Alibia e Albinit

Jun 5, 2023 | 17:31
SHPËRNDAJE

gjergj-buxhukuGJERGJ BUXHUKU

Janë disa pasoja të rëndësishme për botën shqiptare nga zhvillimet e fundit në disa komuna të veriut të Kosovës.

Së pari, ardhja në pushtet e Albin Kurtit dhe shfaqur qartësisht me ngjarjet e fundit në Kosvë, solli drejtpërdrejt edhe pjesëtimin të paktën për dy të fuqisë politike ndërkombëtare të Edi Ramës. Deri atëherë, Kryeministri i Shqipërisë londineze, për shkak të lidhjeve të forta të interesit vetjak dhe modeleve të ngjashme të qeverisjes me parti kosovare në pushtet, paraqitej “de facto” edhe si përfaqësues ndërmjetës përcaktues edhe për Kosovën. Në kushte të tilla të shahut gjeopolitik, kancelaritë euroatlantike kishin një shtyrje të madhe plus të mbyllnin sytë përballë problematikave të shumta të qeverisjes së brendshme të tij. Dhe të mos harrojmë, se faktori ndërkombëtar është fuqia e vetme e mbajtjes së ekuilibrit të brendshëm politik dhe vetë rendit kushtetues në shtete si Shqipëria dhe Rajoni ku demokracia është vetëm në letër. Faktorët e brendshëm janë të parëndësishëm, të dobët dhe krejt të parëndësishëm për pushtetin politik të një sistemi antidemokratik, antitreg dhe të korruptuar me ligj. Mendoni një ndeshje futbolli, ku arbitri është i gatshëm të quajë të vlefshme edhe golat me dorë dhe faull të njërës prej skuadrave!

Me ardhjen e Albin Kurtit, karta e rëndësishme e ndikimit të Ramës në Kosovë, e luajtur suksesshëm nga lobimet në kancelaritë e huaja, u dogj dhe ai është i detyruar të japë llogari vetëm për detyrat e shtëpisë së tij. Edhe përpjekja për të rifituar një pjesë të rëndësisë së dikurshme me nismën e “Ballkanit të Hapur” ishte e paracaktuar të dështonte. Në këtë kuptim, me nxjerrjen jashtë lojës politike të Ramës si faktor përcaktues në Kosovë, Kurti u ka dhënë një ndihmë të madhe zhvillimeve të demokracisë shqiptare. Edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Vula për sa më sipër është vënë në ngjarjet e fundit në Veriun e Kosovës.

Së dyti, mënyra si u krijuan dhe po zhvillohen ngjarjet në Kosovën e Veriut krijojnë kushtet, që statuti i bashkësisë së komunave serbe në Kosovës të jetë thjesht si statut shoqate. Asnjë fuqi ekzekutive shtetërore dhe shmangie të krijimit të një republike serbe të ngjashme me Bosnjën dhe Donbasin. Kaq mund të kërkojë Beogradi. Asgjë më shumë. Por, bashkësia e komunave serbe do të krijohet dhe firmoset pikërisht nga Kurti. Përplasjet e ashpra në Veri dhe përfshirja e NATOs, SHBA-ve dhe BE-së krijojnë alibinë perfekte për të përligjur para qytetarëve firmosjen. Edhe nga Kurti, edhe nga Vuçiç. Nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë do të thonë të dy njëkohësisht. Ose firmosje, ose luftë!

Jo vetëm kaq. Pozitat negociuese të Kosovës për pasuritë e Trepçës dhe Ujmanin do të jenë më të forta. Dhe kjo nuk është pak. Është fituar aq sa mundet në kufijtë e vendosur nga ndërkombëtarët, që Kosova nuk ka asnjë mundësi t’i shkelë.

Së treti, zhvillimet në veri krijojnë shmangien e problematikave të mprehta të brendshme të qeverisjes së Kurtit brenda Kosovës. Mund ti japin një frymëmarrje të përkohshme politike të krijuara nga pakënaqësitë ekonomike. Ngjashëm edhe Vucicit në Serbi. Kryefjala është zhgënjimi qytetar nga gjendja e vështirë ekonomike.

Partia e Kurtit nuk erdhi në pushtet për kufijtë e veriut të Kosovës. Kosova është investim i jashtëzakonshëm dhe tejet i rrallë strategjik faktorit ndërkombëtar me në krye SHBA-të. Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet si vendim i qytetarëve për të luftuar korrupsionin, keqqeverisjen dhe shpresën për mirëqenie. Pra, për detyrat e shtëpisë. Vetëm për kaq. Dhe këtu fatkeqësisht shenjat janë jo të mira. Pavarësisht, se deri tani ka pasur dy zhvillime pozitive.

Së pari, qeverisja e LVV është shkëputur qartësisht nga ndikimi “state capture/kapje e shtetit” i vendimmarrjes së oligarkisë dhe monopoleve të zakonshme me ortakët e tyre politikë në qeverisjet e kaluara. Ka edhe shembuj të prekshëm individualë antioligarki. Por, jo në nivel sistemi.

Së dyti, nuk ka pasur skandale të mëdha të korrupsionit qeveritar si në qeverisjet e kaluara.

Por, pozicionimi në parim antioligarki dhe lufta kundër korrupsionit kanë kuptim dhe vlerë atëherë kur jemi në kushtet e zbatimit të projekteve madhore të zhvillimit ekonomik. Në kushtet e prehjes në vend dhe pa rritje ekonomike nuk ka korrupsion të madh, por nuk ka as zhvillim dhe as shpresë për mirëqenie. Dhe këtu kemi një rrezik edhe më të madh. Sepse, qeverisja të korrupton objektivisht. Dhe, nëse nuk ke edhe rritje ekonomike të qenësishme, korrupsioni do të gllabërojë dhe godasë shumë më tepër mirëqenien e qytetarëve. “Mos prish shtëpinë e vjetër, kur nuk di dhe nuk mundesh të ndërtosh të renë”. Kjo po ndodh në Kosovë mjerisht.

Është mëkat, sepse programi politik i LVV dhe i vetë Kurtit është i vetmi në hapësirën politike mbarëshqiptare, që në qëllim strategjik është i saktë për të ndryshuar për mirësistemin ekonomik antitreg dhe antidemokraci të vendosur në Kosovë dhe Shqipëri. Por, deri tani mbeten vetëm qëllime në letër. Paaftësia dhe padituria është e dukshme për të gjetur mjetet, mënyrat për të zbatuar projektet zhvilluese. Ndërkohë, që janë të thjeshta në ideim, por kërkojnë kohë për zbatim. Dhe koha po kalon me shpejtësi.

Vonesat po vrasin shpresat e qytetarëve të Kosovës për mirëqenie dhe do të kthehen në vota politike kundër. Paralajmërimi i parë i zhgënjimit qytetar u dha në zgjedhjet vendore të para dy viteve ku partia e Kurtit humbi qartësisht.

Militantizmi politik është i pamjaftueshëm përballë zhgënjimit qytetar të shpresave për mirëqenie. Nuk mjafton edhe shmangia e vëmendjes me alibitë e luftës për kufijve e Kosovës. Mbase mund të zgjatësh jetën në pushtet, por nuk bën më asnjë ndryshim nga paraardhësit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura