Zelensky kërkoi bllokimin e anijeve dhe bankave ruse, Balla: Do të ndërmarrim të gjitha hapat, jemi në valën e parë të vendeve që dëmtojnë ekonominë ruse

May 3, 2022 | 13:48
SHPËRNDAJE

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, foli për herë të parë në lidhje me deklaratat e bëra nga presidenti ukrainas Volodymir Zelensky në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkoi bllokimin e porteve shqiptare për anijet ruse, si dhe bllokimin e bankave ruse.

Balla u shpreh se qeveria shqiptare është e pozicionuar qartë kundër agresorit rus, dhe si e tillë do të ndërmarrë të gjitha hapat në mbështetje të Ukrainës.

Nga ana tjetër, Balla e quajti një tullumbace të lëshuar në ajër, kërkesën e ish-kryeministrit Berisha për të ndaluar vizat për të gjithë qytetarët rusë.

“Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat sikurse dhe kryeministri Rama bëri me dije në fjalimin e tij.

Të merremi me gjëra serioze dhe jo me tullumbace populiste. Nuk e kam dëgjuar çfarë ka thënë zoti Berisha. Zoti Berisha nuk ekziston për mua, nuk do t;i përgjigje asnjë pyetjeje që ka fjalën Berisha brenda.

Nëse do ta dëgjoni fjalën e kryeministrit Rama keni të gjitha hapat që do të ndërmarrë Shqipëria në mbështetje të Ukrainës, së bashku me aleatët e tjerë. Qeveria shqiptare do të jetë në valën e parë të vendeve që dëmtojnë ekonominë ruse dhe agresorin. Ne nuk i japim vlerë tullumbaceve që lëshon Sali Berisha. Në pamundësi për tu marrë në konsideratë Saliu mbush tullumbace dhe i lëshon”, tha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura