Akuzohet për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë, SPAK kërkon dënimin e anëtares së KPK-së, Etleda Çiftja

Sep 12, 2022 | 18:22
SHPËRNDAJE

Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupionit dhe Krimit të organizuar, kërkoi sot dënimin me 18 muaj burgim për Etleda Çiften, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), një nga organet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokuroëve, në akuzën e Deklarimit të rremë e fshehjes së pasurisë, si dhe të Falsifikimit të dokumentave.

Capture

Për shkak të gjykimit të shkurtuar kërkesa për dënimin reduktohet në një vit burg, por dhe këtë masë prokuroria kërkoi që ajo të zëvendësohet me dy vjet shërbim prove.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, anëtarja e KPK-së, Çiftja rezulton të ketë mashtruar në lidhje me një pasuri, të deklaruar në vlerë më të ulët në zyrat e hipotekës kur ajo ka bërë veprime kontraktuale me të afërmit e saj, dhe në vlerë shumë më të lartë, kur është paraqitur në banka për të marrë kredi.

Po ashtu, zonja Çiftja, sipas Prokurorisë së Posaçme ka falsifikuar dokumentacionin e paraqitur në garën për anëtare të KPK-së, duke pretenduar se ka patur eksperiencë punësimi në një kompani private dhe në një studio ligjore, ndërkohë që nuk rezulton as të jetë paguar nga to, dhe as të jenë derdhur kontributet shoqërore në favor të saj.

Avokati i anëtares së KPK-së, hodhi poshtë akuzat e prokurorisë, duke pretenduar sipas tij se ato janë ngritur mbi analiza të gabuara të pasurisë.

Më herët, dy anëtarë të tjerë të trupave të Vettingut, pjestarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, janë marrë të pandehur nga SPAK. Njëri prej tyre, Luan Daci, u dënua dhe menjëherë më pas u shkarkua. Ndërsa për Ardian Hajdari, nuk është mbyllur procesi gjyqësor. Të dy, që në momentin e marrjes si të pandehur, u pezulluan nga detyra. Ndërsa KPK, nuk veproi ngjashëm, në rastin e anëtares së vet Çiftja, e marrë e pandehur në qershor të këtij viti, duke e lejuar të vijonte aktivitetin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura