“Traviata” kthehet në Teatrin e Operës

Mar 30, 2011 | 10:47
SHPËRNDAJE

Historia tragjike e Violetës rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në datat 2, 3, 4 dhe 6 prill do të rivijë për publikun një nga operat më popullore të Xhuzepe Verdit, “Traviata”. Historia e famshme e dashurisë, mbështetur mbi romanin “Zonja me kamelie” ka parë disa vënie në skenën e TKOB-it, që kanë sjellë në Tiranë emra të mëdhenj si këngëtari dhe regjisori italian Massimo Ranieri, sopranon Ermonela Jaho, tenorin që po përjeton kulmin e karrierës së tij, Saimir Pirgu etj. “Traviata” e radhës vjen nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, skenografi të Taulant Pustinës dhe kostumografi të Hysen Devollit. Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të drejtohet nga dirigjenti Peter Tiboris, ndërsa kori nga Dritan Lumshi. Në rolin e Violeta Valerisë do të interpretojnë sopranot Eva Golemi dhe Ramona Tullumani, ndërsa roli i Alfredos nga tenori italian Fabio Andreotti, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe interpretues në skena të rëndësishme operistike në Itali, SHBA, Japoni, Argjentinë etj. Si gjithnjë vazhdon të ndihet kriza e zërave mashkullorë në TKOB. Përveç Armaldo Kllogjerit, nuk po del një tjetër zë i ri, një tenor për heronjtë romantikë të operave. Krizë kjo që nuk ndihet te zërat femërorë. Kështu, kësaj radhe shohim që listës së sopranove të njohura të TKOB-it t’i shtohet edhe Ramona Tullumani. Ndërsa roli i plakut Zhermon do të interpretohet nga baritoni Ylber Gjini.
“La Traviata”, një nga veprat më të njohura të kompozitorit italian Xhuzepe Verdi, është një opera me tri akte, me libret të Françesko Maria Piaves, i cili u mbështet në romanin e Aleksander Dumasë (i biri). Vënien e parë në skenë e pati më 6 mars të vitit 1853 në teatrin “La Fenice” të Venecias. Opera u fishkëllye në fund. Sopranoja u konsiderua si shumë e madhe në moshë për të luajtur Violetën, ndërkohë që nuk u pritën aspak mirë interpretimet e tenorit dhe baritonit.
“’Traviata’ ishte një dështim mbrëmë. Ishte faji im, apo i këngëtarëve, koha do ta tregojë”, shkruante Verdi në një letër. Por shfaqja u vendos sërish në “La Fenice”, ku u prit me sukses, çka e shoqëron deri në ditët e sotshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura