohet të jetë në lartësinë e 10 miliardë dollarëve. Dhe kjo vlerë mund të jetë larg më e madhe sesa kaq, pasi dihet se Ligji i Luftës përmes sekuestrimit i ka dhënë shtetit grek përpjesën e caktuar në shfrytëzimin e këtyre pronave, një 15 përqindësh i cili është depozituar në një numër llogarie të veçantë në Bankën Kombëtare greke.

 

Çdo qeveri shqiptare do të duhej të kishte një pasqyrë të imtësishme të 15 përqindëshit të shtetit grek si shfrytëzues i këtyre pronave.

Çështja e pronave është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e Ligjit të Luftës, i cili nuk është shfuqizuar pikërisht për të zbythur në kohë dhe hapësirë kërkesën e ligjshme të pronarëve shqiptarë për dëmshpërblim përkatës.

Me mosshfuqizimin e këtij ligji anakronik, politika greke rrekej të tejçonte idenë sikur shqiptarët në tetorin e vitit 1940 ishin agresorët në tokën greke, anipse Shqipëria në momentin e dhënë historik nuk kishte sovranitet të brendshëm dhe të jashtëm.

Sigurisht që është e padrejtë të thuhet se Greqia mban ende gjendje lufte me Shqipërinë, pasi të dyja vendet kanë urëzuar lidhje diplomatike prej viteve ’70 si dhe të dyja janë të rreshtuara në Aleancën Veriatlantike.

Sidoqoftë Ligji i Luftës ndërkall në vetvete edhe çështjen çame, dhe këtu spikat mënyra se si Greqia ka vepruar ndër vite: duke e konsideruar Shqipërinë në radhën e vendeve luftënxitëse nazifashiste, Çamëria dhe çamët janë eklipsuar si një fli i pashmangshëm i kategorisë ‘ne fituesi’, ‘ata humbësit’.  Në këtë mënyrë ata janë konsideruar si minoritet bashkëpunues i një vendi armik, njëjtë si gjermanët e Sudetëve.

Pa konsideruar aspak ligjet ndërkombëtare që flasin për përgjegjësitë individuale dhe ato kolektive, Greqia që gjatë kohës i mbahet versionit se çamët u larguan vetë si pasojë e frikës së tyre nga ndëshkimi për bashkëpunimin që bën me italianët.

Në marrëdhëniet e ndërsjella do të zërë vend edhe çështja e shënjimit të vijës kufitare detare apo rishikimi i marrëveshjes së detit.

Shumëçka vazhdon të zhvillohet në mjegullnajën e mosbërjes publike të punës së ekipeve të ekspertëve, dhe kjo sigurisht që e ka arsyen e vet në mënyrë që zgjidhjet të mos jenë të epshme përballë presionit të publikut në të dyja vendet.

Avantazhet e Shqipërisë

Megjithëse zotit Bushati i bie në supe një detyrë e vështirë, Shqipëria e sotme megjithatë ka avantazhe të caktuara.

Shteti shqiptar sot nuk është si ai që dergjej në dobësinë e vet kronike në vitin 1996, kur u negociua Traktati i Miqësisë. Shqipëria e Berishës, në kohën e para shpërthimit të skemave piramidale, nuk kishte burime njerëzore në diplomaci, dhe kjo bëri që teksti i Traktatit në fjalë të ofrohej i gatshëm nga pala greke.

Shqipëria e sotme është anëtare e respektuar e NATO-s, që mban marrëdhënie të shkëlqyera dhe intime me Shtetet e Bashkuara. Dhe një surplus tjetër është se shqiptarët në Greqi kanë arritur të krijojnë realitete kruciale në ekonominë greke; kontributet e tyre mbajnë në këmbë sistemet e siurimeve shoqërore në Greqi si kontribues të rëndësishëm; mbajnë mbi 4 miliardë euro të depozituara në bankat greke.  Nuk po përmendim këtu dhe relacionin e privilegjuar me Turqinë.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto, pala greke kësaj radhe do ta ketë të vështirë t’i diktojë termat e saj. Hapësira më e madhe e presionit krijohet prej nevojës së Shqipërisë për të çelur negociatat me BE-në dhe vetos greke.

Nevoja e një studioje ndërkombëtare konsulence

Por ndoshta ka qenë e udhës për një instrument ndihmës, cilësor, të ri në këto bisedime.

Dihet se diplomacitë e hajthme të vendeve të Ballkanit Perëndimor suksesin e tyre e varin kokë e këmbë në aftësinë e lobimit në Uashington dhe tërheqjen e simpatisë nga zyrtarët me ndikim atje. Pra paratë publike harxhohen për promovim liderësh në administratën amerikane. Do të ishte e udhës që shteti shqiptar kësaj radhe të harxhonte para për angazhimin e një studioje juridike ndërkombëtare që ofron këshilla dhe zgjidhje për një problem pivotal, siç është çështja e pronave shqiptare.

Kjo është e kuptueshme për shkak se rëndësia e takimit në Kretë dhe zgjidhjeve largvajtëse tejkalon kapacitetet e burokracisë së keqpaguar të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Një kompani e tillë do të krijonte mundësi lobimi pranë administratës amerikane apo të fuqive të mëdha; do të bënte koalicion me një studio greke të madhe, ashtu si dhe do të krijonte zhurmë në opinionin publik ndërkombëtar. Pikërisht këta hapa do shtonin mundësinë për sukses më të madh të palës shqiptare në kontaktet me grekët.

Kjo studio nuk është marrë, në shembullin e PDIU-së, e cila pajtoi një studio angleze të njohur për zgjidhjen e çështjes çame.

Droja është se me gjithë dinjitetin që ka treguar shteti shqiptar në marrëdhëniet me Greqinë, mungesa e ekspertizës mund të peshojë shumë. Dhe ajo çfarë diskutohet nuk është e vogël për nga pasojat, e pse jo dhe nga implikimet ndërkombëtare.

 Konica.al

http://konica.al/2017/11/pse-shqiperia-nuk-ka-pajtuar-nje-studio-nderkombetare-per-bisedimet-e-kretes/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura