Zbulohen sekretet e jetës së diktatorit/ Dekonspirimi i Enver Hoxhës, ja pse u shkarkua si diplomat! Si e kapi Atasheu i Parisit me “presh në duar”!

Dec 7, 2021 | 16:22
SHPËRNDAJE

Berisha jeta sekrete-Shkarkimi0DiplomatEnver Hoxha bënte një jetë të dyfishtë. Para revolucionarëve që bëri miq në Francë e Belgjikë betohej si komunist “deri në vdekje”, ndërsa për mbijetesë si student i dështuar dhe pa diplomë u jepte mësim diplomatëve në legatën e Mbretërisë Shqiptare, derisa arriti edhe vetë të punësohej aty.

Kjo është një pjesë nga faqet e përzgjedhura për sot nga libri i rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber. Një rrëfim për diktatorin shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë, por edhe ironinë. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ish-udhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë. Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale. Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit. Rrëfimi vjen i thjeshtë duke përdorur kohën e tashme, ndërsa në shumë episode autori lë pa shpjeguar “moralin e fabulës”, duke ia lënë interpretimin në dorë vetë lexuesit, sipas dëshirës.

Vepra është e shkruar në frëngjisht dhe nuk është përkthyer ndonjëherë në gjuhën shqipe. Që nga koha e publikimit në një numër të kufizuar kopjesh, biografia nuk u ribotua më as në frëngjisht duke u zhdukur edhe nga libraritë. Në ato pak deklarime që pati dhënë Thomas Schreiber pas publikimit, theksoi se libri asokohe nuk ngjalli interes në Shqipëri, pasi ishin vitet kur veprat e diktatorit dhe për diktatorin, gjithçka rreth tij, grisej ose digjej. Kjo kopje e biografisë është gjetur në një bibliotekë në Francë. Në dy ditë radhazi, gazeta “Panorama.al” ka përzgjedhur për përkthim faktet e reja nga jeta e Enver Hoxhës në vitet 1930-1933, ku flitej kryesisht për atë që cilësohet si pjesa më e errët sa i përket jetës së tij në Francë; tri vitet e studimit në Monpelje (Montpellier).

Gjatë kësaj kohe, sipas autorit Thomas Schreiber, rezultoi se të riut Hoxha i pëlqenin djemtë muskulozë dhe biondë, argëtohej netëve të vona me ta, duke aluduar për prirje homoseksuale. Por paralelisht biografi zbardh për herë të parë edhe lidhjen sentimentale të studentit shqiptar me një vajzë franceze me emrin Luiza. Në numrin e dytë që ishte dje, gazeta vijoi përkthimin e librit me pjesët ku theksohet mbijetesa e Enver Hoxhës me para borxh dhe transferimi nga Monpelje në Sorbonë, ku nis punë si “kopjues adresash”. Sot, në numrin e tretë historia vijon kështu…

****

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Enveri kishte mbërritur në Paris me një tren të natës, i uritur dhe kishte marrë metronë për të shkuar në Quartier Latin. Ai largohet përfundimisht dhe shkon në Bruksel. Këtë herë “Zoti sekretar i konsullatës shqiptare” është edhe korrespondent sekret i të përditshmes komuniste “Humanité”. Ai zbarkon në Gare du Midi dhe merr një taksi që do ta çonte në zemër të qytetit. Në katin e katërt të një ndërtese borgjeze, ai takohet me një grua në moshë, e cila i drejtohet me fjalët “zoti Hoxha”. I tregon shtëpinë që do t’i fshijë menjëherë kujtimin e shëmtuar të papafingos në Paris.

Qysh pasdite, ai takohet me konsullin dhe atasheun e shtypit, në zyrën e kancelarisë, që do të bëhej zyra e tij. Është një zyrë e madhe, plot diell dhe me pamje mbi Bruksel. Vetëm një keqardhje: aty qëndron një portret i madh i Mbretit Zog. I gjori Enver: Kur ngre kokën është i detyruar të shohë “xhelatin e popullit të tij”. Zoti Hoxha e kupton se konsulli dhe atasheu shpeshherë nuk do të jenë në Bruksel dhe ai do të jetë vetë në krye të punëve. Atij i duhet të paraqitet te ministri i Jashtëm belg për t’u akredituar zyrtarisht si kancelar. Konsulli i kërkon të bëjë kujdes në dhënien e vizave: asnjë komunist nuk duhet të figurojë në listën e biznesmenëve apo turistëve që duan të shkojnë në Shqipëri. Më pas, konsulli Marothi i tregon pullat dhe vulat kancelarit që do t’i duheshin për të kryer detyrën e re.

***
Iniciativa diplomatike do të zgjaste vetëm pak minuta. Por asgjë nuk është e pamundur kur bëhet fjalë për “zotin Enver Hoxha”… Më pas, atasheu i shtypit i kërkon të bëjë dhe abonimet. Ai do të mbledhë rregullisht të gjitha shkrimet ku flitej për Shqipërinë. Një fond i veçantë do të bëhej për ripërsëritjen e abonimeve. Pas marrjes së shkrimeve ai duhet të blinte pesë gazeta, duhet të priste artikullin, titullin dhe datën. Dy kopje i dërgoheshin Ministrisë së Jashtme në Tiranë, dy legatës shqiptare të Parisit dhe një e pestë e arkivuar në Bruksel. Pasi i mori të gjitha direktivat, ai i kërkon konsullit një favor në formën e një letre rekomandimi, ku i kërkohej Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Brukselit të mund të regjistronte Hoxhën. Letra e shkruar nga vetë Hoxha, e nënshkruar nga konsulli, do të ishte akti i parë zyrtar i pranisë shqiptare në Bruksel. Të nesërmen, pasi u largua konsulli dhe atasheu, zoti Hoxha hoqi portretin e Mbretit Zog.

Megjithatë, sa herë që bëhej e ditur një vizitë, portreti që paraqiste Zogun ndodhej sërish në vendin e tij. Me sa duket, kancelari bën një jetë të lumtur në Bruksel. I mësuar me restorantet më të mira, tashmë i gatshëm për të paguar ndonjë gotë apo drekë, ai arrin të marrë dhe makinë me qira për të shkuar gjatë fundjavës buzë detit nën shoqërinë e kësaj apo asaj studenteje/studenti, që kishte takuar në Fakultetin e Drejtësisë. Edhe në konsullatë nuk kishte shumë punë; pak kërkesa për viza dhe, si rrjedhojë, pak dhënie vizash. Ndërsa për mbledhjen e artikujve, dukej se Shqipëria nuk i interesonte shumë shtypit të huaj. Kështu, zoti Hoxha mund të merrej me qejfet e tij, të bridhte rrugëve dhe të shkonte në kinema e teatër. Ndërkohë ai u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në vitin e dytë, edhe pse kërkesat e rektoratit drejtuar konsullatës shqiptare për stadin e studimeve të tij në universitetet e Monpeliesë dhe Parisit mbetën pa përgjigje.

Enver Hoxha ne France-rinia-Panorama

***
Me ardhjen e verës, Enveri u kthye në Gjirokastër plot me dhurata për pjesëtarët e familjes, të cilëve iu flet pak për punën dhe akoma më pak për idetë politike. Pas përfundimit të pushimeve, ai kthehet në Bruksel, duke injoruar ngjarjet që po përgatiteshin në Shqipëri. Ndërkohë, në Shqipëri përgatitej një grusht shteti nën drejtimin e një grupi komunistësh të organizuar në vitin 1934 nga intelektuali Zef Mala (Mala ishte kryetar i grupit komunist të Shkodrës. Burgoset nga Ahmet Zogu dhe internohet nga italianët në Itali gjatë viteve 1940-1941. Më 1944-n, Enver Hoxha urdhëron pushkatimin e tij, por Mala arrin t’i shpëtojë vdekjes. Pas luftës arrestohet e dënohet tri herë me burg derisa vdiq më 1979). Në 14 gusht 1935 mbërrijnë në Bruksel lajmet e para që bëjnë fjalë për një kryengritje në Tiranë.

Kancelari merr pjesë në të sipas mënyrës së tij, duke iu drejtuar fotos që mban në zyrë. Dështimin e kryengritjes kancelari e mësoi nëpërmjet agjencive të shtypit. Jeta e bukur dhe e dyfishtë vazhdon ende. Herë pas here ai i drejtohet “Humanité”-s. Artikujt e tij në lidhje me situatën në Shqipëri kishin të bënin me përshkrime stereotip të Zogut dhe oborrtarëve të tij. Pak pas dështimit të kryengritjes së 1934-s, legata shqiptare në Paris informon për hapjen e një konsullate të re në Belgjikë, kësaj here në Anvers. I propozojnë atij që të merret me sekretarinë. Konsulli do të ishte Gottfried Parser; edhe ai ishte si Marothi, një burrë që merrej me tregti dhe që kishte kombësi belge e holandeze. Enveri e pranoi propozimin. Dy herë në javë ai shkon në Anvers dhe paguhet mirë: 300 franga në muaj, plus shpenzimet e udhëtimit. Në punë, ashtu si dhe në kancelari, është e lehtë. Ka gjithë kohën e mjaftueshme të vizitojë muzetë dhe të shijojë kafenetë në port.

Enver Hoxha sulltani i kuq-miqesia-jeta-protesta-dite-nate-anulimi-burses

***

Rrethanat e fundit të karrierës diplomatike duken pak të çuditshme. E ndërsa Hoxha përgatitej për provimin e parë universitar, papritur mbërrin atasheu i shtypit të legatës shqiptare të Parisit, i cili futet në sallon pa lajmëruar dhe e gjen Enverin të zhytur mes librave, gazetave e revistave. Kancelari nuk mundi dhe nuk pati kohë të fshihte literaturën komuniste, veprat e Marksit, Engelsit, Leninit e të Stalinit që kishin mbushur tavolinën. “Çfarë janë këto zoti Hoxha, ju jeni komunist?”, e pyeti ai. I zënë ngushtë, Hoxha shpjegoi se librat i përkisnin një punonjësi që i kishte harruar aty. “Po nuk bëhet fjalë për një gazetë apo revistë të harruar rastësisht, zyra juaj është e mbushur plot”, ia ktheu atasheu. Enveri u bë i heshtur, pasi atasheu e kapi “me presh në duar”.

Një ose dy muaj pas kësaj vizite, ai do të marrë letrën e heqjes nga puna. Le të pranojmë se skena ka qenë e tillë (sipas dëshmisë së atasheut). Po a mund të imagjinohet që një regjim totalitar dhe shumë antikomunist do të linte qoftë edhe një ditë në krye të konsullatës një njeri të dyshuar dhe për të cilin u zbulua një afërsi me komunistët? Përse heqja nga puna zgjati kaq shumë? Ndërsa vetë Hoxha e quan si një epilog të shkruar nga fati… Para se të kthehej në Shqipëri, Hoxha shkon në Vaterlo, ku vargjet e Hygosë i vijnë ndër mend gjithë jetë e forcë.  Aty ai mendon për mundësinë për të qëndruar në Francë apo Belgjikë për të vazhduar studimet, po a i kishte nisur ndonjëherë ato? “E ardhmja ime do të vendoset në Shqipëri, në mes të popullit tim, ku do të jetoj me të mira e të këqija”, kështu përfundojnë kujtimet kushtuar viteve të rinisë. Një rënie e menjëhershme, e denjë për figurën e këtij personazhi.

VIJON…

“Enver Hoxha Sulltani i Kuq”/ Kush është autori Thomas Schreiber

I lindur në Budapest dhe i shkolluar në Paris, në rini ai bëri një jetë të dyfishtë mes këtyre dy shteteve, derisa u vendos përfundimisht në Francë. Gazetar, diplomat, publicist e shkrimtar, specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, ku në fokusin e tij ka qenë veçanërisht Shqipëria. Ka tentuar disa herë të vijë në vendin tonë gjatë regjimit komunist, duke e plotësuar dëshirën e tij në vitin 1981. Thomas Schreiber është autor i dhjetëra artikujve në frëngjisht, hungarisht dhe anglisht.

Ka punuar për gazetat “L’express”, “Le Monde” etj. Ka qenë kolumnist për një kohë të gjatë për RFI, Radio France Internationale dhe vazhdon të publikojë pikëpamjet e tij në “Le Monde Diplomatique”. Disa nga librat e Thomas Schreiber janë: “Veprimet e Francës në Lindje që nga viti 1920”, “Harmattani, sekretari i Përgjithshëm në Belfond”, “Enver Hoxha Sulltani i Kuq”, “Hungaria apo tranzicion paqësor”, si dhe plot broshura të tjera për tranzicionin në Europë. Aktualisht është në pension, por jep mësim me kohë të pjesshme në një universitet shumë të njohur në Paris.

VIJON…

*Ky artikull është përgatitur për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:

Zbulohet jeta e dyfishtë e Enver Hoxhës në Francë! Nga pseudonimi “Lulo Malësori”, te betimi si komunist dhe puna në shërbim të Mbretit Zog (Pjesa 5)

Zbulohen sekretet e jetës private të diktatorit/ Enver Hoxha kishte rivalitet për vajzat me Nedin Kokonën! Në lice i vardisej Sabiha Kasimatit, por…! (Pjesa 4)

“Iu dogj bursa”-Enver Hoxha pa diplomë dhe pa punë, si mbijetoi me para borxh në Francë! Zbardhet jeta sekrete e ish-diktatorit (Pjesa 3)

Zbulohet biografia e rrallë për jetën sekrete të ish-diktatorit! Kush ishte Luiza, e dashura franceze që lidhi Enver Hoxhën me komunistët: I pëlqenin dhe… (PJESA 2)

Zbulohen sekretet e jetës së Enver Hoxhës në Francë! Si ia anuluan bursën për Histori-Gjeografi dhe protesta ditë-natë para Ministrisë së Arsimit! Vizita e parë te e motra në Itali dhe miqësia e ngushtë me djalin e avokatit  (Pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura