Xhafaj e Muzaka, gati padinë ndaj Tiranës

Nov 1, 2012 | 15:04
SHPËRNDAJE

Daniel Xhafaj dhe Gjergj Muzaka pritet të padisin klubin e Tiranës në institucionin e futbollit shqiptar, për shkak të detyrimeve të prapambetura që kanë nga koha kur aktivizoheshin me skuadrën bardheblu. Sulmuesi vlonjat, i cili aktualisht luan për Teutën, pretendon se ka 12 milionë lekë të vjetër pa marrë nga klubi i Tiranës. Bëhet fjalë për sezonin 2008-2009, kur ekipi bardheblu u shpall kampion dhe Xhafaj ishte pjesë e tij. Edhe në këtë periudhë klubi administrohej nga Bashkia, me shef Rauf Dimraj. Pasi ka pritur për tri vite një reagim të klubit bardheblu, Xhafaj ka vendosur që ta kalojë çështjen në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF. 35-vjeçari po përpilon të gjithë dokumentacionin dhe zyrtarizimi i padisë duket se është vetëm çështje orësh. Nga ana tjetër, mesfushori i Flamurtarit, Gjergj Muzaka, i cili ka luajtur për herë të fundit me Tiranën në sezonin 2009-2010, mësohet se pretendon të ketë pa marrë nga klubi bardheblu një shumë prej 18 milionë lekësh. Pas atij sezoni, Muzaka kaloi te klubi tjetër kryeqytetas, Dinamo, ku nuk qëndroi më shumë se 6 muaj. Edhe pse vetë lojtari nuk pranon të japë detaje rreth kësaj çështjeje, burime të sigurta pranë tij tregojnë për gazetën se brenda pak ditësh kërkesa do të bëhet zyrtare në FSHF. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Xhafaj pranoi se do të padisë klubin e Tiranës për detyrimin që i ka nga sezonin 2008-2009. “Kam disa ditë, që në bashkëpunim me avokatin tim, po përgatisim kërkesën drejtuar institucionit të futbollit shqiptar. Në bazë të kontratës që kisha nënshkruar me Tiranën, klubi më detyrohet edhe 12 milionë lekë. Kam pritur për një kohë të gjatë, por shlyerja nuk është bërë”, ka treguar dje sulmuesi vlonjat. Në ndryshim nga Xhafaj, mesfushori Muzaka nuk kishte dëshirë ta komentonte këtë çështje. Megjithatë, 28-vjeçari as e pranoi, por as e mohoi se po përgatit një ankesë drejtuar Dhomës së Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF. Në total, të dy lojtarët kërkojnë nga Tirana një shumë prej 30 milionë lekësh. Pesë vite më parë, Xhafaj dhe Muzaka nënshkruan kontrata 2-vjeçare me klubin e Tiranës. Të dy futbollistët ishin pjesë e ekipit që u shpall kampion në sezonin 2008-2009. Ata ishin ndër më të paguarit te bardheblutë, madje për Muzakën klubi i Tiranës pagoi si dëmshpërblim te Partizani një shumë të majme. Në atë periudhë të kuqtë dispononin kartonin e lojtarit, por ish-presidenti Refik Halili bëri gjithçka për të afruar mesfushorin.

Sponsori, kontratë 1 milion euro, klubi qetëson ekipin
Pas rokadës së kryer në stol dhe prezantimit që administratori Tagani i bëri trajnerit të ri para ekipit, kreu i klubit ka përfituar për të qetësuar lojtarët në një tjetër drejtim, atë financiar. Prej kohësh lakohet se do të ketë një sponsor, mirëpo shumë shpejt do të mbyllet edhe kontrata. Emri për momentin nuk bëhet publik, por thuhet se do të jetë një kompani prestigjioze dhe tepër serioze. Mungon vetëm nënshkrimi nga të dyja palët, pra nga kompania dhe klubi. Një gjë të tillë ua ka komunikuar Tagani edhe futbollistëve, ku u ka bërë me dije se në drejtimin ekonomik skuadra nuk do të ketë probleme në të ardhmen. Bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare dhe shuma në total është përafërsisht 1 milion euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura