Zheji, Zogaj e Çili, libri i ri i Belina Budinit ngjall debate te “Ndikuesit”

Nov 9, 2019 | 10:10
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Çfarë duhet bërë që çdo gjë të jetë ashtu siç duhet të jetë?!”, është ky boshti, mbi të cilin studiuesja dhe Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane në UET, Belina Budini, ndërton librin e saj të tretë, “Ndikuesit”, i promovuar dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.

belina2

Një libër kritik e racional, i cili vë përballë gazetarët me politikën e që, siç thotë analisti Artur Zheji, në një shoqëri si e jona ende të pakonsoliduar, mund të shihet si një përpjekje, që në këtë raport të komplikuar të vendosë disa struktura rregulluese. Libri “Ndikuesit”, botim i UETPress, përfshin 20 intervista të Budinit me gazetarë, analistë, publicistë e eksponentë të ndryshëm të medias e politikës dhe disa prej bisedave janë zhvilluar në kuadër të forumit të përjavshëm të zhvilluar në UET.

belina
Zogaj, Budini e Zheji dje gjatë promovimit të librit “Ndikuesit” në UET

Ky libër vjen për studiuesen e Komunikimit, në një kohë që është përzgjedhur edhe si një nga vizitoret akademike të Oxford University. I konsideruar nga njerëzit e medias si një këndvështrim kritik që i mungonte publicistikës gazetareske, impakti i parë i librit “Ndikuesit” u ndie ditën e djeshme në ambientet e UET, ku ngjalli debate intelektuale, në bisedën e moderuar nga studiuesja e letërsisë, njëherazi drejtore e Qendrës Studimore “Kadare”, Alda Bardhyli.

GAZETARËT, KUSH SHKRUAN PËR TË NDIKUAR?

Ndonëse analisti Preç Zogaj, Presidenti i Institutit Europian Pashko, theksoi se në shkrimet e tij qëllimi për të ndikuar të tjerët është sekondar, kolegu Zheji shpreh një tjetër opinion në lidhje me këtë çështje. “Unë personalisht, përpiqem të shkruaj për të ndikuar, madje në mënyrë virtuale e kam shikuesin parasysh, bisedoj me të. Ndonjëherë i them tekstin që unë dua, herë të tjera mendoj atë që ai do të thotë, që ndoshta nuk është ajo që unë dua, në mënyrë që të përllogaris sa më shumë të jetë e mundur ndikimin”, tha dje Zheji gjatë promovimit të librit. Analisti thotë se parë në këtë pikë vështrimi, titulli “Ndikuesit”, i përzgjedhur nga Budin, merr edhe më shumë kuptim. “Një titull i përshtatshëm për librat që priren të jenë esencialistë dhe jo formalistë, për botimet që kanë një kolonë vertebrale të mendimit, siç është edhe ‘Ndikuesit’, mes të cilëve jam renditur edhe unë”, shton Zheji.

belina1

“ORGANIZMI PRIMITIV I SHOQËRISË SONË KA SHKUAR DREJT MËKATIT”

“Vërtet, kemi ndikuar ndopak apo kemi krijuar alibinë e një demokracie që nuk e kemi?! Pra, në një lloj kuptimi, kur del dikush e bën kritika ndaj qeverisë, Kryeministri vazhdon punën e vet, gazetari e populli po ashtu”. Artur Zheji ndan kështu në UET reflektimin e tij (edhe autoironik) pas leximit të “Ndikuesit”.

Duke bërë një parantezë të shoqërisë shqiptare ende në tranzicion, që pas ’90-s shoi etjen për shumëçka, ndonëse më pak për të drejtën e meritokracinë, analisti shtoi më tej: “Nuk jam dakord me faktin që ndikimi ynë ka qenë i madh, sepse pavarësisht dëshirës për të ndikuar dhe predikimeve, organizmi i egër e primitiv i shoqërisë sonë ka shkuar drejt mëkatit”. Gazetari u shpreh se në një kohë ku sipas tij, pirateria te ne është bërë një mënyrë të jetuari e puna një proces i mërzitshëm, është e vështirë që eksponentët mediatikë të ndikojnë. “Jemi ende një popull që nuk e kemi gjetur veten, një llavë që nuk ka ngrirë. Ndryshe nga shtetet e strukturuara si Franca apo Gjermania, te ne gjithçka është lehtësisht e lëvizshme. Në këto kushte, nëse ne, ‘Ndikuesit’, duam t’i japim formë, është e pamundur”, thotë ai.

zheji

Ndërsa Henri Çili, lidhur me influencën e gazetarëve në zhvillimet e vendit, strukturimin e jetës publike apo rolin e tyre përballë politikanëve, u shpreh: “Shpesh krijohet përshtypja se gjithë kjo ‘bandë’ pothuajse do t’u zërë vendin politikanëve. Flasin me atë patos, me atë pretenciozitet, me atë ambicie dhe me atë strukturë strategjike në retorikë për t’u zënë vendin atyre, por pa u votuar”. Lidhur me reflektimet e kolegëve, Budini theksoi se qëllimi i librit “Ndikuesit” nuk është një matje e ndikimit.

“Ky libër e merr të mirëqenë ndikimin dhe eksploron përmasën ndikuese të eksponentëve të medias. Mat më shumë prirjen, vullnetin, qasjen strategjike, pra, pikat e ndikimit. Pa dyshim që ka një pjesë, e cila tenton t’i ikë kësaj influence e kjo lidhet jo vetëm me normativën, por edhe me praktikën e normave demokratike në shoqërinë shqiptare. Ne do të donim që media të ishte më demokratike, që institucionet tona pa dyshim të ishin në një atmosferë ndërvepruese, komunikuese me njëra-tjetrën dhe të kishim një media të fuqishme që i shton demokratizimin vendit”, shprehet studiuesja.

Preç Zogaj: Një libër që rrit përgjegjësinë e të shkruarit

preci

Shkrimtari e analisti Preç Zogaj, duke iu referuar 3 librave të Budinit, u shpreh se këndvështrimet e studiueses vendosin produktin publicistik në laboratorin e shkencës së komunikimit, rezultatet e së cilës janë një ndihmë e vyer në fushën e medias. “Librat e Belinës rrisin përgjegjësinë e të shkruarit, të bëjnë më kërkues ndaj vetes dhe lexuesit. Është e domosdoshme që të gjithë ne, gazetarë dhe publicistë, ta kemi përgjegjësinë e fjalës, e të shkruarit dhe për këtë meritë kanë edhe librat e Belinës, të cilët mungonin në publicistikën gazetareske”, tha Zogaj.

“Ndikuesit” u vlerësua dje edhe nga Presidenti i UETsë, Selami Xhepa. Sipas tij, ky libër vjen në një kohë kur lipset më shumë se kurrë një reflektim i thellë nga aktorët politikë dhe ata të medias.

“Fatkeqësisht, qëkur relativiteti në fizikë është shndërruar në relativizëm shoqëror dhe kur kufiri midis së vërtetës dhe fake news-it është shkrirë, kam përshtypjen se ka humbur pak koherenca dhe besimi në përgjithësi, i shoqërisë te proceset, te politika, te mediat, por ndoshta edhe më shumë se kaq. Unë mendoj, në mënyrë që t’i japim një besim të rëndësishëm publikut, ka nevojë për një reflektim kritik nga të gjithë aktorët. Në radhë të parë, reflektimi lipset nga politika, meqenëse është ai faktori që duhet të udhëheqë në një analizë të fundit të gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë për të nxitur më shumë besim te publiku dhe libri ‘Ndikuesit’ e jep këtë mundësi”, u shpreh Xhepa.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura