Zbardhet vendimi i Apelit/ Pse u rikthye në detyrë Luan Daci, ja çfarë argumenton gjykata: Ai…

Jun 10, 2020 | 16:40
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vijon të ushtrojë detyrën e tij pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelimit.Luan-Daci-550x400

Kjo e fundit, më datë 5 qershor, hodhi poshtë masën e pezullimit nga detyra të Luan Dacit, dhënë nga Shkalla e Parë. Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur më herët se duhet të pezullohej nga detyra për shkak të falsifikimit të dokumenteve të kandidimit.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, anëtari i KPA-së, Luan Daci, nuk kishte paraqitur në dokumente masën disiplinore të shkarkimit nga Këshilli i Lartë të Drejtësisë në vitin 1997. Ndërkohë që një prej kritereve për zgjedhjen në Kolegjin e Apelimit është që kandidati të mos ketë marrë masë ndëshkuese gjatë ushtrimit të detyrës.

Më pas, Gjykata e Posaçme e Apelit, në vendimin e saj, të cilin e disponon edhe “Panorama”, thotë se Luan Daci nuk ka falsifikuar asnjë dokument. Sipas kësaj Gjykate, akti i shkarkimlargimit nga puna nuk është detyrimisht i nevojshëm të shënohet në dokumentet e kandidimit dhe Luan Daci nuk ka fshehur apo ndryshuar përmbajtjen e dokumentit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

VENDIMI

“Asnjë normë ligjore nuk kërkon që akti i masës disiplinore të largimit nga puna të shënohet, se duhet treguar apo sidoqoftë të jetë në përmbajte të kërkesës së kandidatit për anëtar në institucionet e rivlerësimit. Ky mosshënim, mostregim apo i çfarëdolloj forme e mohimit të tij, nuk shërben apo nuk është në gjendje të falsifikojë as dokumentin “kërkesë”, sepse ai është dokument që përfaqëson apo provon shprehjen e interesit për kandidim dhe preferencën e vendit vakant dhe jo dokumentin e vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sepse nuk ka ndryshuar, fshirë dhe nuk e ka prishur përmbajtjen e tij. Në këtë kuptim, dyshimi i prokurorit drejtohet ndaj një fakti që nuk parashikohet në ligj si vepër penale, e kështu mosparaqitja, mosshënimi apo sidoqoftë mohimi nga z. Luan Daci i masës disiplinore të largimit nga puna është një fakt, të cilit i mungon kundërligjshmëria”, thuhet në vendimin e dhënë nga gjyqtari i Apelit, Dhimitër Lara, Nertina Kosova dhe Sokol Binaj.

Më tej, në vendimin e dhënë ndaj Luan Dacit, thuhet gjithashtu se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk mund të hetojë veprën e falsifikimit për këtë rast, pasi verifikimi i kandidaturave për institucionet e vetingut është subjekt i institucioneve kontrolluese të këtij të fundit.

“Në vështrimin e argumenteve të prokurorit dhe provave të parashtruara nga ai, ky kolegj verifikon se ato përfaqësojnë apo provojnë si fakt për largimin nga detyra të gjyqtarit për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë, ashtu edhe atë të mosdeklarimit të kësaj mase disiplinore nga i hetuari Luan Daci, gjithsesi të ndryshme këto fakte nga ai i falsifikimit të pretenduar ndaj tij. Nga çka shfaqet e qartë se hetimet e prokurorit janë zhvilluar jo mbi atë të nevojshme që lidhet me ushtrimin e ndjekjes penale për falsifikimin e dokumentit nga ana e z. Luan Daci, por me hetime që lidhen me pozicionin e anëtarit të rivlerësimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar. Vendimi i Gjykatës merret vetëm me faktin nëse Luan Daci ka falsifikuar apo jo një dokument, ndërsa nuk ka dyshime që ai nuk ka paraqitur dokumentin e shkarkimit gjatë kandidimit.

Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, u pezullua nda detyra me vendim Gjykate, më datë 20 maj. Akuza që rëndon ndaj tij është “Falsifikimi i dokumenteve gjatë aplikimit të tij për postin e lartë në sistemin e ri të drejtësisë”. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, deklaroi se Daci kishte paraqitur të dhëna të rreme, duke mbajtur të fshehtë masën disiplinore të “Largimit nga detyra” në vitin 1997, penalizim që do të duhej ta skualifikonte atë nga gara për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Daci ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitet 1994-1997, kur, sipas SPAK, u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë së kohës për “Shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”. Fshehja e këtij fakti nuk e pengoi Dacin të kalonte filtrat e verifikimit në vitin 2017, fillimisht në institucionin e Avokatit të Popullit dhe më pas në Komisionin “Ad Hoc”, të ngritur në Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të vetingut, ndonëse një verifikim i tillë nuk rezulton të ketë qenë i vështirë.

Zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit u bë vetëm një vit pasi atij iu refuzua një kërkesë për t’u emëruar në Gjykatën e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ai nuk e ka përmendur periudhën kur ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 1997. Puna si gjyqtar nuk ndodhej as në CV-në e dorëzuar prej tij. Në maj dhe qershor 2017, Daci kaloi edhe filtrin e fundit të Komisionit “Ad Hoc” me 6 anëtarë për përzgjedhjen e kandidatëve për krijimin e institucioneve të rivlerësimit.

Si u bë Luan Daci gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit

Të gjithë kandidatët për institucionet e vetingut kaluan përmes tre filtrave të verifikimit përpara votimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Institucioni i Avokatit të Popullit verifikoi plotësimin e kritereve formale, duke ia kaluar më pas listën Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që kishte të drejtën të jepte rekomandime negative ose pozitive për kandidatët. Filtri i tretë ishte Kuvendi i Shqipërisë, ku u ngritën 3 komisione “Ad Hoc”, për shqyrtimin e kandidaturave dhe përgatitjen e listës për votim. Asnjëri prej tyre nuk arriti të verifikonte largimin nga detyra të Luan Dacit në vitin 1997. Dosja e aplikimit të kandidatit Luan Daci u dorëzua në Kuvend më 3 mars 2017 nga Avokati i Popullit. Sipas dokumentacionit të aplikimit, Daci ka shprehur interes për të gjitha pozicionet në institucionet e rivlerësimit. Në kërkesën që Daci ka dorëzuar pranë Avokatit të Popullit, ai ka pretenduar se ndaj tij nuk është marrë asnjë masë disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura