20-vjeçarët gjermanë s’e kujtojnë dot që ka pasur një kohë edhe pa Angela Merkelin

Sep 19, 2017 | 7:42
SHPËRNDAJE

20-vjeçarët gjermanë nuk e kujtojnë dot se ka pasur një kohë edhe pa Angela Merkelin. Ajo është prej 12 vitesh gruaja lidere e Gjermanisë, e kësaj me gjasë mund t’i shtohen 4 vite të tjera. Traditë që njihet në Gjermani.

Binz Wahlkampf CDU - Merkel (Reuters/A. Schmidt)

Kush do të dijë, pse Angela Merkel vazhdon të qeverisë e pakundërshtueshme, duhet t’i hedhë sytë jashtë partisë së saj. Tek Të Gjelbrit, në të vërtetë kundërshtarët e natyrshëm të konservatorëve, gjen shumë lëvdata për kancelaren. Merkel ka bërë atë që e kërkonin gjithmonë Të Gjelbrit- daljen nga energjia atomike, futjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve.

Sukses në mënyrë presidiale

Fjalë të mirë thotë edhe Sigmar Gabriel, ish-kryetar i socialdemokratëve, dhe ministër i Jashtëm, partia e të cilit duket e dëmtuar në mënyrë afatgjatë, sepse në rolin e partnerit të dytë në koalicion, ajo u zvogëlua gjithnjë e më shumë. „Gjithnjë e drejtë, gjithnjë e fortë”, u shpreh Gabriel në seancën e fundit të Bundestagut para zgjedhjeve.

Tani Merkel kërkon mandatin e katërt. E duket se gjermanët nuk janë ngopur ende me Merkelin. Demoskopët japin vlera që e nxjerrin Merkelin në krye, duket se zgjedhjet janë përcaktuar, sikur të mos ishte barra e një mandati të katërt.

Edhe Helmut Kohl kërkonte në vitin 1994 mandatin e katërt. Pas bashkimit gjerman, përpara tij qëndronte projekti euro,Wolfgang Schäuble, atëherë princi trashëgimtar në CDU, nuk besonte se Kohl do ta arrinte unifikimin e valutës. Kështu Kohl qëndroi.

Rreziku i mandatit të katërt

Por katër vitet e fundit, sidomos viti i 13 deri në të 16-n, ishin më shumë si strofa e fundit e një kancelari të ngrirë në përmendore për Helmut Kohlin. Në fund njerëzit ishin të ngopur dhe kishte ardhur koha e Gerhard Schröderit. Po kështu edhe Konrad Adenauer filloi në vitin 1961 mandatin e katërt, por arriti vetëm gjysmën e legjislaturës.

Binz Wahlkampf CDU - Merkel (Reuters/A. Schmidt)Protestues kundër Merkelit për politikën e saj ndaj refugjatëve…

Merkel e mendoi gjatë, nëse do të kandidonte për herë të katërt. Arsye për këtë ajo ka. Vera e vitit 2015 ishte një pikë kthese. Rreth 1 milionë refugjatët që erdhën në vend, i kushtuan Merkelit gati postin e kancelares, kaq i fortë ishte tërmeti në CDU. Nga ana tjetër ajo u paraqit si nëna kurajoze në gati të gjitha sferat e tjera të shoqërisë dhe politikës. Megjithatë tema e refugjatëve i kushtoi asaj shumë fuqi. Edhe sepse fjalinë e shumëkomentuar „ne ia dalim mbanë” ajo e rikapi dhe u hap ndaj kritikëve.

Ndër arsyet që e bënë Merkelin të kandidojë për herë të katër, shpesh përmenden trazirat politike jashtë Gjermanisë. Trump, Brexit, kriza në BE, populizmi i djathtë, Putin, Erdogan. Merkel shihet si poli i qetësisë në kohë të trazuara. Por këtu nuk duhet harruar edhe faktori i pushtetit. „Ti duhet të kandidosh!”, i kishin kërkuar me radhë miqtë e partisë së saj, kur ajo po reflektonte për mandatin e katërt, rrëfeu Merkel në kongresin e partisë në dhjetor. Me sa duket ajo vendosi të rikandidonte, kur u bë e qartë më 9 nëntor, se Donald Trump i kishte fituar zgjedhjet në SHBA.

Nga karriera e saj e mëparshme ka mbetur fjalia se nuk do ta ndalë karrierën politike si „një karakatinë gjysmë e vdekur”. Si njeri racional ajo me siguri ka verifikuar veten dhe nëse është ndjerë e fortë për të përballuar mandatin edhe për katër vite. Kjo sigurisht, edhe sepse Merkel ka fituar shumë reputacion botëror. New York Times e ngriti atë në „mbrojtësen e fundit të fuqishme të Europës.” Një detyrim.

Binz Wahlkampf CDU - Merkel (picture-alliance/dpa/S. Sauer)

Numri tre në shtet

Si kancelare gjermane ajo ka hapësirë veprimi politik, megjithëse kancelari është numri tre në shtetin gjerman, pas presidentit të vendit dhe presidentit të Bundestagut. Por fjalën e thotë ajo. Politikisht kancelaren e bën të fortë kuadri ligjor, të cilin ia jep kushtetuta kancelarit. Dhe këtë ajo e ka shfrytëzuar. Merkel ka shfuqizuar detyrimin ushtarak, ka inicuar daljen nga energjia atomike dhe hapi kufijtë për refugjatët.

“Ju më njihni!”

Në Gjermani njihen mandatet e zgjatura të kancelarit, – Adenauer, Kohl, janë shembuj të tillë, megjithëse kjo tejzgjatje kritikohet. Gjithnjë flitet për një kufizim të mandateve. Për arsyet e regjencës së gjatë të Merkelit mund të debatohet dhe të mblidhen argumente. Ajo ka nevojë për një kohë të gjatë, deri sa të marrë vendime, por pas kësaj ajo e ndjek rrugën me vendosmëri. Kritikët e quajnë këtë hezitim. Por me sa duket kjo metodë e Merkelit gjen përkrahje. Prandaj ajo nuk ka nevojë të bëjë shumë për të reklamuar veten. Para katër vitesh madje mjaftoi fjalia: „Ju më njihni!” DW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura