Aktorja Klodiana Keco, memecja që u shndërrua në japoneze

Mar 27, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Brenda kimonos dhe grimit sybajame, Klodiana Keco nuk njihej. Të mos e kishe parë paraprakisht trupën e aktorëve të shfaqjes “Rashomon”, nuk do të kishe menduar asnjëherë që ishte po ajo memecja e filmit “Krom” të shfaqur pak kohë më parë në kinema. Sigurisht që në aktrim, kjo është meritë.

Klodiana Keco në skenat e filmit “Krom”
Klodiana Keco në skenat e filmit “Krom”

Është së pari meritë e saj që arrin ta tjetërsojë veten nga njëri rol në tjetrin. Madje, në shfaqen e fundit, Keco arrinte të bënte tjetërsime të menjëhershme të karakterit me besueshmëri bindëse. Kur shpërthente në të qara, kur ishte urdhëruese e kur koketë… Me një rol në qendër të pjesës, e gjithë “lufta” sillet rreth saj, burrat vihen pas saj.

Në fund, duhet të vihet në radhë edhe publiku, për ta parë sepse Klodiana Keco është nga ato rastet e pakta që të bën të mendosh se disa aktorë të talentuar i kemi! Nëse e humbët këtë fundjavë (sot në mbrëmje e keni aty te Teatri i Metropolit) mund ta shihni tjetrën, nga e enjtja në të diel.

klood

Së pari, meqë jemi në teatër, po kujtoj një përgjigje tuajën te një intervistë e mëparshme, ku thoni pas filmit “Krom” se teatri sapo humbi një aktore…. Ishin emocionet e filmit apo çfarë? Ç’vend zë secili te ju?

Është e vërtetë që e kam thënë, ndoshta e shtyrë nga emocionet e jashtëzakonshme të filmit. Sot do ta shprehja ndryshe frazën, do të thosha që aktrimi është aktrim pavarësisht mjetit përmes të cilit vjen te publiku. Pra, në njëfarë mënyre janë të dyja të shenjta. Njëri për shkak të kontaktit të gjallë me publikun dhe emocionet që i shkaktohen nga shfaqja dhe tjetri për shkak të vërtetësisë njerëzore e jetësore të tij.

Nuk besoj të keni pasur rastin më parë të luani “në Japoni”! Në këtë pikëpamje, te “Rashomon” ç’ndryshonte në ndërtimin e rolit, natyrisht përveç grimit…

Mendoj se te “Rashomon” ishin dy përbërësit e mrekullueshëm të atmosferës; gjeografia me gjithë karakteristikat dhe traditat e një kombi shumë të lashtë dhe fryma e Realizmit Magjik. Kjo atmosferë është sa e largët, aq edhe ndjellëse dhe të shton kërshërinë dhe përkushtimin në mënyrë të vetvetishme.

Mendoj se secili nga ne ka zbuluar shumë gjëra interesante për kombin japonez, këto detaje kane ardhur shumë natyrshëm dhe kanë veshur figurat e karakterit të Kinumesë. Sa më shumë informohesha, aq më shumë pasurohej karakteri. Mendoj se ndryshimi me procesin e krijimit në dallim me rastet e tjera qëndron tek ëmbëlsia e shndërrimit gradual.

krom-7

Kishte aty kapërcime nga një gjendje vajtuese e personazhit në mimikën e një kokete që do t’i dalë e saja. Si ndërtohet karakteri i personazhit me gjithë këto luhatje…

Në fillim kapërcimet nga një “Kinume” te tjetra më dukeshin të pamundura. Nuk e di se si Jonida (regjisorja) arriti të na blindonte teknikisht. Akoma më duket e çuditshme! Sigurisht që edhe puna jonë nuk mungoi. Mesa duket kombinimi i këtyre, njohja e thellë e karaktereve dhe rrethanave nga ana racionale e fizike çoi edhe te ndjesia apo derdhja emocionale.

Meqë jemi këtu, ndoshta për shkak të roleve, duket se ju jeni e prirur për karaktere dramatike. Ka qenë rastësi, i keni kërkuar apo si?

Mendoj se deri tani është rastësi, por kjo rastësi dalëngadalë fillon dhe të përkufizon. Unë uroj që të mos më ndodhë kështu. Në fund të fundit, aktrimi ka në bazë jetën dhe jeta ka si momente dramatike, ashtu edhe komike. Sigurisht që kam luajtur edhe komedi në të shkuarën, por s’e di. Ndoshta do të jem më e qartë për këtë pyetje pas projektit të ardhshëm me teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.

Kam një karakter që po më hyn nga dita në ditë në zemër dhe që është shkruar nga mjeshtri Haxhi Rama. Është një personazh, i cili të bën të qeshësh që në lexim, kështu që tani mbetet të provohet me interpretimin tim nëse ia dal me komedinë apo jo.

nena

Çfarë ju çoi tek aktrimi? Duket sikur keni plastikë të lindur… A kanë rol gjenet?

Nga informacioni që kam mbi gjenet e mia, nuk kam asnjë paraardhës aktor, megjithatë mendoj se talenti është i lindur. Sigurisht që ai duhet të latohet dhe kultivohet me shumë punë, dashuri dhe kulturë në vijim.

Gjithsesi, talenti është një dhunti e dhënë nga Zoti ose nga lart, në fund fare jemi ne përgjegjës nëse e mirëpërdorëm ose e keqpërdorëm. Unë thjesht po mundohem ta shfrytëzoj ashtu si duhet, në pak art për publikun e kombit tim.

Çfarë do ta bënte një aktor të ndihet i “mbushur”? Një rol ëndrrash, një pjesë…?

Dashuria, në të gjitha kuptimet e fjalës. Dashuri për jetën, për njerëzimin, për profesionin. Nëse gjithkush nga cilido profesion do ta donte vërtet atë që bën, besoj se frytet do të merreshin shumë më ëmbël.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura