Ylli Demneri, joshja e kujtimeve

May 31, 2018 | 12:19
SHPËRNDAJE

Çapajev-GjokutajÇAPAJEV GJOKUTAJ

Më kujtohet tufa e tharë e nenexhikut varur në gozhdë”, “Më kujtohen  fshatarët me çadrën prapa kurrizit, kapur në jakën e xhaketës”, “Më kujtohet qetësia që krijonte dëbora në oborr. Jo vetëm kur ndodhesha prapa dritares, por edhe kur dilja jashtë. Një qetësi e pambuktë”, “Më kujtohen basetat e gjata të Pipo Baudo-s dhe kërcimet e Raffaella Carrà-së të dielave në RAI Uno”.

Libri “Më kujtohet 2” i Ylli Demnerit përmban 359 tekste të kësaj natyre. Të gjitha fillojnë me frazën “më kujtohet” dhe, si rregull, nuk zënë më shumë se 3-4 rreshta. Gjëra fare të thjeshta dhe të thëna lirshëm, pa sforcim, madje me një lloj shkujdesjeje. E megjithatë, leximi krijon një lloj tërheqjeje, një joshje a vesk që s’është lehtë ta gjesh nga buron.

2. Kujtimet thuajse gjithnjë ngërthejnë një lloj poezie. Ngjan sikur vijnë nga e shkuara, por kjo është gjysma e së vërtetës. Në fakt gjenerohen në aksin që lidh të sotmen me të shkuarën.

Duken si thirrje nga e shkuara, por është e kundërta, janë jehona që e shkuara përcjell për ca kërkesa të së sotmes. Parë kështu, kur gjenerojmë, rrëfejmë a lexojmë kujtime, jemi edhe në të sotmen edhe në të shkuarën, luajmë me kohën, ndiejmë fuqishëm rrjedhjen e saj. Dhe rrjedhja e kohës përfshin jetën dhe vdekjen, gëzimin e ekzistencës dhe ankthin e hiçit, me një fjalë, thelbin e metafizikës humane, majasë që fermenton fjalët për t’i kthyer në letërsi. Kjo lojë mes të djeshmes dhe të sotmes, gjithnjë ka qenë ngashënjyese për njeriun.

Por sot është bërë burim nostalgjie e poezie si kurrë ndonjëherë, se zhvillimet teknologjike po e shndërrojnë të sotmen në të djeshme me shpejtësi magjie dhe të gjithë ndihemi të emigruar, jo nga një vend te tjetri, por nga një kohë te tjetra. Joshja që buron nga kujtimet e Ylli Demnerit duket se ka edhe një burim tjetër, mbase më ujëplotë. Siç e thashë më lart, secili nga kujtimet është fare i shkurtër dhe fillon me të njëjtën frazë, “më kujtohet”.

Të strukturuara kështu, ngjajnë si shkrepje flesh, si shkëndija që ndriçojnë shpejt e shpejt objekte, situata, individë, përjetime të dikurshme. Dhe, më e rëndësishmja, synojnë të ndezin imagjinatën e lexuesit, që ky jo vetëm të përfytyrojë atë që thonë fjalët, por mundësisht t’u shtojë edhe përjetime të vetat, të kujtojë a të gërmojë në të shkuarën e vet.

Tufa e nenexhikut të tharë, varur në gozhdë, p.sh. dikujt i kujton shtëpinë apo avllinë e fëmijërisë, një tjetri gjellët e gjyshes gjithë erëza, shije e mirësi; një të treti kohën kur betoni qe mysafir i rrallë dhe qyteti gjallonte në harmoni me natyrën, një të katërt e le krejt indiferent, por në çast shkrep fleshi tjetër, pastaj tjetri dhe kështu secili gjen të vetën. Thuajse gjatë gjithë leximit, teksti mbetet i hapur që lexuesi të shtojë edhe përjetime të vetat. Kjo grishje për përjetime individuale qëndron mbase në themel të joshjes që provon lexuesi.

3. Në fakt, strukturimi i gjithë librit mbi motivin “më kujtohet”, me shtjellime koncize dhe në trajtë fleshi, nuk është shpikje e Ylli Demnerit. Duket se kjo makrostrukturë është huajtur nga ‘“e me souviens” e Georges Perec, një thënie e të cilit hap librin e Demnerit. Në fakt, ky lloj strukturimi nuk është gjetje e Perec. Vetë shkrimtari frëng, thonë studiuesit, e pati marrë nga amerikani Joe Brainard.

Parë kështu, strukturimi i librit të Demnerit vështirë se mund të llogaritet si mungesë origjinaliteti. Çdo krahasim çalon, por do të ishte afërsisht si t’i thoshe një poeti sonetesh se nuk është origjinal, ngaqë përdor një formë të njohur e të shpikur prej të tjerësh. Meritë e Ylli Demnerit është se ia ka dalë që, në këtë strukturë të marrë hua, të derdhë një botë shqiptare, por të shënuar dukshëm nga veçanti të tij, si njeri e si krijues. Për ta perceptuar më lehtë këtë, mund të na ndihmonte një shqyrtim: prania e ekuilibruar e nostalgjisë në faqet e librit. Kujtimet thuajse kurdoherë kanë si prirje të brendshme të bashkëshoqërohen nga nostalgjia, nga malli e trishtimi.

Është krejt e natyrshme, flitet për njerëz, ngjarje, vende e situata që vijnë nga e djeshmja, si të thuash ngjallen së vdekuri. Rreziku i nostalgjisë së tepruar vjen e bëhet më i dukshëm në kujtime si këto, të natyrës autobiografike, rrëfyer në vetë të parë nga një autor në kufijtë e sipërm të moshës së mesme dhe fokusuar në vitet e largëta të fëmijërisë dhe të rinisë së hershme. Trajta tejet koncize e kujtimeve të kësaj natyre bën që përfytyrimi të fokusohet tek episodi, personazhi, objekti a situata dhe të shmangë mundësinë e komenteve, analizave a interpretimeve të shtuara që do sillnin me vete rrezikun e emfazës, të toneve nostalgjike e sentimentale. Narratori flet pak, kufizon veten për të çliruar lexuesin, për të nxitur pjesëmarrjen e tij aktive, për t’i shkëndijuar e ndezur fantazinë.

4. Por përtej teknikës a formës, ndikon edhe diçka më personale. Në tekstin e Demnerit mbizotëron kujtesa pamore. Pasazhet më të goditura duket se janë ato që skicojnë situata, zanate e zanatçinj, objekte, portrete etj.. Të mbeten në mendje p.sh. një skicim i shpejtë i bulevardit nën shi, portreti i gjyshes apo nënëdajës nga Skrapari, vërtetësia e detajeve fare të holla kur kujton këpucarin e dikurshëm apo arnuesen e çorapeve, etj., etj.. Parapëlqimi për viziven, pamoren, parapëlqim krejt individual, është një tjetër mjet që e ka ndihmuar Demnerin të shmangë melankolinë dhe trishtimin, megjithëse flet përgjithësisht për gjëra të perënduara bashkë me fëmijërinë dhe rininë e hershme. Te ne shkruhen e botohen kujtime me tepri.

Kaq me tepri sa të sjellin ndër mend thënien e Çurçillit se kjo nahie, d.m.th. Ballkani, prodhon më shumë histori sesa mund të asimilojë. Jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e kujtimeve që botohen te ne sot, ngjajnë shumë tendencioze, herë synojnë të ilustrojnë teza të historisë së djeshme zyrtare dhe herë t’i mohojnë ato e ta kthejnë pamjen kokëposhtë. Parë në këtë sfond, kujtimet e Ylli Demnerit marrin edhe më shumë vlerë. Janë skicime përjetimesh të thjeshta, pa kurrfarë urrejtjeje apo lajkatimi, pa pretendime për të bërë historinë e madhe.

Dhe mbase mbi këtë tipar gjallon, pa britma e rënie gjoksi, edhe tendencioziteti i qetë e i përmbajtur: jeta e thjeshtë dhe gjithë vlagë e njerëzve të popullit që ngadhënjen mbi grandomaninë totalitare. Janë skicime që vijnë koncize e të përkora, me një ndjenjë mase në mall e nostalgji, në humor e trishtim, në miklim e stigmatizim, në mirënjohje e urrejtje. Si për të na kujtuar se drejtpeshimi dhe ndjenja e masës janë tipare që dëshmojnë art.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura