Debati i plotë Doshi-Rama në grup/ Deputeti: Biseda e Ramës me Priftin para 21 Janarit në shtëpinë time teksa pinte verë

Mar 3, 2015 | 16:47
SHPËRNDAJE

Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist, ashtu siç pritej, është zhvilluar mes debateve dhe tensioneve. Kryeministri Rama u përplas para deputetëve socialistë me deputetin e Shkodrës, Tom Doshi, pas akuzave të këtij të fundit ndaj qeverisë dhe ministrave. Por duket se këtyre akuzave, dje iu shtua një tjetër. Ajo e tentativës, apo porositjes së eliminimit fizik të deputetit të Shkodrës.

TOM DOSHI DHE EDI RAMA DJE PAS MBLEDHJES SE GRUPIT TE PS

Doshi ka nisur sulmin e akuzave ndaj Ramës sapo ka dëgjuar Kryeministrin të lexojë fjalën e tij deri në fund, ku konkludohej me ftesën për të nxjerrë jashtë Grupit Parlamentar deputetin e Shkodrës. Doshi i është drejtuar Kryeministrit Rama me fjalët “mosmirënjohës”, “bukëshkalë”, ndërsa nuk ka hezituar të paralajmërojë një betejë të hapur në qarkun e Shkodrës ku PS, sipas tij, nuk do të mund të fitojë asnjë zgjedhje. Ai i ka kujtuar Ramës, se çfarë ka bërë në zgjedhjet e 2005-s dhe 2009-s. Akuzat e Doshit ndaj Kryeministrit Rama kishin lidhje dhe me sigurinë e tij fizike. 

“Ti para zgjedhjeve më rrije mua para-mbrapa, ke ardhur në shtëpinë time para 21 janarit dhe i ke thënë Dritan Priftit, pasi ke pirë verë, “Please do it”. Ndërsa tani nuk denjon me më prit, sepse e more pushtetin dhe nuk ke më nevojë për Tomën”- ka thene ai.

“Ti je peng i Ilir Metës. Është kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. Kam pesë muaj që të kam denoncuar tentativat për të më eliminuar fizikisht mua dhe deputetin Mhill Fufin, por ti s’ke reaguar. Duket se po pret që kjo të ndodhë”, mësohet t’i jetë drejtuar Doshi Kryeministrit Rama, duke krijuar një situatë heshtjeje të thellë në Grupin Parlamentar socialist. Pasi ka thënë këto fjalë, deputeti i qarkut të Shkodrës ka lënë mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe është larguar. Pas largimit të Doshit, Ramës i është dashur të sqarojë deputetët për të vërtetën e akuzës.

“Me të vërtetë Doshi e ka adresuar një shqetësim të tillë, se i rrezikohej jeta nga dikush dhe se institucionet ligjzbatuese janë vënë në lëvizje, madje e kanë marrë në mbrojtje. Të gjitha institucionet i kanë marrë në rrugë zyrtare shqetësimet dhe janë vënë në lëvizje, kjo është e dokumentuar. Asgjë nga këto që shprehet Toma nuk qëndron”, mësohet të ketë thënë Rama.

Edi Rama: Unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare.
Tom Doshi: Ti je mosmirënjohës, je bukëshkelur, je qenia më e keqe që unë kam njohur. Më ka thënë Blushi para ca vitesh, si ka mundësi që ti e beson atë, por unë të besova. Mos mendo që me deputetët që ke atje (Paulin Sterkaj, Mimoza Hafizi, Namik Kopliku) mund të hysh në Shkodër, se në 2005-n dhe 2009-n këta bënin peticione për të të rrëzuar ty.
Tom Doshi: Ti ke aluduar për mua për favore personale. Thuaja Grupit Parlamentar se çfarë favoresh personale kam kërkuar unë nga ty. Ti e di shumë mirë se kam katër muaj që nuk komunikoj me ty. Ti para zgjedhjeve më rrije mua para-mbrapa, ke ardhur në shtëpinë time para 21 janarit dhe i ke thënë Dritan Priftit, pasi ke pirë verë, “Please do it”. Ndërsa tani nuk denjon me më prit, sepse e more pushtetin dhe nuk ke më nevojë për Tomën.
Tom Doshi: Ti je peng i Ilir Metës. Është kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. Ti kam thënë rastet kur kanë dashur të më vrasin mua dhe Fufin, por ti s’ke reaguar.
Tom Doshi largohet nga mbledhja e Grupit Parlamentar
Edi Rama:Me të vërtetë Toma më ka adresuar një shqetësim të tillë, se i rrezikohej jeta. Por institucionet ligjzbatuese janë vënë në lëvizje, e kanë marrë raportimin dhe kjo është e dokumentuar. Madje Toma është marrë në mbrojtje. Të gjitha institucionet i kanë marrë në rrugë zyrtare shqetësimet dhe janë vënë në lëvizje, kjo është e dokumentuar. Asgjë nga këto që shprehet Toma nuk qëndron.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura