Zbardhen kuotat që anëtarët e PS-së duhet të paguajnë në 2015, deputetët dhe biznesmenët në krye të listës

Jul 18, 2015 | 21:09
SHPËRNDAJE

Gjatë mbledhjes së zhvilluar paraditen e së shtunës Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka vendosur miratimin e kuotave mujore të anëtarësive të reja për vitin 2015.

Kryetari i PS Edi Rama dhe deputeti Gramoz Ruci gjate Asamblese Kombetare

Sipas kopjes së projekt-vendimit të siguruar nga “Panorama”, thuhet se studentët, pensionistët dhe punonjësit e fshatit do të kenë kuotën më të ulët të pagesës prej 30 lekësh, ndërsa biznesmenët dhe deputetët e PS-së do të paguajnë nga 6 mijë lekë në muaj.

Projekt-vendimi i dalë nga Asambleja thuhet se mbështetet në Statut e partisë dhe detyron të gjithë anëtarët e saj që të bëjnë një pagesë fikse mujore.

“Bazuar në Statutin e PS, neni 50, pika 2 “Kuota mujore ose vjetore për anëtarët e Partisë përcaktohet në fillim të çdo viti me vendim përkatës të Asamblesë Kombëtare të PS” dhe Neni 9 “Detyrat e anëtarit të partisë”, pika 1 “Anëtari i PS është detyruar të bëjë pjesë në një organizatë të PS dhe të paguajë rregullisht kuotën e anëtarësisë”,-thuhet në projekt-vendimin e PS-së.

Më herët, gjatë fjalës që kryesocialisti Edi Rama mbajti në Asamble, foli për rritjen e kuotave të anëtarësisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017-të.


Faksimile e vendimit te Asamblese se PS-se

Dokumenti mban emrin e kreut të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi dhe thekson se nëse anëtarët që preken në më shumë se një nga kategoritë e mësipërme të parashikuara në vendim, detyrohen të paguajnë kuotën më të lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura