“Pas dixhitalizimit, çek mujor për pensionistët”

Aug 31, 2012 | 13:46
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho

Drejtoresha e ISSH-së: Po hidhen të dhënat për kontributet nga viti 1947.

Braho: Shkurtohet koha për verifikimin e kontributeve.

“Dixhitalizimi i vjetërsisë në punë do të finalizohet me krijimin e llogarive personale për çdo kontribuues deri në përgatitjen e çekut mujor për pensionistët”. Këtë deklaratë bëri dje drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho. Sipas saj, po punohet me ngulm për dixhitalizimin e vjetërsisë në punë që nga viti 1947 e në vazhdim, që rezultati të jetë i prekshëm sa më parë nga qytetarët. Sipas saj, janë ndier frytet e para të procesit të informatizimit, ku në 12 drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore është transferuar programi i informatizuar. Tashmë çdo kandidat, për të dalë në pension pleqërie, e që një pjesë të periudhës kontributive e ka pasur në ish-kooperativat bujqësore dhe si i vetëpunësuar në bujqësi nga viti 1993 deri më 2012, pajiset në kohë rekord, në rrugë elektronike, me vërtetimin e nevojshëm, ndërkohë që më parë duheshin ditë të tëra për verifikim dhe certifikim. “Parë në kontekstin e rëndësisë sociale për qytetarët, informatizimi i të dhënave, duke përfshirë kontributet, llogaritjen e përfitimeve që jepen nga skema e sigurimeve shoqërore, përbën ndoshta një nga hapat më të rëndësishëm në kuadër të miradministrimit të skemës”, tha Braho. Sipas saj, kjo masë ndërmerret me qëllim që të evidentohet qartë çdo kontribut dhe përfitim, dhe që gjithkush të arrijë të përfitojë atë që i takon nga sistemi i pagesës së pensioneve. Ajo bëri një bilanc të përfituesve nga rritja e fundit e pensioneve që i shtriu efektet financiare nga  1 korriku i vitit 2012. Qeveria rriti me 4% pensionet në qytet dhe 5 % në fshat. Në total, këtë shtesë e përfituan 552 904 persona. “Në qytet përfituan 291 893 pensione pleqërie urbane, 50 167 pensione invaliditeti urbanë dhe 50 656 pensione familjare urbane, ndërsa në fshat përfituan 160 188 pensionistë”, tha Braho. Sipas saj, njëkohësisht nga kjo rritje e fundit përfituan edhe 30 900 persona nga programe speciale, si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë, si dhe profesorë.

Pensionistët
Janë rreth 500 mijë të moshuar që trajtohen me pensione të përmuajshme. Pavarësisht shtesave të herëpashershme, ata ankohen se nuk ia dalin dot të plotësojnë as nevojat më minimale të jetesës. Pensionistët kanë ngritur disa herë shqetësimin edhe për medikamentet me rimbrusim. Ndërkohë, sipas të dhënave që jep Ministria e Punës, krahasuar me vitin 2005, në 2012 evidentohet rritje e të ardhurave të pensionistëve me 60%, ndaj 22% që është rritja e nivelit të indeksit të çmimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura