“A është dakord ministri?”- Telefoni i biznesmenit “fundos” Evis Berberin! Zbërthehen bisedat e miqve të njeriut të besuar Belinda Ballukut. Tenderët e dyshimtë kalojnë në “sitën” e hetimit

Mar 16, 2024 | 7:47
SHPËRNDAJE

Drejtori i ‘Rrugëve’ bashkë me 2 biznesmenët do të dalin mesditën e sotme (16 mars) para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë.

evis berberi belinda balluku

Seanca ishte parashikuar të zhvillohej ditën e djeshme, por mbrojtësit ligjorë të tre të arrestuarve kanë kërkuar kohë të njihen me aktet e për pasojë gjykata iu ka dhënë 24 orë, duke e shtyrë seancën e parë ndaj tre të arrestuarve të së mërkurës mbrëma. Evis Berberi, në cilësinë e zyrtarit të lartë dhe dy bashkëpunëtorët e tij në biznes, biznesmenët Valter Begaj e Ervis Lami do të përballen me hetimin për nga tri vepra penale, sipas njoftimit paraprak që bëri Prokuroria e Posaçme dy ditë më parë.

Ndërkohë edhe përgjatë së djeshmes kanë dalë detaje të shumta në lidhje me ecurinë e hetimeve, që po kryen SPAK mbi drejtorin e ARRSHsë dhe dy bashkëpunëtorëve. Një telefon i sekuestruar nga BKH dhe që i përket biznesmenit Lami ka nxjerrë në pah biseda kompromentuese, të cilat janë përfshirë në dosjen hetimore, që po kryhet për abuzimet në tenderë të kryer nga ana e zyrtarit.

TELEFONI I BIZNESMENIT

Zbërthimi i telefonit të biznesmenit Ervis Lami “fundos” drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, bashkëpunëtori i më i ngushtë i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i dyshuar për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Gjatë hetimeve të nisura në shtator të 2023, SPAK për këtë çështje ka sekuestruar celularin e zyrtarit të lartë Berberi, biznesmenëve Lami dhe Beja si dhe Brunilda Bulit, ku janë zbuluar edhe komunikimet mes tyre.

“News 24” ka mundur të zbulojë detaje hetimore ku zbardhen bisedat mes të dyshuarve, ku ndër të tjera flitet për tenderë dhe për shuma parash që dyshohet se janë dhënë ryshfet. Në një nga bisedat Valter Begaj i shkruan Lamit: “20 te Enisi, 20 te Berberi”.

Në dosjen hetimore lihet të kuptohet se bëhet fjalë për shuma të dhëna ryshfet. Bisedat sipas SPAK përputhen me të dhënat të tjera gjatë hetimit më shumë se 6 mujorë. Në një tjetër bisedë Ervis Lami i shkruan Brunilda Bulit: “Si e keni situatën me coronavirusin? Më nis një foto, po bej gati dokumentet për t’u fut ne tender, po bej kontratën”.

Evis Berberi dhe dy të dyshuarit e tjerë dolën para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë, por procesi u shty për të shtunën, pasi avokatët kërkuan kohë që të njihen me dosjen. Hetimet kanë në fokus kompaninë ‘DAAM’ sha., të cilën në 2018 Berberi ia bleu Valter Begajt për 800 euro, kompania u shit dhe rishit disa herë në shifra marramendëse deri në 1.7 milionë euro.

Evis Berberi u katapultua në administratë fillimisht ai këshilltar i Belinda Ballukut e më pas në krye të Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. Në këtë pozicion ai firmosi 3 tenderë në favor të ishortakut të tij, Valter Begaj dhe dyshohet së mori ryshfet nëpërmjet kompanisë “DAAM”, që e kontrollon në mënyrë të tërthortë, edhe kur u emërua në krye të ARRSHsë, ai firmosi tenderë për llogari të kompanisë “Net Group” të Valter Begajt, nga i cili dyshohet po ashtu që të këtë marrë ryshfet.

Hetimet për Berberin dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë duke vijuar në drejtim të abuzimeve me fondet e rrugëve. Në një moment, në dosje flitet dhe për një përgjim, ku thuhet se; “a është dakord ministri?”, por pa specifikuar se për cilin nga ministrat bëhet fjalë.

HETIMET

Nga hetimet e SPAK rezulton se Evis Berberi ka kërkuar dhe ka marrë rregullisht para përmes tenderëve që janë zhvilluar në kohën kur ai ka qenë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe kur ka qenë titullar i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë. Në kohën kur Berberi ka mbajtur postin e drejtuesit të ARRSH, SPAK thotë se janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë pa TVSH.

Ndërsa kur ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa TVSH. Në të dyja rastet sipas SPAK fitues i tenderave ka qene “NET-Group”, në pronësi të Valter Begajt, bashkëpunëtor me Evis Berberin. Po ashtu, nga hetimi i SPAK ka rezultuar se shoqëria “DAAM “sh.p.k., në zotërim indirekt të Evis Berberit, ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e Valter Begajt “NET-Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh”.

Kreu i ARRSH, Evis Berberi dhe dy biznesmenë akuzohen për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale.

ARRESTIMI

Kujtojmë që Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij. Sipas SPAK, Berberi në cilësinë e kreut të dy institucioneve shtetërore, ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash nga një shoqëri e cila ka qenë fituese e tenderëve. Për të mundësuar marrjen e ryshfetit ka përdorur një mënyrë të tërthortë, ku shoqëria fituese e tenderëve të institucioneve që ai drejtonte, i transferonte paratë në një shoqëri tjetër të kontrolluar prej tij.

Së bashku me Berberin janë vënë në pranga mbrëmjen e të mërkurës për të njëjtat vepra penale edhe Valter Begaj, pronari kompanisë që përfitonte tenderët dhe njëkohësisht ortak i shoqërisë së zotëruar indirekt nga ana e Berberit, si dhe Ervis Lame, administratori i shoqërisë së Berberit dhe punonjës në shoqërinë e Begajt.

TENDERËT E DYSHIMTË

Firma në pronësi të Begajt “Net-Group” sh.p.k. sipas prokurorisë është shpallur fituese në procedura prokurimi të zhvilluara nga ARRSH, në shumën totale prej rreth 1 mln euro ne tenderë si 146 mijë euro për inspektim të unazës së madhe, një tjetër 410 mijë euro për disa segmente rrugore dhe e treta një tender 460 mijë euro për supervizim në 3 akse të tre rajoneve.

TENDERI PËR UNAZËN E JASHTME, TIRANË

Rezulton se nga këqyrja e sistemit elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik, shoqëria “Net Group” sh.p.k. është shpallur fituese në 3 procedura prokurimi të ARRSH, gjatë kohës që drejtor i përgjithshëm ka qenë Evis Berberi. Bëhet fjalë për supervizionin e punimeve të ndërtimit të unazës së jashtme Tiranë, loti 7″ me vlerë 14.689.713,86. “Për këqyrjen e marrjen e të dhënave nga faqja UEB e Agjencisë së Prokurimit Publik”, datë 12.09.2023, mbajtur nga hetuesi i BKH dhe ku objekt këqyrje janë buletinet e APP Nr. 163, datë 15.11.2021, Nr.85, datë 27.06.2022 dhe Nr.90, date 04.07.2022, ku shoqëria “NetGroup” sh.p.k. është shpallur fituese në procedura prokurimi të zhvilluara nga ARRSH, në shumën totale prej 101,811,343.88 lekë” pa TVSH. Konkretisht, rezulton se shoqëria tregtare “Net Group” sh.p.k. është shpallur fituese në këto procedura prokurimi: i. Procedura e prokurimit qe është zhvilluar nga ARRSH me Nr.Ref.-03685-08-24-2021 ku është njoftuar bashkimi i operatorëve ekonomik “Net Group” dhe “Arabel-Studio”, si ofertë e suksesshme me ofertë në vlerën prej 14,689,713.86 lekë. Përshkrimi i shkurtër i kontratës: procedura e prokurimit me objektin “supervision punimesh ndërtim i unazës së jashtme Tiranë, loti 7”.

Tenderi i dytë është ai për supervizion për mirëmbajtjen me performancë të segmenteve rrugore të shuara me VKM Nr.600, firmosur më 13 tetor 2021. Procedura e prokurimit që është zhvilluar nga ARRSH me Nr.Ref.-22201-03-16-2022 ku është njoftuar bashkimi i operatorëve ekonomik “Net Group” dhe “Sës Consulting Engineering”, si ofertë e suksesshme me ofertë në vlerën prej 41,100,400 lekë pa TVSH, në euro 374.579,68 EUR pa TVSH. Përshkrimi i shkurtër i kontratës: objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: “supervizion për mirëmbajtjen me performancë të segmenteve rrugore të shuara me VKM Nr.600, date 13.10.2021”.

Dy tenderët e tjerë për performancen e akseve në veri, jug e verilindje. Tenderët për supervizion ‘Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të rajoneve/N, 45,388,970.00 (dyzet e pesë milion e treqind e tetëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë) Lekë pa TVSH. Procedura e prokurimit që është zhvilluar nga ARRSH me Nr.Ref.-22220-03-16-2022 ku është njoftuar bashkimi i operatorëve ekonomik “Net Group” dhe “Ses9 Consulting Engineering”, si ofertë e suksesshme, me ofertë në vlerën prej 46,021,230.02 lekë pa TVSH.

Përshkrimi i shkurtër i kontratës: objekti i kontratës/ marrëveshjes kuadër: “supervizion mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të tre rajoneve (veriore, qendrore, jugore) (4 lote) loti 2: kontrata B “Supervizion mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor”, – thuhet në materialin hetimor të SPAK.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura