Zjarrvënia me 4 viktima në spital, çfarë dëshmuan pacientët e hemodializës

Jul 28, 2016 | 22:50
SHPËRNDAJE

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e motivit të zjarrvenies te reparti i Hemodializës, që shkakoi 4 të vdekur, mes tyre edhe autorin, oficerët e grupit hetimor u kanë marrë deklarime disa prej pacientëve që trajtohen në të njëjtin spital për hemodializën.

Momenti kur autori i ve flaken pacientit
Momenti kur autori i ve flaken pacientit

Pacientët kanë dhënë dëshmitë e tyre, jo vetëm në lidhje me ngjarjen, por edhe në lidhje me marrëdhëniet që kishin me autorin e ngjarjes, Lefter Canajn dhe pacientin që u sulmua, Dashamir Saraçin.

Ata kanë deklaruar se për shkak se kryejnë prej vitesh hemodializë dhe janë pjesë e grupit të personave që i nënshtrohen periodikisht procesit të pastrimit të gjakut, kanë njohur edhe Canajn edhe Saraçin.

Dëshmitarët kanë përjashtuar mundësinë e një konflikti të hershëm, apo të vazhdueshëm mes Canajt dhe Saraçit, ashtu siç ka dyshuar nga Policia ditën e ngjarjes. Madje, sipas tyre, ata nuk kanë pasur ndonjëherë përplasje, apo edhe ndonjë debat me njëri-tjetrin. Të dy i kanë përshkruar si njerëz të qetë dhe që nuk përziheshin shumë me të tjerët.

Disa prej pacientëve kanë thënë se, Lefter Canajn e njihnin prej vitesh, por ai ishte një njeri i heshtur dhe nuk bisedonte shumë me ta.

Ndërsa Dashamir Saraçin, përveçse e kanë përshkruar si një person të fortë dhe të guximshëm, pasi sëmundja e kishte prekur në moshë të re, nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me sjelljen e tij, për shkak se ai kishte vetëm disa muaj që kishte nisur hemodializën. Gjithashtu, edhe për ditën e hënë, kur ndodhi ngjarja, dëshmitarët kanë pohuar se nuk ka pasur konflikt mes tyre.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura