Ahmetaj: Konfirmohet vazhdimi i reformave dhe stabilitetit politik

Apr 22, 2017 | 8:30
SHPËRNDAJE

Agjencia ndërkombëtare “Moody’s” konfirmoi dje vlerësimin B1 për ekonominë shqiptare. Për prestigjiozen Moody’s, ekonomia në vend u vlerësua e qëndrueshme për shkak të ecurisë pozitive në arkëtimin e të ardhurave, uljen e deficitit buxhetor dhe shpenzimeve të qeverisë.

ahmetaj

“Moody’s” vlerësoi se borxhi publik ka vijuar të bjerë nën 71 për qind për shkak të rritjes ekonomike. Vlerësimin e Agjencisë ndërkombëtare, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e cilësoi konfirmim të vazhdimit të reformave. Ministri Ahmetaj, në një reagim në rrjetet sociale, tha se “Moody’s” thekson rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe stabilitetit politik në vend.

“Agjencia prestigjioze ‘Moody’s’ ka konfirmuar vlerësimin B1 me parashikim të qëndrueshëm për Shqipërinë, duke theksuar forcimin e ekonomisë shqiptare, në reflektim të rritjes së kërkesës së brendshme, sidomos investimeve dhe konsumit, por edhe konsolidimit fiskal e progresit të reformave. Përmirësimi i faktorëve makroekonomikë dhe politikat fiskale konsoliduese të ndërmarra nga qeveria, rezultuan në një performancë më të fortë fiskale. Deficiti u ul në 1.7% në 2016, nga 4.1% që ishte në 2015, duke arritur nivelin më të ulët në dy dekada, ndërsa të ardhurat u rritën me 6.8% më shumë së një vit më parë”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se “Moody’s” vlerëson gjithashtu se konsumi pati një rritje të fortë në 2016 si rezultat i rritjes ekonomike, por edhe përmirësimeve në tregun e punës, falë rritjes së pjesëmarrjes në forcat e punës dhe uljes së papunësisë nga 17.3% në 14.2%.

“Parashikimi për periudhën afatmesme mbetet pozitiv, me rritjen ekonomike që pritet të arrijë deri në 4% në 2017-2018, ndërsa borxhi do të vijojë uljen e qëndrueshme drejt 67.4% e PBB. Kushti i vetëm, edhe sipas ‘Moody’s’, mbetet vazhdimësia e reformave. Vazhdimi i reformave është kyç për të ruajtur ritmin e rritjes ekonomike. Një destabilitet i mundshëm politik në zgjedhjet e qershorit, do të vononte reformat dhe do të pengonte rritjen ekonomike”, nënvizon raporti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura