Zbardhet vendimi për legalizimet, deri në 500 m² toka me gjysmën e çmimit

Dec 30, 2015 | 9:26
SHPËRNDAJE

Deri në 500 m², toka do të llogaritet me të gjitha lehtësirat dhe reduktimet e parashikuara në ligjin e ri të legalizimeve. Pragndërrimi i viteve e ka bërë qeverinë më të ndjeshme.

Në mbledhjen e saj të fundit për 2015-n janë miratuar dy vendime të rëndësishme që çelin një kapitull të ri në procesin e formalizimit. Ndryshimi i parë ka të bëjë me sipërfaqen për të cilin bëhet kalimi i pronësisë. Deri më tani qytetarët mund të përfitonin nga zbritjet për trefishin e bazës së objektit.

Legalizimet

Pra, nëse shtëpia ishte 100 m², tapia merrej për 300 m² tokë. Për këtë sipërfaqe aplikoheshin edhe reduktimet e parashikuara dhe nëse familja kishte interes për tokë shtesë, detyrohej të paguante me çmim tregu. Por vendimi i ri vendos prag të ri për këtë sipërfaqe. Kjo do të thotë që deri në 500 m² parcela ndërtimore do të llogaritet me gjysmën e vlerës që ka sot në treg, por jo më shumë se 2 mijë lekë për metër katror.

Po ashtu, gjysma e shumës së faturuar mund të paguhet me letra me vlerë, dhe për pagesat brenda 45 ditëve aplikohet 20 për qind zbritje.

KATEGORITË Veç paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe familjeve që janë në skemën e ndihmës ekonomike, 50 për qind të tjera zbritje do të përfitojnë edhe individët që janë me status invalid pune. “Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit të punës ose që kanë bashkëshortë me këtë status, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse, pranë drejtorisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50%, nga vlera e llogaritur”, thuhet në vendim.

Këto familje e përfitojnë vetëm një herë faljen apo zbritjen nga detyrimi për parcelën ndërtimore, cilido qoftë funksioni i ndërtimit.

TAPIA Ndryshimi më i qenë- sishëm është ai që ka të bëjë me regjistrimin e pronës në Hipotekë. Qeveria ka hequr edhe barrierën e pagesës, duke i çliruar qytetarët nga detyrimi financiar që kanë në ngarkim për truallin. Por kjo nuk do të thotë që qytetarët do të shpëtojnë nga fatura. Ata do të marrin lejen e legalizimit nga ALUIZNI, por për tapinë kusht do të vazhdojë të jetë shlyerja e detyrimit financiar.

Praktika e re që do të nisë nga viti i ardhshëm ka si qëllim përshpejtimin e procesit, por nga ana tjetër duhet thënë se nëse pagesa nuk bëhet në kohë të humbur, do të dalin qytetarët, pasi nuk do të kenë më mundësinë për të përfituar nga zbritjet.

“Deri në shlyerjen e detyrimit financiar të parcelës ndërtimore, ndërtimi i legalizuar regjistrohet me hipotekë ligjore”, thuhet në vendim.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura