Administrata, 760 vende pune vakante, Harito: Do hapen procedurat e konkursit për 45 institucione

Mar 31, 2015 | 21:43
SHPËRNDAJE

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, tha dje se kanë nisur procedurat e konkursit për 760 vende të shpallura vakante prej Këshillit të Ministrave. 

Ministrja e Inovacionit dhe Administrates Publike, Milena Harito

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Harito tha dje se konkursi do të zhvillohet sipas ndryshimeve në ligjin për nëpunësin civil.
NDRYSHIMI
“Organizimi është më kompleks. Një institucion dikur hapte një pozicion. Tani institucionet me pozicione të ngjashme i hapin në mënyrë të menjëhershme. Dhe kjo kërkon planifikim dhe koordinim për vendet e punës”, tha Harito. Ajo shtoi se dy javë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar mbi 700 vende vakante për gjithë vitin 2015. Sipas saj, procedurat për plotësimin e pozicioneve të miratuara do të hapen në javët në vijim, por nga momenti i hapjes së pozicionit deri në zhvillimin e konkursit duhet të kalojnë 30 ditë dhe jo 60 ditë që kanë qenë më parë. Ky ndryshim i punësimit në administratën shtetërore do të prekë vetëm kategoritë që kanë statusin e nëpunësit të shërbimit civil, ku përfshihen 10 mijë vetë. “Gjithë administrata është rreth 90 mijë. Nëse vullneti është që gjithë administrata të kalojë në shërbimin civil, pra 90 mijë vetë, gjë që edhe na e kanë rekomanduar, unë jam e para që do gëzohem dhe do të kemi mundësinë të aplikojmë të njëjtat rregulla. Sot flasim për këto 10 mijë vende”, tha Harito.
DEBATI
Sipas ministres Harito, rezultatet e konkurseve do të jenë të drejta dhe jashtë ndikimeve politike. “Konkurset janë të gjurmuara, të sekretuara, transparente, pra nuk ka mundësi manipulimi”, tha Harito. Por ky qëndrim ka zgjuar reagimin e deputetit të opozitës, Genc Ruli. “Konkurset bëhen ashtu si më parë. Emërimi është përsëri përzgjedhje politike”, u shpreh Ruli. Madje, ai nënvizoi se vetë ministrat flasin për reforma të shkruara në letra, por që nuk kanë lidhje me zhvillimet në terren. “Ju ndodh politikanëve me letrat ku e zhvillojnë reformën, magjepsen me të dhe nuk shohin realitetin”, ka shtuar ai. Deputeti i opozitës ka ironizuar me reformën teksa ka shtuar se ka parë “gjinekologë që janë vendosur drejtorë bujqësie, gjeometrin për drejtor tatimesh”. Duke e parë qëndrimin e Haritos si një deklaratë politike, Ruli tha se reforma nuk bëhet me katër muaj magji, apo me një prekje me dorën e shenjtë vetëm sepse e keni në program.

BRAHIM SHIMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura