“Bariu i vuri zjarrin kullotës, e vrava se më qëlloi me shkop”

Aug 31, 2012 | 14:12
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER – “Arrest në burg” ka dhënë Gjykata e Gjirokastrës për Xhevat Dudumin, i cili 5 ditë më parë qëlloi me çifte për vdekje bariun 21-vjeçar, Haki Manaj. Në seancën e djeshme, Prokuroria kërkoi këtë masë për 19-vjeçarin Dudumi, pasi i pandehuri ka kryer krim dhe rrjedhimisht nuk duhet të merren parasysh rrethanat lehtësuese që përcolli përfaqësuesi ligjor i çobanit vrasës. Sipas avokatit të 19-vjeçarit Xhavat Dudumi, rrethanat lehtësuese ndaj klientit të tij duhet të jenë evidente, pasi ai ka pranuar se ka kryer një vrasje dhe kjo jo me paramendim, por në mënyrë rastësore. Në dëshminë e tij rrëqethëse para trupit gjykues, vetë çobani gjirokastrit ka rrëfyer të gjithë episodin kriminal, i cili u finalizua me vrasjen e Haki Manajt. Me lot në sy, ai tregoi se fillimisht janë grindur mes tyre për kullotën e bagëtive që kishin në përdorim. Sipas Dudumit, Manaj në fillim e kishte ofenduar dhe dëbuar nga territori përbri luginës së Drinos dhe më pas i kishte vënë flakën kullotës. Autori është kthyer duke i kërkuar të ndalte zjarrvënien, por viktima sipas tij ka reaguar dhunshëm, duke e goditur me shkop. “I frikësuar, mora çiften për ta frikësuar, por arma shkrehu papritur”, u mbrojt Dudumi. “Ashtu i tronditur kam gjetur një letër plastmasi në tokë dhe e kam mbështjellë, sepse ashtu m’u dha për momentin dhe kjo për të fshehur gjurmët, por më pas, me marrjen në pyetje nga ana e policëve, nuk e mbajta dot dhe pranova aktin e vrasjes së Haki Manajt. Nuk desha ta vrisja, por thjesht ta trembja që mos të më qëllonte më me shkop dhe të mos vazhdonte më t’i vinte zjarrin kullotës”, është mbrojtur 19-vjeçari.    p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura