Aliçka, Nano e Zogaj në Panair me prozë, autorët: Ky zhanër i detyrohet realizmit

Nov 14, 2019 | 19:13
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj

Gjatë ditës së parë të Panairit të Librit u mbajtën edhe diskutime për letërsinë shqipe. Tryeza që bëri bashkë emra të njohur si Ylljet Aliçka, Preç Zogaj, Mustafa Nano, fituesin e çmimit të madh “Kadare” për 2019-ën, Loer Kumen, e të tjerë shkrimtarë të rinj u drejtua nga studiuesja e letërsisë, Alda Bardhyli. Autori Preç Zogaj, që në këtë Panair i rikthehet prozës me romanin “Anjeza nuk u zgjua”, në krye të fjalës së tij e konsideroi të shkruarit si një sfidë të madhe.

“Është një sfidë plot të panjohura, sepse ne që botojmë libra, së paku mua, na duhet të përballemi me një pyetje elementare: Përse po shkruajmë? Përgjigjet që shkrimtarët i kanë dhënë kësaj pyetjeje janë të larmishme, edhe pse mua në mend më ka ngelë ajo që thoshte francezi Romain Rolland (fitues i çmimit “Nobel”): ‘Shkruaj sepse nuk di çfarë të bëj tjetër’. Sigurisht që kjo nuk është e gjitha, sepse njeriu shkruan edhe për t’u shprehur, për të krijuar një lloj komunikimi, madje edhe për të luftuar. Shpesh mund të shkruash një libër edhe në formë replike, të tilla mund të jenë edhe romanet e dashurisë, ku autori replikon me atë që përballet.74706400_500644163866519_3900415403867766784_n

Diçka e tillë haset edhe në librin tim më të fundit ‘Anjeza nuk u zgjua’, edhe pse në boshtin e këtij romani është në fakt një histori dashurie, por e vendosur në kontekst të tillë, ku ndjenja përplaset me ambicien. Pra, flitet për ambicien dhe ëndrrën, që edhe pse selinë e kanë në kokën e njeriut, rruga që duhet ndjekur për t’i arritur është jashtë. Bëhet fjalë për rrugën e kohës, të rrethanave e të një morie ngjarjesh që e ndërtojnë fatin e një njeriu. Në këtë ndërthurje me rrethanat, edhe dashuria pëson goditje, thyerje, personazhet po ashtu”, shtoi Zogaj.

Shkrimtari theksoi se në thelb të romanit të tij është një dramë që shkon drejt tragjedisë e që lidhet me perceptimin e shansit unik. Ndërsa për prozën në Shqipëri, në një kontekst më përgjithësues, ai u shpreh se ky zhanër i detyrohet realizmit. “Unë mendoj se një prozë jorealiste është si poezia pa metaforë, si tragjedia ‘Hamleti’ pa Hamletin. Letërsia jonë i ka borxh realitetit ku jetojmë, që është i mbushur me ngjarje e fate të jashtëzakonshme. Shpesh, as fantazia tek autorët e huaj nuk e arrin ndërthurjen tonë të realitetit, që shpesh është dramatike”, tha Preçaj.59664026_608396222981281_7873155033343197184_n

Mustafa Nano, në Panair me “Lamtumirë baba”: Në këtë roman sjell një copëz Shqipërie

Gazetari Mustafa Nano sjell të perfeksionuar romanin e tij “Lamtumirë baba”, të cilin e ka shkruar para 3 vitesh. Me këtë vepër, që shënon dhe romanin e tij të parë, autori rrëfen se përpiqet t’i sjellë lexuesit një copëz Shqipërie, duke prekur kështu edhe realizmin. “Është një copëz Shqipërie e këtyre viteve, ku shqiptarët janë në emigracion, ku ky popull përjeton një shastisje të madhe për shkak të rrethanave socio-politike, për shkak të momentit historik. Një roman, ku shqiptarët kanë një marrëdhënie të caktuar me fenë, e cila këto kohë është shumë dinamike”. Nano theksoi se kjo periudhë shënon një nga pikat më kulminante të lidhjes së njerëzve me fenë. Në qendër të “Lamtumirë baba” vendoset një familje tipike shqiptare, me një baba besimtar të fesë myslimane, bashkëshorten ortodokse dhe dy djem, që siç Nano thotë, “edhe pse janë rritur në të njëjtën familje, kanë pasur përvoja të ndryshme jashtë saj”. Besimi i njërit prej djemve është i lëkundur, ndërsa i tjetrit, siç autori e përkufizon, “është besimtar 24 karatësh”. “Mund të jem unë ky personazh, që quhet Guri”, shton gazetari. Romani, edhe pse në brendësi të tij trajton edhe tematikën e fesë islame, që sipas autorit ka shtrirë ndikimin e saj, hulumton jetën në Shqipëri edhe në të tjera dimensione. Nano ua sugjeron edhe autorëve të tjerë trajtimin e temës së fesë myslimane, pasi sipas tij kërkon më shumë vëmendje. “Myslimanë që shkruajnë rreth kësaj teme ka mjaft, por ata kanë motivime të tjera, unë do të doja autorë laikë që shkruajnë për këtë çështje nga pozicione laike”, shton ai. Nano sjell në këtë Panair edhe librin “Si e kam njohur”, ku flet për Shqipërinë përmes disa personazheve të njohura, që kanë dominuar gjatë këtyre 3 dekadave të fundit, qoftë nga skena e letërsisë me emra si Kadare, apo ajo e politikës, me figura si Sali Berisha.

“Metamorfoza e një qyteti”, Aliçka: Më ka interesuar vetëgënjimi i njeriut

Shkrimtari Ylljet Aliçka sjell në këtë Panair një këndvështrim risi për ngjarjet e personazhet e pas ’90-ës, që nuk mund të shihen të shkëputura nga mentaliteti i indoktrinuar dhe ndodhitë e diktaturës. Një këndvështrim realist, me një dozë të spikatur ironie, ku qoftë edhe një idealist i vetëm, vështirë se mund të shpëtojë gjallë… “Është një angazhim 5-vjeçar, që druaj se do të jetë nga të fundit. Mendova të bëj një roman të angazhuar politikisht, edhe për të dëshmuar atë që unë e njoh mirë…

Tiranën ku linda, jetova e ku mendoj të kaloj deri edhe çastet e fundit të jetës”, thotë shkrimtari. Aliçka thekson se në qendër të romanit të tij vendos evolucionin shpirtëror, ekonomik e ideologjik të banorëve të kryeqytetit. Ndonëse në këtë roman rrëfehet një histori intriguese dashurie, autori përqendrohet te problemet sociale e politike të vendit. “Më shumë më ka interesuar procesi i vetëgënjimit të njeriut, sjelljet, bindjet e tij e mënyra se si përshtatet në rrethana të ndryshme dinamike të vendit tonë”, shprehet Aliçka.

75557458_573082660169698_4203992338118213632_n 75625529_1421275334697281_795572803876159488_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura