Zbulohen shifrat dhe llojet e vendimeve për njerëzit e drejtësisë/ KPK bën bilancin e 5 viteve: Ja sa gjyqtarë e prokurorë u larguan

Jul 23, 2021 | 8:20
SHPËRNDAJE

Pesë vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë dje bilancin e procesit të vetingut.

drejtesia

Në këto 5 vite punë, KPKja ka informuar se janë marrë gjithsej 421 vendime për gjyqtarë e prokurorë në procesin e reformimit të sistemit të Drejtësisë. Sipas të dhënave të bëra publike, vërehet se janë “djegur” nga procesi i vetingut 155 gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë shkarkuar nga detyra për të trija kategoritë e vlerësimit. Ata janë larguar nga funksionet që kanë mbajtur për shkak të problemeve me pasurinë, me pastërtinë e figurës ose me aftësitë profesionale.

Ajo që ra në sy gjatë bilancit të publikuar nga KPK-ja është numri i vendimeve për konfirmim në detyrë. Plot 174 vendime janë dhënë në favor të “njerëzve të drejtësisë”, gjyqtarë e prokurorë, që nënkupton se ata kanë qenë të pastër në të trija kriteret e vlerësimit.

bilanci i kpk

Po ashtu, gjatë këtyre 5 viteve të procesit të vetingut, janë dhënë 56 vendime për ndërprerje procesi, pasi personat që do i nënshtroheshin vlerësimit kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë dhe funksionet që mbanin më herët. Nga të dhënat, rezulton se 25 vendime janë dhënë për përfundimin e procesit pa vendim përfundimtar, ndërsa 3 vendime janë dhënë për pezullimin nga detyra për një periudhë 1-vjeçare. Reforma në Drejtësi nisi në vitin 2015 me qëllim pastrimin e sistemit të drejtësisë nga individë të korruptuar.

Përpos vetingut, pjesë e Reformës janë edhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë me njerëz që më parë kanë kaluar në sitën e vlerësimit të pasurisë, cilësisë së figurës dhe aftësisë profesionale. Reforma në Drejtësi gjithashtu është shoqëruar me diskutime, debate dhe kundërshti nga ata që janë vlerësuar negativisht dhe nuk e kaluan vetingun, duke e konsideruar largimin e tyre si të padrejtë. Kujtojmë që SHBA-ja është mbështetësja më e madhe e Reformës për reformimin dhe pastrimin e drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura