A është kriptomonedha një ar dixhital? Çmimi i Bitcoin është në rritje, mekanizmi se si funksionon dhe si mund ta blejnë investitorët

Apr 13, 2024 | 7:25
SHPËRNDAJE

Për një periudhë të shkurtër, dukej se të gjithë ata që zotëronin kriptomonedhat bitcoin kishin fituar para prej tyre. Më 5 mars, vlera e kriptomonedhave arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, në 69,000 dollarë, duke kënaqur turmat e dhëna pas kriptomonedhave, shkruan The Economist.

Bitcoin-1-1126

Më pas, kjo vlerë ra paksa. Ky rekord ishte një kthesë e jashtëzakonshme nga ditët e errëta të nëntorit 2022, kur rritja e normave të interesit uli dëshirën për ndërmarrjen e rreziqeve dhe platforma e shkëmbimit të kriptomonedhave FTX, u rrënua.

Blerja e monedhave bitcoin në platforma të tilla shkëmbimi nisi të shihej si një mashtrim për grabitje parash.

Tashmë, nuk është vetëm bitcoin që po rritet, por edhe gjithçka tjetër. Tregjet e aksioneve në të gjithë botën janë afër niveleve rekord. Po kështu edhe çmimet e arit. Edhe çmimet e bonove po rriten pas një periudhe të mjerueshme dyvjeçare.

Ka një sërë arsyesh për këtë lulëzim në botën financiare: zhurma që ka krijuar Inteligjenca Artificiale, gëzimi për gjendjen e ekonomisë globale dhe pritshmëritë për një politikë monetare më të lirë në të ardhmen.

Rikthim-i-Bitcoin-1126

Megjithatë, monedhat bitcoin duket se po ecin më mirë se shumica e aseteve të tjera. Më 10 janar, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve, një rregullator amerikan, miratoi aplikimet nga 11 kompani investimi, duke përfshirë BlackRock dhe Fidelity, për të krijuar fonde të tregtuara me kriptomonedhat bitcoin (të quajtura ETF).

Këto e bëjnë më të lehtë që investitorët të blejnë kriptomonedha. Në vend që të krijojnë një llogari me një sistem shkëmbimi të specializuar, të krijojnë një portofol kripto, të kryejnë një transfertë bankare dhe më në fund të blejnë monedha bitcoin, tashmë njerëzit thjesht mund të hyjnë në llogaritë e tyre të ndërmjetësimit dhe të blejnë një ETF.

Tani, asetet në dhjetë ETF-të më të mëdha bitcoin arrijnë në rreth 50 miliardë dollarë. Dhe kjo veprimtari duket se nxit vetveten: sa më shumë para të derdhen, aq më shumë rritet çmimi, më shumë njerëz flasin për ETF-të bitcoin, më shumë para derdhen, e kështu me radhë.

Mekanizimi

Bitcoin ka ekzistuar për 14 vjet. Mekanizmi elegant nëpërmjet të cilit funksionon dhe nëpërmjet të cilit rritet furnizimi, nuk është hakeruar asnjëherë, që do të thotë se kuponët kripto nuk do të shkojnë asgjëkundi.

Megjithatë, tani është e qartë se ato kanë një përdorim mjaft të kufizuar për pagesa, për shkak të kostove të larta dhe shpejtësisë së ngadaltë të transaksioneve.

Ata që përpiqen të ndërtojnë aplikacione me shërbimin blockchain nuk po e bëjnë këtë duke përdorur bitcoin. Me krijimin e ETF-ve, e ardhmja e bitcoin duket se është përdorimi i saj si një aset investimi dhe asgjë më tepër. Pra, pas kësaj rritjeje fillestare të interesit, si do të jenë kthimet e fitimit?

Do të ishte marrëzi të bënim parashikime, duke u nisur nga e gjithë historia e bitcoin. Gjatë 14 viteve të fundit, kriptomonedha është shndërruar nga një ide e pazakontë, në diçka më të ngjashme me një aset financiar të zakonshëm.

Megjithatë, lëvizjet më të fundit të çmimeve mund të na japin disa të dhëna për të parashikuar të ardhmen. Ka dy shpjegime për këto luhatje. Njëri është se blerjet janë në thelb një bast i madh mbi përparimin teknologjik, me variacione që pasqyrojnë perspektivat për vetë kriptomonedhat.

Për shembull, edhe pse aksionet e kompanive të teknologjisë u rritën në mes të vitit 2021, bitcoin ra pasi Elon Musk postoi tweet-e negative në lidhje me pagesat me kriptomonedha.

Çmimet e kriptomonedhave u ulën edhe në fund të vitit 2022, pavarësisht se tregjet e aksioneve po rriteshin, dhe kjo ndodhi për shkak të dështimit të platformës së shkëmbimit FTX.

A është një ar dixhital

Teoria tjetër është se kriptomonedha bitcoin është si një lloj ari dixhital. Në fund të fundit, furnizimi i tyre është në thelb i kufizuar, ashtu si furnizimi i arit kufizohet nga sasia e metalit në tokë.

Asnjë nga asetet nuk paguan yield dhe nuk gjeneron fitime. Kjo teori u hodh poshtë në vitet 2021 dhe 2022, pasi inflacioni u rrit dhe bitcoin ra, por vitin e kaluar, kriptomonedha përsëri lëvizi në një vijë me arin.

Ndoshta të dyja teoritë përmbajnë elemente të vërteta. Kështu që një aset hibrid, që përfshin fushën teknologjike, kriptomonedhat dhe arin, mund të jetë i dobishëm edhe në portofolat e njerëzve të zakonshëm, veçanërisht nëse lidhet me asetet e tjera që mund të ketë një investitor.

Diversifikimi i aseteve të palidhura mes tyre është parimi themelor i menaxhimit të portofolit. Rishpërndarja e 1% të vlerës së një fondi në bitcoin do të ishte një mbrojtje e mirë me rreziqe të ulëta.

Nëse investitorët e blejnë këtë argument, çmimi i kriptomonedhave bitcoin ka të ngjarë të rritet edhe për njëfarë kohe. Çfarë do të ndodhë kur të ketë përfunduar procesi i kalimit të kriptomonedhës në një aset financiar standard? Le të hamendësojmë se bitcoin do të jetë shtuar në shumicën e portofolave të investitorëve.

Hamendësojmë gjithashtu se teknologjia e kriptomonedhave nuk përhapet me sukses. Në këtë skenar, kthimet e bitcoin-it ndoshta do t’u përngjajnë atyre të arit: pra, do të ketë një sasi fikse të kriptomonedhave dhe çmimi i tyre do të rritej afërsisht në përputhje me stokun e parave.

Kjo nënkupton kthime fitimi të qëndrueshme njëshifrore. Krijimi i një ETF-je bitcoin mund të ketë shkaktuar një furi fitimesh mahnitëse, por e ardhmja e botës bitcoin mund të jetë një rritje më e ngadaltë dhe më e qëndrueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura