Zbardhet kronologjia, si u vra bariu në Maliq/ Nga ndarja e një depoje vite më parë te sherri për qentë, ç’ndodhi në fshatin Rrëmbec. Fjalët e fundit të viktimës

Aug 10, 2022 | 15:44
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Një ditë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Rrëmbec të Maliqit, është zbardhur kronologjia e krimit që në sfond mbart arsye banale.

DELE

Një zënkë për qentë është bërë shkak që të rinisnin sherret e vjetra midis dy fqinjëve, të cilët kishin stanet e tyre ngjitur. Viktima Nesti Sotiri ka qenë duke u kthyer së bashku me kopenë e bagëtive nga kullotat për në stalla, të cilat i ka shumë afër shtëpisë.

Kur ka qenë vetëm 50 m larg banesës, drejt kopesë se tij janë sulur qentë e Velo Hazisllarit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i viktimës, i cili për t’u mbrojtur ka goditur me shkop qentë e autorit. Kaq ka mjaftuar që të riniste sherri midis tyre me grushte dhe sende të forta si shkopinj.

Në sherr e sipër, autori i dyshuar Velo Hazisllari ka nxjerrë një biçak, të cilin e kishte me vete, duke e goditur vetëm një herë në pjesën poshtë barkut 60-vjeçarin. Goditja ka qenë fatale për Sotirin, i cili gjatë transportin për në spital ka humbur sasi të mëdha gjaku. Mësohet se goditja me thikë i ka prekur 60-vjeçarit, arterien kryesore, duke i shkaktuar edhe humbjen e jetës.

KONFLIKTI

Sherri për qentë ishte epilogu i një konflikti disavjeçar midis autorit dhe viktimës. Pavarësisht se ishin fqinj, ata nuk flisnin prej kohësh me njëri tjetrin dhe shkak është bërë ndarja e një depoje që do të përdorej gjatë këtyre viteve nga të dy për stallë bagëtish.

Grindje të vazhdueshme midis viktimës dhe Hazisllarit ka pasur edhe për kullotat e kafshëve.

EDHE AUTORI I PLAGOSUR

Nga sherri midis dy burrave, ka bërë që në spital të përfundojë edhe autori i dyshuar. Velo Hazisllari ka marrë plagë të shumta dhe ndodhet i shtruar në Spitalin e Korçës, nga ku edhe është arrestuar. Shkak për plagët janë bërë goditjet me shkopinj. Si autori, ashtu edhe viktima, kanë qëlluar njëritjetrin me shkopinjtë që mbanin për bagëtitë.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e vona të së hënës në fshatin Rrëmbec të Maliqit. Policia e konsideroi ngjarjen për motive të dobëta.

“Më datë 08.08.2022, rreth orës 21:40, jemi njoftuar se në fshatin Rëmbec, Maliq, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi N. S., i cili pasi mbërriti në Spitalin e Korçës, ka ndërruar jetë.

Menjëherë pas marrjes të njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes ku bënë të mundur edhe identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi V. H., që për shkak të dëmtimeve të marra, ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Korçës, me të cilin do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia lokale në njoftim.

“Hajde se më vrau”, si e mësoi lajmin djali i viktimës

Pas ngjarjes së rëndë, në Polici është shoqëruar djali i Nesti Sotirit, i cili ishte dëshmitari i vetëm i ngjarjes dhe ai që transportoi të atin për në spital. I riu Erion Sotiri dyshohet se ka qëlluar me grushte autorin që i vrau babanë me thikë.

I riu ka qenë në stallën ku mbanin bagëtitë kur qentë i fqinjit i janë sulur babait të tij dhe pas këtij momenti, pronari i tyre është përfshirë në sherr me sende të forta. Mësohet se 30-vjeçari ka shkuar në vendngjarjes, pasi babai i ka kërkuar ndihmë si pasojë e plagës së marrë, që më pas do të ishte vdekjeprurëse për të. “Hajde se më vrau”, mësohet të ketë thënë Nesti Sotiri.

Ka qenë ky moment kur Erion Sotiri ka goditur autorin e dyshuar, shtetasin Velo Hazisllari, duke i shkaktuar disa plagë. Do të jetë dëshmia e 30-vjeçarit ajo që do të zbardhë të plotë ngjarjen e rëndë që i mori jetën bariut 60-vjeçar në fshatin Rrëmbec të Maliqit. Vëllai i autorit është shprehur i shokuar, ndërsa të afërmit e viktimës akuzojnë autorin dhe presin dënim maksimal për të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura