Zgjedhjet, 5 denoncime: Na “blenë” kartat për 2 mijë lekë

Jun 30, 2013 | 10:02
SHPËRNDAJE

ILUSTRUESE
Shoqërohet në Polici i riu nga Puka, referohen kallëzimet edhe për 4 raste. Denoncimet: Na morën kartat e identitetit ditën e zgjedhjeve.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për pesë denoncime që bëjnë fjalë për “blerje të votës” në zgjedhjet e 23 qershorit. Njëri prej këtyre rasteve është denoncuar dy ditë më parë, ndërsa policia ka arritur të identifikojë dhe ndalojë personin e dyshuar. Shërbimet e Komisariatit Nr.4 shoqëruan dje në Polici 21-vjeçarin Bekim Tahiri nga Puka, pasi ndaj tij ka nisur procedimi penal për akuzën e “dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve, si dhe të pengimit të zgjedhësit për të votuar”.

Ndaj të riut tri ditë më parë ishte bërë një denoncim nga shtetasi B.Vani, 25 vjeç, banues në Tiranë. Qytetari pretendonte në padinë e tij se ditën e zgjedhjeve 21-vjeçari Bekim Tahiri i ka marrë kartën e identitetit (mjet i vlefshëm për votim) kundrejt një shpërblimi prej 2 mijë lekësh të rinj. Qytetari ka denoncuar faktin se në momentin kur i është kërkuar karta, i është thënë se ajo do t’i mbahej ditën e zgjedhjeve për t’iu kthyer të nesërmen së bashku me pagesën. Zotëruesi i kartës ka paditur në Polici faktin se personi që i mori kartën nuk i ka kthyer dokumentin, por as paratë që kishte premtuar. Pas denoncimit të marrë nga i dëmtuari, policia shoqëroi dje 21-vjeçarin Bekim Tahiri, të cilit gjatë kontrolleve iu gjet edhe karta që i kishte marrë qytetarit nga Tirana.

Dosja penale ndaj tij u referua në Prokurori për hetime të mëtejshme. Krahas këtij rasti, Prokuroria e Tiranës tha dje se ka marrë edhe katër referime të tjera nga Policia e Shtetit për qytetarë që kanë denoncuar “blerjen e votës”. Bëhet fjalë për padi penale të bëra nga katër qytetarë të Tiranës, që denoncojnë faktin se u janë marrë kartat e identitetit ditën e zgjedhjeve kundrejt premtimeve për shpërblime financiare.

(Lajmin e plote nga Trazhgim Sokolaj e lexoni sot ne Panorama) 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura