Zgjatet deri më 30 Prill afati për kartën e shëndetit

Jan 13, 2016 | 11:43
SHPËRNDAJE

Të siguruarit nuk kanë më arsye që të nguten për t’u pajisur me kartë shëndeti.

Për të ndalur dyndjen e krijuar në qendrat shëndetësore, por edhe për të ofruar më tepër lehtësi dhe shërbim sa më cilësor për pensionistët dhe kategoritë e tjera që përfitojnë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor korrektoi vendimin e mëparshëm, duke bërë të mundur shtyrjen e vlefshmërisë së librave të shëndetit deri më 30 prill të këtij viti.

karte_shendeti_new_14970

AFATI Në këtë mënyrë të siguruarit do të kenë edhe më shumë se tre muaj në dispozicion për t’u pajisur me kartë shëndeti, dhe deri atëherë ata mund të përdorin librezën shëndetësore. Sipas drejtoreshës së FSDKSH-së, Vjollca Braho, vendimi për zhvendosjen e afatit ka si qëllim të sjellë jo vetëm uljen e fluksit të krijuar, por edhe përmirësim të shërbimit të ofruar. “Megjithëse sportelet e qendrave shëndetësore po punojnë me dy turne për plotësuar kërkesat e qytetarëve, sërish fluksi i të interesuarve është i lartë. Pikërisht, për t’u ofruar qytetarëve shërbim të shpejtë dhe në kohën e duhur vendosëm të shtyjmë afatin deri më 30 prill. Besoj se shtyrja e afatit do të sjellë uljen e fluksit, si dhe shërbim akoma edhe me dinjitoz për të gjithë”, ka shkruar Braho në rrjetet sociale. Në dhjetor, Fondi njoftoi daljen jashtë loje të librezës, duke nisur nga data 1 janar. Kjo solli shtim të numrit të qytetarëve që iu drejtuan qendrave shëndetë- sore. Mësohet se vetëm në harkun e një jave, përkatësisht nga data 5 janar deri më 11, në sajë të shtimit të sporteleve, është bërë e mundur shpërndarja e 48 mijë kartave në të gjithë vendin.

JETËGJATËSIA E KARTAVE Ndryshime janë bërë edhe sa i takon jetëgjatësisë së kartës së shëndetit. Kështu, qytetarët nuk do ta kenë më të nevojshme të paraqiten çdo 6 muaj për rinovimin e saj, pasi afati është bërë 1 vit. Lehtësira do të kenë edhe invalidët, si edhe të sëmurët me tumor. Për këta të fundit, karta do të jetë pa afat, ndërsa për invalidët deri në afatin e përcaktuar të vërtetimit. Karta e shëndetit i shërben mbajtjes elektronike së të dhënave dhe lehtëson kohën e mjekut, i cili nuk do ta ketë të nevojshme të plotësojë faqet e librezës. Pajisja e qytetarëve me kartë bëhet falas, pasi shpenzimet mbulohen nga Fondi i Sigurimeve.

 

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura