Amnistia fiskale, kush dhe çfarë përfiton prej saj

Jul 21, 2016 | 10:30
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha në emisionin “Ekopolitikë” të “Ora News” se ligji për faljen e gjobave, detyrimeve dhe kamatëvonesave do t’i dërgohet në shtator Kuvendit për miratim. Drafti i qeverisë fal pa kushte 400 milionë dollarë detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa të papaguara nga biznesi pra vitit 2011.

edi-rama-mbledhje-qeverie

Amnistia përfshin edhe faljen me kushte, për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2012. Biznesit i falen 30 për qind të detyrimeve, kamatëvonesave dhe gjobat në total, në rast se paguan 70 për qind të borxhit. Përfitues të amnistisë do të jenë edhe drejtuesit e makinave që nuk kanë paguar mbi 10 vjet taksën e qarkullimit. Sipas draftit përfitojnë 100 mijë drejtues të automjeteve që nuk kanë paguar detyrimet deri në dhjetor të 2011, ndërsa detyrimet e papaguara pas 1 janarit 2012 janë 5,3 miliardë lekë.

“Personat të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve, që u përkasin periudhave pas janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë”, thuhet në relacionin e amnistisë.

Për të përfituar nga amnistia, drejtuesit e makinave kanë afat deri më 31 mars të 2017. Ligji i amnistisë parashikon edhe faljen e detyrimeve të krijuara pas 1 janarit 2012. Për këto detyrime falet 30% e tatimit të papaguar, kamatëvonesës dhe gjobës me kusht që 70% e detyrimit dhe kamatëvonesat për to të paguhen brenda datës 31 mars 2017. Falen me kusht gjobat që janë pjesë e detyrimeve në doganë, me kusht që detyrimet që paguhen në import të tilla si taksa doganore, TVSH, akcizë, taksë ambalazhi, taksa qarkullimi, taksë karboni dhe detyrimet e akcizës dhe interesat e lidhura me to, t’u përkasin periudhave pas datës 31 dhjetor 2011 dhe të paguhen brenda datës 31.03.2017.

Sipas relacionit, falen me kusht gjobat që janë pjesë e detyrimeve të pagueshme në doganë, për mjetet të cilat kanë hyrë në territorin doganor shqiptar në mënyrë të parregullt nën regjimin e lejimit të përkohshëm, me kusht që detyrimet që paguhen në import, si TVSH dhe interesat e lidhura me to të paguhen brenda datës 31 mars 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura