Zbardhen letrat e pabotuara të dashurisë së Oriana Fallacit me gazetarin

Aug 4, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Alfredo Pieroni, dashuria e parë e gazetares dhe e shkrimtares Oriana Fallaci, në vitet e pleqërisë u kthehej e rikthehej letrave të dashurisë që i kishte dërguar Oriana në vitet ’50. I kishte ruajtur me xhelozi, pavarësisht që marrëdhënia e tyre përfundoi keq, thuajse tragjikisht. Sot, korrespondenca është në duart e mbesës së tij, Wanda Pieroni. Janë rreth 100 dokumente të mbledhura në dy fonde. Materiali përmban letra të shkruara me dorë dhe të daktilografuara, rrëfenja të shkurtra, bileta, kartolina e fotografi.

Një pjesë e letrave janë fotokopjuar. Sipas asaj çka shihet, mundet që të mungojnë shumë dokumente. Një dorë “armike”, siç ndodh përgjithësisht në të tilla raste, ka përpirë një pjesë të letrave, pikërisht me justifikimin se po i fotokopjonte. Shëndeti i mirë nuk e lejoi Alfredon të çonte të drejtën në vend. Kjo shpjegon më së miri mospërputhjen e dokumenteve nga pikëpamja kronologjike. Megjithatë, ky konsiderohet një udhëtim i shkurtër në jetën private të Fallacit.

Ajo vetë ka treguar jo pak në libër, por asnjëherë e vërteta nuk ishte zbardhur siç ka qenë. Vlen për t’u theksuar se Pieroni nuk iu përgjigj kurrë letrave të saj. Nuk është e qartë se kur ka ndodhur takimi i parë mes tyre. Referencat e para i përkasin librit “Shtatë mëkatet”, që Longanesi i propozonte Fallacit në pranverën e vitit 1958, megjithatë kjo nuk ishte koha e njohjes së parë. Wanda, mbesa e Pieronit, kujton të ketë dëgjuar prej xhaxhait të saj për një lidhje që ka zgjatur pak a shumë 5 vjet. Në vitin 1958, Pieroni ishte korrespondent nga Londra i së përjavshmes “Incom”. Ai pati lindur në vitin 1923; ishte 7 vite më i madh në moshë, por me më pak famë se Oriana.

E megjithatë, gazetarja është e gatshme të mohojë jetën për të pasur dashurinë e tij. E gjithë kjo duket qartë nga letrat e njëpasnjëshme që i dërgon, janë të gjitha nën të njëjtën frymë, derisa situata nga fundi përkeqë- sohet. Ajo ka ëndrrën e çdo vajze, ndërsa ai nuk do lidhje të qëndrueshme, aq më pak fëmijë. Rreth argumentit duket se ka qenë gjithnjë i prerë. Në momentet e bukura gjenden edhe mesazhe gazmore që i dërgonte nga vendet ku shkonte për shërbim, si Turqia apo Teherani. Në një periudhë kohe nga letrat duket se marrëdhënia arriti një pikë normaliteti që u arrit me nismën e Orianës. Duket nga dhuratat që i bënte. I kishte blerë një orë floriri, kujdesej gjithnjë t’i blinte medikamentet. Në të vërtetë duket një normalitet i stimuluar.

Oriana Fallaci
Oriana Fallaci

Në pranverën e vitit 1958, shkrimtarja ishte shtatzënë, por nuk e ushqen veten me shpresa: Pieroni nuk ishte i interesuar për të krijuar familje. Nga ana tjetër, ka frikë ta humbasë. Nga kjo ngjarje e në vazhdim letrat janë tragjike. Fallaci mendon për abort, por i duhet ndihmë: “Po të kërkoj një nder, duke kërkuar falje për shqetësimin, por ti do të më kuptosh. Shih nëse mundtë gjesh (në Londër) dikë që të jetë i zoti për ta zgjidhur këtë punë në pak kohë; dikë që të jetë i zoti”. Në të vërtetë, aborti, nga ana e saj, është një sakrificë e domosdoshme për të mos larguar Alfredon.

Në të njëjtën letër lexohet: “Përshëndetje, shpirt, e gjithë kjo nuk më pëlqen aspak dhe më kushton shumë, por nëse ti do të duash të më shohësh, do të të shpjegoj përsenë. Por jam e bindur që këtë gjë duhet ta bëj, përndryshe do të të shkatërroja jetën; për timen nuk më intereson më…”. Në maj të po këtij viti, Oriana pëson abort spontan. Vijon të shkruajë fjali të pashpresa, të cilat nuk marrin përgjigje dhe jo shumë larg kësaj dite përfundon në psikiatri. Pas kësaj faze duket se e rimerr jetën për të nisur ca më vonë një dashuri tjetër, asfare të lehtë…

ZBULOHEN LETRAT E ORIANA FALLACIT

***
Po kaloj një periudhë të keqe, të gjithë më shkaktojnë pakënaqësi… Jam e dëshpëruar dhe e zhgënjyer dhe ti, të betohem, je i vetmi që më ndihmon të marr frymë. Më thuaj nëse ke nevojë për diçka, nëse mundem të bëj diçka për ty, më dërgo lajme të mira. Do të jepja 20 vite (duke marrë të mirëqenë se më kanë mbetur edhe aq) për të çuar në djall mbarë botën dhe të jem tani me ty në “Princes Gate”, për të të pastruar këpucët. Unë ekzistoj dhe ekzistoj bashkë me vlerat e defektet e mia, vetëm për ty dhe pavarësisht se sa çupëlina mund të ftosh për darkë o në fshat, o në shtëpinë tënde, e pavarë- sisht se mund të të pëlqejë fakti që të gjitha ato janë më snob apo më të pasura se unë, asnjëra nuk do të ishte në gjendje të të donte apo të të duronte padrejtësitë, kaq sa unë.

***
Edhe pse tani ti më do, ose më do vetëm pak, mendoj që nëse do të jem në gjendje të rezistoj, pra, të jetoj, ndoshta edhe ti një ditë do të arrish të më duash; atëherë do të jetë dita e mrekullisë dhe mund t’i lejoj vetes të përfundoj nën një tramvaj (…) Të lutem, vazhdo të më lejosh të të dua: Janë disa momente, gjatë të cilave më duket se të kam vetëm ty në këtë botë dhe se nga kjo gjë nuk mund të më vijë asnjë e keqe, veçse të mira.

***
Ideja se mund të të humbas më trondit deri në atë pikë sa humbas çdo forcë, njësoj sikur të kisha vdekur… Nuk kam frikë se mund të ndihem keq: dhembja fiz- ike nuk është e rëndësishme dhe as që i druhem. Kam vetëm frikën që më pas ti nuk do të më duash asfare, sepse unë nuk dua të më duash vetëm pse je i përgjegjshëm. Në atë mënyrë, kurrë! Këto ditë është njësoj sikur të isha krejt e vetme, kupton, njësoj sikur të mos kisha askënd tjetër në botë veç teje dhe kjo nuk do të thotë që po kërkoj të të jap përgjegjësi; po kërkoj vetëm të jesh i mirë me mua dhe “të më falësh”.

***
Ka ekzistuar gjithnjë një optimizëm i pashprehur tek unë: një rezistencë kokëforte ndaj fatkeqësive dhe një forcë e çuditshme për t’u rikuperuar. Por tani ndihej me kthjelltësi që kjo forcë po më braktis. Jo sepse më vjen keq prej dhimbjes apo pse këmbët nuk më binden, por sepse, duke arsyetuar, kam kuptuar se sa pandreqmërisht e vetmuar jam dhe që kjo përvojë shkatërrimtare më ka shërbyer për të afruar e sigurisht që nuk mundem të të dënoj për këtë: ke qenë, pavarësisht të gjithave, i vëmendshëm dhe xhentil.

***
Po jetoj në apati të zymtë. Nuk më intereson më asgjë, nuk shpresoj më për asgjë: ky zemërim që është dorëzuar për më të keqen, në një kuptim, nga dëshpërimi që më pushtoi pas asaj fundjavës së tmerrshme në Londër, shpërtheu në qortimet e tua e më pas në ato shpjegimet e ndershme e të nevojshme, që, tek e fundit, e dimë, nuk i doja. Keqkuptimet i jepnin shpresë e kuptim jetës. E vërteta më ndjell vetëm gjumë, dëshirë të qetë për të vdekur , pra, më heq çdo shije të jetës. Jo, mos u druaj: nuk do të marr hapje si Cesare Pavese. Pavarësisht gjithçkaje, nuk do të doja të bëhesha qesharake. Megjithatë është njësoj sikur t’i kisha marrë.

***
I dashur Alfred, të hënën në mëngjes do të jem në Londër. Do të qëndroj 24 orë përpara se të shkoj në Bruksel. Do të kaloj në Normandi. Do të pres telefonatën tënde, qoftë edhe një mesazh. Unë as mundem e as dua të të marr. Shpresoj që ti ta bësh. Të hënën është ditëlindja ime. Do të doja, edhe pse gjithçka ka marrë fund, të kaloja të paktën darkën me ty. Sepse unë të dua gjithmonë, pavarësisht të gjithave. Nuk mund të bëj asgjë për ta ndryshuar. Të dua, Oriana.

Përgjigjja e Vittorio Feltrit, kryeredaktorit të “Il Giornale”, gazetës që botoi për herë të parë letrat e Fallacit, pak ditë më parë

Vittorio Feltri
Vittorio Feltri

E dashur Oriana, dëgjoj melodinë e letrave tua, për ekzistencën e së cilave isha në dijeni, sado që isha përpjekur të shpërfillja përmbajtjen, dhe zbuloj me habi që i përkisje llojit të qenieve njerëzore, një njeri me trup e shpirt (të pavdekshëm), prandaj subjekt i nënshtrimeve që karakterizojnë burrat e gratë, mes së cilave sëmundjet, duke përfshirë edhe ato më të bezdisshmet, të afta për të goditur qenie të gjalla e të pasura me sistem imunitar të mrekullueshëm: dashurinë.

E pra, dashuria është sëmundje agresive. Ai që preket prej saj është i bindur se do të vdesë; nuk mendon për mundësinë e kurimit e as të përmirësimit. Madje, aq shumë mbyllet në dhimbjen e vet, sa gati e shijon vuajtjen që dashuria shkakton, aq sa i gris gjoksin. Simptomat, shpeshherë, janë të padurueshme. Në mëngjes, me t’u zgjuar, të sulmon dëshira për të (femrën/mashkullin); ndjerë nevojën për t’i folur, ke dëshirë urgjente për ta parë.

Rri e vëzhgon telefonin për të verifikuar nëse “zonja” të ka nisur një mesazh. Nëse zilja e telefonit dëgjohet, vrapon për ta kapur, sheh ekranin dhe, nëse nuk e njeh numrin, nëse nuk është ai që prisje, të pushton zhgënjimi. Por ka akoma. Nëse ndez radion dhe dëgjon një këngë të çfarëdoshme, duke përfshirë atë më budallaqen, e gjen veten duke thënë: pasqyrojnë të gjitha emocionet e mia. Mundet që dikush ta përkufizojë këtë gjendje si më normalen e dashurisë, por thelbi mbetet i njëjtë; je keq, nëse nuk ke sigurinë që dashuria po të kthehet. Nuk ka asgjë më të lehtë se pasioni: të gjithë, herët a vonë, ndiejnë të njëjtën dhimbje, boshllëk në stomak, gjendje të keqe, të aftë për të të hequr interesin nga cilado ngjarje e jetës së përditshme.

Në njëfarë pike ke përshtypjen se ditët, nëse nuk janë të mbushura me praninë e të dashurit/ës, kalojnë pa kuptim. Por po thosha se nuk ka asgjë më të lehtë (kalimtare) se pasioni, sado që yni na duket i pafund, vuajtja është e njëjtë te çdo individ. Oriana, shpërthimi yt në letrat për Alfredon, që ishte një gazetar i shquar, por jo aq sa ti, tregon një dobësi që nuk dyshoja se ti, personazh i identifikuar si “i fortë”, e kishe. Më vjen mirë të zbuloj se nuk je ndryshe nga ata, të cilëve u ke dedikuar librat apo artikujt e tu. Është ngushëlluese të zbulosh se edhe pse dikush ka një gjykim superior nga yti, në fund të fundit, ka karakteristika të përbashkëta në një fushë, në dashuri, ku të gjithë janë të lehtë për t’u prekur.

Në fakt, nuk mund të thuhet që natyra është demokratike: frymorët janë të ndryshëm njëri nga tjetri; ndryshojnë nga inteligjenca, talentet… Por, kur janë të dashuruar, papritmas, ndryshimet zhduken: janë njësoj budallenj dhe njësoj të çmendur. Ai që nuk është i mirë në asgjë, bëhet i zoti në gjithçka. Edhe në poshtërime. Herët a vonë, dashuria kalon dhe i lë radhën anës qesharake të së gjithës, të kujtimeve e të kohërave kur shihje gjithçka ashtu siç nuk ishte.

Kur bëhesh i vetëdijshëm, kupton se nuk e kishte aspak keq Gianni Agnelli kur thoshte: “Ndjenjat janë për shtëpiaket; të fyejnë dinjitetin”. Megjithatë, ai mendonte se dinjiteti mund t’i vidhej vetëm atij që e kishte. Dhe se ia vlente që këtë dinjitet më mirë të ta vidhte një grua o një burrë, sesa pushteti, sepse ky i fundit zgjat gjithnjë më pak. E dashur Oriana, o Zot sa të ngjaj, për keq!

Përgatiti: Ani Jaupaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura